Shqipëria do të luajë në muajin nëntor dy ndeshjet e fundit kualifikuese për në Kupën e Botës, ku përballë do të ketë Andorrën dhe Anglinë.
Fitorja e arritur në Leskovc pak ditë më parë, ka ngjallur tashmë shpresat se kuqezinjtë mund të arrijnë për herë të parë në histori në “Play Off” të Botërorit. Për ta bërë këtë, Shqipëria duhet të ruajë vendin e dytë, gjë të cilën mund ta arrijë pasi aktualisht e sheh veten 1 pikë para Serbisë, teksa të dyja skuadrat kanë edhe nga dy ndeshje për të zhvilluar.
Shqipëria do të përballet fillimisht me Andorrën e më pas me Anglinë, teksa Serbia do të ketë fillimisht transfertë në Angli, e më pas do të presë në shtëpi Letoninë. Më poshtë janë edhe skenarët se si mund të ruajë Shqipëria vendin e dytë.
2 FITORE- Shqipëria do të luajë dy ndeshje dhe nëse kuqezinjtë arrijnë të fitojnë ndaj Andorrës dhe Anglisë, atëherë do të ishin të kualifikuar në fazën “Play Off”, pa marrë parasysh se si dalin ndeshjet e Serbisë. Nëse të dyja skuadrat i fitojnë ndeshjet e tyre, atëherë Shqipëria do të shkonte në kuotën e 17 pikëve, kundrejt 16 pikëve të Serbisë, çka do të thotë kualifikim nga vendi i dytë.
1 FITORE- Kuqezinjtë kanë shanse reale për të shkuar si vend i dytë edhe nëse fitojnë vetëm ndeshjen ndaj Andorrës. Për ta arritur diçka të tillë, duhet që Anglia të bëjë detyrën e saj, duke fituar ndaj Serbisë dhe ndaj Shqipërisë. Diçka e tillë, nuk do të ndryshonte fatin e grupit, pasi sërish skuadrat do të kishin diferencën me 1 pikë.
ASNJË FITORE- Nëse kuqezinjtë nuk arrijnë të fitojnë të paktën me Andorrën, atëherë shanset për në Botëror do të ishin thuajse të pamundura. Kjo për faktin se Serbia e luan një nga ndeshjet në shtëpinë e saj, pikërisht ndaj Letonisë. Serbët e kanë fituar takimin e parë në Letoni dhe natyrisht, para tifozëve nuk pritet që të bëjnë një hap të gabuar, kështu që fitorja në transfertën e Andorrës, është padyshim një detyrim për kuqezinjtë për të vazhduar me ëndrrën.
BARAZIMET- Nëse Shqipëria barazon në të dyja ndeshjet, do të shkonte në kuotën e 13 pikëve, aq sa mund të arrijë Serbia me një fitore ndaj Letonisë. Në këtë rast, në lojë do të hynte golaverazhi dhe kuqezinjtë aktualisht kanë një golaverash më të mirë. E vetmja gjë që Shqipëria shpreson, është që në ndeshjen Serbi-Letoni, serbët të mos fitojnë me shumë gola dhe nëse këtë e bëjnë, atëherë duhet shpresuar që të pësojë sa më shumë në Angli. Aktualisht, Shqipëria e ka golavarazhin +3, duke shënuar 6 gola e duke pësuar 3 të tjerë. Nga ana tjetër, Serbia e ka golavarazhin 0, pasi ka shënuar 7 gola dhe ka pësuar 7.