Operatorët celularë duhet të vendosin limit financiar për shpenzimet roaming në kontratat e pajtimit mujor, si masë për mbrojtjen e konsumatorëve.
Projekt-rregullorja për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” e përgatitur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), përcakton se informacioni për tarifat roaming duhet të përfshijë dhe sqarime për pajtimtarin për masat për kontrollin e shpenzimeve nëpërmjet limitit financiar ose sasior si dhe për mekanizimin e ndërprerjes në rast të arritjes së limitit së paracaktuar apo zgjedhur nga pajtimtari.
Në termat e përgjithshme të kontratës tip, duhet të përfshihet një limit financiar automatik për roaming prej 5000 lekë, pa TVSH apo 6000 Lekë, me TVSH. Megjithatë, pajtimtari do të ketë të drejtë të zgjedhë një limit tjetër financiar, nëse e kërkon atë në një vlerë të ndryshme nga ajo e parashikuar në kontratën tip.
Projekt-rregullorja e re sanksionon edhe njëherë detyrimet që përdoruesve të shërbimeve celulare t’u dërgohet SMS-ve informuese kur arrihet niveli 80% i konsumit të njësive të të dhënave (data) të përfshira në paketën mujore si dhe kur arrihet niveli 100% i konsumit të njësive të përfshira në paketë dhe pajtimtari është objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi.
Por, në rregulloren e re shtohet një dispozitë që përcakton se, në çdo rast, kur pajtimtari arrin nivelin 100% të konsumit të shërbimeve të përfshira në paketë, para se të fillojë të jetë objekt i tarifimit me çmime standarde për njësi konsumi të shërbimeve, operatori duhet t’i dërgojë pajtimtarit një SMS informuese që përmban çmimet për njësi të shërbimeve kryesore (si thirrje telefonike kombëtare, SMS kombëtare dhe akses në internet) të shprehur në lekë (me TVSH) për njësi të shërbimit (minutë, SMS dhe MB).
Ky njoftim duhet të shoqërohet dhe me një link në faqen e internetit të operatorit ku është e publikuar lista e plotë e çmimeve për njësi konsumi të shërbimeve.
Për shërbimin e aksesit në internet, të përdorur brenda vendit ose në roaming, operatori ka detyrim gjithashtu që, kur arrin limiti 100% i përdorimit të paketës, të kërkojë konfirmimin e pajtimtarit për vijimin e përdorimit të këtij shërbimi me tarifa standarde për njësi (Lek/MB) dhe të vijojë ofrimin e shërbimit vetëm pas marrjes së pëlqimit të shprehur të pajtimtarit.
Projekt-rregullorja e re parashikon që, në termat e përgjithshme të kontratës, të përfshihet informacion për mënyrën e pagesës së shërbimeve dhe kufizimet apo penalitetet e aplikuara në rast të vonesës së pagesës së shërbimeve, si dhe dërgimin e njoftimeve paralajmëruese të operatorit për pajtimtarin në afate të arsyeshme dhe me mjet të qëndrueshme përpara aplikimit të kufizimeve ose penaliteteve.
Sipas projekt-rregullores, masat specifike te ofruesit të shërbimeve për mospagesën e faturave duhet të jenë proporcionale, jodiskriminuese dhe të publikuara dhe në faqen e internetit të operatorit.
Këto masa duhet të përcaktojnë qartë dhe me detaje në kushtet e kontratës rastet kur bëhet kufizimi, ndërprerja e shërbimit apo ndërprerja e kontratës dhe duhet të garantojnë që përdoruesi fundor të njoftohet në kohën dhe mënyrën e duhur përpara aplikimit të tyre./Monitor







