HomePolitikePaketa për mbrojtjen e territorit, çfarë parashikojnë masat e reja. Manja: Model...

Paketa për mbrojtjen e territorit, çfarë parashikojnë masat e reja. Manja: Model i ri zhvillimi, ja çfarë synojmë

Advertismentspot_img

Paketa e re për mbrojtjen e pronës dhe territorit parashikon disa ndryshime në Kodin Penal që lidhet me mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje, zënien e hapësirave publike, por edhe zjarrvënia.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tregoi sot të gjitha propozimet e qeverisë.

Shkatërrimi i pronës me zjarr

Kur vepra kryhet në një kohë kur kushtet motit dhe terrenit rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes dhe vështirësojnë marrjen e masave për shuarjen e tij apo kur kryhet pranë qendrave ose vendeve të banuara dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

Kur kjo vepër kryhet brenda zonave të mbrojtura ose prek objekte të trashëgimisë kulturore, objekteve të kultit, monumente të kulturës apo kur cënon infrastrukturën kritike dënohet me burgim nga 4 deri në 10 vjet.

Ndërtimi i paligjshëm

Kur ndërtimi i paligjshëm kryhet nga persona që ushtrojnë funksione publike në fushën e mbrojtjes, planifikimit, mbikëqyrjes apo kontrollit të territorit dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet dhe me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet.

Kur ndërtimi i paligjshëm kryhet brenda zonave të mbrojtura, parqeve natyrore ose prek objekte të trashëgimisë kulturore, objekte të kultit, monumente të kulturës apo kur cënon infrastrukturën kritike dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet.

Zënia e tokës

Zënia e tokës, publike apo private pa titull ligjor për qëllime banimi, ndërtimi apo shfrytëzimi të çfarëdollojshëm përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.

Kur kjo vepër kryhet në mënyrë të përsëritur ose në bashkëpunim, ose ka si pasojë pengimin e përdorimit të ligjshëm të tokës nga poseduesi apo pronari dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet.

Po kjo vepër kur kryhet në tokë që ndodhet brenda zonave të mbrojtura, parqeve natyrore ose prek objekte të trashëgimisë kulturore, objekte të kultit, monumente të kulturës apo kur cënon infrastrukturën kritike, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Po kjo vepër kur kryhet nga persona që ushtrojnë funksione publike në fushën e mbrojtjes, zhvillimit, planifikimit, mbikëqyrjes apo kontrollit të territorit dënohet me burgim nga 2 deri në 6 vjet me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se reforma për mbrojtjen e territorit është një domosdoshmëri urgjente. Ai theksoi se paketa e re ligjore e propozuar nga qeveria për mbrojtjen e pronës dhe territorit është një hap drejt një modeli të ri zhvillimi.

“Garanton barazi në zhvillimin e hapësirave të përbashkëta publike siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit dhe respekt ndaj trashëgimisë tonë natyrore dhe kulturore”, tha ai.

Manja tha se paketa ligjore synon të mbrojë territorin nëpërmjet masave administrative dhe penale.

“Paketa e masave ligjore që propozojmë sot synon mbrojtjen e tokës, territorit, natyrës dhe mjedisit nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe masave me karakter penal që vijnë si reflektim dhe nevojë e ndryshimeve që kemi bërë me paketën e masave administrative”, tha Manja.

Por çfarë synon kjo paketë?

“Të ndalojë fenomenin e ndërtimeve pa leje duke forcuar mekanizmat ligjorë gjatë zbatimit të ndërtimit. Fillon që në fazat e para të ndërtimit, kur hapet kantieri, deri kur objekti dorëzohet me certifikatë përdorimi.

Të çlirojë dhe rikthejë hapësira publike duke i kthyer ato në funksion të jetës komunitare dhe zhvillimit urban të balancuar.

Të mbrojë resurset natyrore dhe mjedisin si një pasuri e patjetërsueshme kombëtare.

Të forcojë transparencën dhe kontrollin institucional në mënyrë që qytetarët të kenë besim se territori i vendit po administrohet me përgjegjësi dhe kohë reale.

Të nxisë turizmin dhe ekonominë e gjelbër duke siguruar hapësira të lira dhe të pastra për vizitorët dhe qytetarët dhe duke kontribuuar në krijimin e një fondi të gjelbër.

Ndalimin e abuzimeve me mosrespektimin e projekteve arkitektonike të miratuara nga organet përgjegjëse”, tha Manja.

Masat ndëshkimore

Ministri Manja bëri me dije se projektligji parashikon dënime të ashpra për shkatërrimin e pronës me zjarr, sidomos në rrethana që rrisin rrezikun publik. Nëse vepra kryhet në kushte të pafavorshme moti apo pranë zonave të banuara, dënimi shkon nga 3 deri në 8 vjet burgim. Ndërsa në rastet kur zjarri prek zona të mbrojtura, objekte të trashëgimisë kulturore apo infrastrukturë kritike, dënimi është më i rëndë, nga 4 deri në 10 vjet burgim.

Për ndërtimet e paligjshme, kur kryhen nga zyrtarë publikë në fushën e territorit, parashikohet dënim me burg nga 3 deri në 7 vjet dhe ndalim për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet. Në rastet kur ndërtimi ndodh në zona të mbrojtura apo prek pasuri kulturore dhe infrastrukturë kritike, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim.

Sa i përket zënies së tokës pa titull ligjor, ajo cilësohet si kundërvajtje penale dhe dënohet me burg deri në 2 vjet. Nëse vepra kryhet në mënyrë të përsëritur, në bashkëpunim, apo pengon përdorimin e tokës nga pronari, dënimi është nga 6 muaj deri në 3 vjet burgim. Ky dënim rëndohet kur vepra ndodh në zona të mbrojtura apo prek objekte të trashëgimisë kulturore, duke u rritur në 1 deri në 5 vjet burg. Nëse kryhet nga persona me funksione publike në fushën e territorit, dënimi arrin nga 2 deri në 6 vjet burg, bashkë me ndalimin për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular