Një debat i fortë i ndodhur në një nga mbledhjet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mes kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani dhe anëtarit Sokol Stojani, ka nxjerrë në sipërfaqe krisjen e madhe që ka ky institucion.
Debati nxjerr në shesh krizën e këtij institucioni që drejtohet nga një kryetare që kërkon të kontrollojë tinëz anëtarët e tjerë. Dhe nga ana tjetër dukshëm përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme në KLP, prokurori Sokol Stojani, kërkon llogari me tonalitet të fortë për tematikat që Bogdani kërkon të futë për seancë plenare për diskutim.
Intonacioni i zërit i kalon një formati zyrtar, ku Bogdani dhe Stojani, shkojnë përtej profilit zyrtar duke kaluar në fyerje ndaj njëri-tjetrit.
E gjitha ka ndodhur në seancën e 30 Prillit 2026, ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka pasur debate të shumta mes anëtarëve të KLP-së lidhur me vendimin për hapjen e vendeve vakante.
Debatet vijnë në një kohë, kur vetë KLP-ë u përfshi në një skandal të rëndë mediatik, pasi emisioni “Stop” publikoi biseda dhe foto intime të zhvilluara nga një anëtar KLP-je, Oliger Eminaj, i cili kërkonte favore seksuale.
Kohët e fundit institucioni i KLP-së, i cili është pjesë e drejtësisë shqiptare, është kthyer në mburojë të interesave personale.
“…Nuk merrem dot, nuk merrem dot me njerëz me jetë të konsumuar, kaq, kaq…”-i është drejtuar Sokol Stojanit, kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Më tej mes tyre, ka plasur një debat që ka tejkaluar formatin zyrtar, duke mbajtur të ngrirë anëtarët e tjerë që ndodheshin aty.
Gazetari i Syrit, Elton Qyno ka mundur të zbardhë të plotë debatin e ashpër mes dy zyrtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët shkuan në ofendime dhe akuza për sabotim…
DEBATI I PLOTE në KLP
Bogdani: Ore nuk do marrim vendim sot.
Stojani: O kryetare, je në kundërshtim me ligjin. Ti të paktën duhet ta njoftosh anëtarin. Është përdhunim moj kryetare. Të kërkosh ti të diskutosh…
Bogdani: Po pse vetëm ju ndiheni i përdhunuar zoti Stojani? Ne të tjerët e kuptoni sesi ndihemi pas këtyre fyerjeve dhe ofendimeve?
Bogdani: Mbledhjen e deklarojmë të mbyllur. Të qetësohen palët, të rehabilitohen dhe të vijnë në mbledhjen tjetër. Mirupafshim…
Stojani: Ju po sabotoni mbledhjen e Këshillit.
Stojani: Duke futur gjëra dhe duke penguar veprimtarinë e këtij Këshilli. Kryetare do të mbani përgjegjësi për këtë.
Stojani: Do mbani përgjegjësi po të them.
Bogdani: Në litar do më varësh, e di..
Stojani: Po ç’litar aman, s’je ti për litar. Ashtu të ngre në qiell. Turp të të vijë njëherë. Keni mbledh gjithë njerëzit këtu për t’i mbajt njerëzit peng për gjëra ordinere. Jo, joo… A ka gjë më ordinere se të rishikosh një vendim të marrë? S’ka gjë më ordinere se kjo. Ky është problem konceptual.
Bogdani: Po është diskutim. Në qoftë se ti…
Stojani: Po s’ke diskutim moj. Po nuk diskutohet një vendim moj. Po nuk diskutohet një vendim i marrë moj, po nuk diskutohet… Moj kryetare…
Bogdani: Ore kështu e gjykova. Kush je ti që më tregon mua?
Stojani: Po kush je ti që vë në diskutim moj?
Bogdani: Po rrëzoje o burrë..
Stojani: Po nuk rrëzohet moj…
Bogdani: Dakord, mbase jam çmendur unë.
Stojani: Po je çmendur moj, je çmendur. Po je çmendur…, po je çmendur moj..
Bogdani: Nuk merrem dot, nuk merrem dot me njerëz me jetë të konsumuar, kaq, kaq…
Stojani: Ti nuk mund të zhbësh dot një vendim moj zonjë e dashur, nuk e zhbën dot, nuk e zhbën dot.
Anëtari i KLP-së: Po atë nismën tonë…
Bogdani: Po patjetër mo, po ju nuk të lini hapësirë
Stojani: Po jo, se në këtë hapësirë ti do me fut ato muhabetet e tua.
Stojani: S’ka gjë më ordinere se kjo. Ky është një problem konceptual.
Bogdani: Unë e rikthej për diskutim.
Stojani: Nuk diskutohet një vendim i marrë! Po nuk rrëzohet një diskutim, moj!
Bogdani: Unë kështu e gjykova. Kush je ti që më tregon mua?
Bogdani: Po mbase jam çmendur unë.
Stojani: Po je çmendur, moj, je çmendur.
/Nga Elton Qyno – Syri.Net







