Çmimet e biletave për Botërorin e Amerikës, Meksikës dhe Kanadasë kanë shkuar në stratosferë. Bileta më ekonomike për të parë finalen e këtij kompeticioni të vitit 2026 është 1 mijë e 700 euro, 10 herë më shumë në krahasim me finalen e kaluar mes Argjentinës dhe Francës që kushtonte 176 euro.
Ndeshja më e rëndësishme është e programuar në stadiumin “Nju Xhersi” të Nju Jorkut më 19 korrik të vitit 2026 dhe biletat në këtë stadium ndahen në katër kategori, nga vendet më ekonomike deri tek ato më të mirat. Kategoria më e ulët është 1 mijë e 700 euro, ndërsa kategoria e parë kushton afro 6 mijë euro.
Në finalen e Botërorit të Katarit bileta më e shtrenjtë ishte 1 mijë e 400 euro.
Edhe për të parë një ndeshje në fazën e grupeve duhet të paguash jo pak, por nga 90 deri në 500 euro. Në Katar kishte bileta nga 10 euro deri në 200 euro.
Ky është një nga kompeticionet më të shtrenjta të organizuara ndonjëherë nga FIFA, ndërsa teleshikuesit shqiptarë kanë mundësi ta ndjekin falas në televizionin Klan.
Tv Klan