nga Alfred Duka
Me “Ministrin” jam njohur përpara se të merrte zyrtarisht detyrën nga autori.
Pas njohjes dhe përpara “dekretimit”, kam qenë kundër “marrjes së detyrës” prej tij, duke u përpjekur me timen për të argumentuar se sado i zoti që do të ishte, statusi i tij ligjor pavarësisht shmangies së ekzekutimit të vendimit, nuk mund të lejonte as letrarisht të merrte atë detyrë, mirëpo nganjëherë fatet, e tejkalojnë logjikën e normalitetit. Dhe mirë bëjnë.
Kishte qenë fatlume xhiroja matanë oqeanit, e të dënuarit përjetë si dhe e kthimi i tij, pas vitesh, drejt e në karrigen e deputetit dhe prej aty, fluturim e në kolltukun e ministrit. Sidoqoftë vijoja me timen të këmbëngulja se nuk duhet të ndodhë kështu, por Ahmeti, kundërshtoi.
– Ja kam dhënë fjalën tashmë, më tha, nuk mund të tërhiqem.
Ai e emëroi. U dekretua. Dhe Ministri nisi nga puna.
Si i hurit dhe litarit, që ishte, puna zu ti ecë.
– Po tani, tha Ahmeti.
– Tani jam i tërhequr. Paskam qenë gabuar.
Sigurisht që vitet matanë oqeanit, nuk i kishin shkuar dëm; ishte bërë me lek, anglishtja e tij shkëlqente. Kishte mësuar piarin dhe sjelljen e salloneve. Paratë ia kishin dhënë hijeshinë mondane, aq sa qorrave të këtushëm, t’ua verbonte sytë, sa të mos i’u jepte asnjë shans t’i kërkonin më shumë rreth tij. Jeta andej, i bën të tejkaluara pastërtitë e figurës.
Çfarë kërkohet më shumë se paratë, sjellja amerikane, apo ndonjë diplomë nga universitetet e zëshme, të matanë oqeanit, në Arrnautistanin tonë, për ti pasur të gjitha rrugët e hapura? Asgjë.
Ec e ec dhe mandati i tij ministror, apo hija e ministrit, fshiu çdo mundësi për t’i gjetur hijet e së shkuarës së tij. Por për shkak të një kryepolici disi kryeneq, ende me memorie të pashlyer, kishin mbetur në kujtesë disa tipare, por jo ende portreti e tij, këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë, si vrasësi i kolegut të vet të dikurshëm, athere prokuror. Aty nga ai çast me pasiguritë e veta, gjithçka nisi rrokullimën për Ministrin.
Dilemat pro e kundër, e gërryenin ditë më ditë kryepolicin, pasi kujtesa nuk është një shqisë që i reziston plakjes.
Pak përpara përfundimit të parakohshëm të mandatit, i ardhur si pasojë e këmbënguljes së policit për ti shkuar deri në fund, Ministri i detyruar, mban fjalimin e fundit para parlamentit.
Ai befas i pranon të gjitha, para kolegëve të grupit, por në fund të fjalës së tij, me një brifing të jashtëzakonshëm, disi mesianik, i fton shumicën e tyre, që të deklarohen të ndershëm! Të ndryshëm nga ai. Kush e hedh gurin i pari?
– Kush prej jush, me më shumë se një mandat, nuk është pak a shumë si unë, të hedh mbi mua gurin i pari. Se mbi mua rëndon një vendim gjykate dhe ju keni qenë të mbrojtur, në kryerjen e veprave tua, në thelb bën që nuk jemi të ndryshëm? Pasi askush nuk e mori guximin; riorganizoi sulmin:
Është e tepërt të them se gjatë gjithë kësaj kohe, kam pasur në tavolinë dosjet tuaja, pra ju. Ata të vërtetët jeni atje mbi tavolinën time, që po lë sot, ndërkohë që ju këtu jeni maska që i keni ndërtuar vetvetes, me të cilën shiteni para shqiptarëve.
Unë jam deklaruar fajtor për krim të rëndë, në rolin e bashkëpunëtorit. Ndërsa ju formalisht jeni të pastër!!! Atherë përse unë jam më fajtor se ju? Apo se unë atëherë isha një njeri i thjeshtë dhe ju deputet? Unë kam qenë i dënuar. Po. Kam ndryshuar identitetin. Po. Cili prej jush nuk e ka ndryshuar? Cili? Ai që se ka ndryshuar, të hedh gurin i pari! E unë nuk kam për ta lëvizur qerpikun. Bëjeni! Ju ftoj, që nga ju zoti kryetar, e me radhë ju të tjerët. Bëjeni!
Apo keni ndonjë shpjegim tjetër?
Një pjesë heshtën. Ata me disa mandate. Domethënë e pranuan me heshtjen e tyre. Të tjerët, të rinjtë shtangën nga droja e
makthet se mund të përfundonin si të vjetrit që po heshtnin. Përse heshtnin ata? Sigurisht që këtë e dinë më mirë se sa dëgjuesit e tyre, që në vend se tu mësojnë të flasin, i’ua mësuan të heshtnin më mirë, si e vetmja rrugë për tu kacavjerrë. Përse jo për të bërë karrierë.
Disa të tjerë edhe i dinin të gjitha, por kishin siguruar ecjen përpara me heshtjen e tyre, mandat pas mandati, të gatshëm për senatorët e ardhshëm.
Sidoqoftë një pjesë e tyre, nuk mundën ta kalonin testin e sinqeritet, pasi pyetësi i tyre, nuk e kishte shkuar dëm kohën që pat punuar Ministër i Brendshëm. Kishte shfletuar, e rrëmuar qerratai nën maskën e tyre, duke i’ua zbuluar fytyrën e vërtetë.
Ky u largua, por disa, për të mos thënë shumë prej kolegëve të tij, heshtën pasi nuk ishin shumë të ndryshim me Ministrin në zhyerjen me punë kriminale…n
Në fund të fundit, për çfarëdo që kanë thënë, e ngrënë, kundër njëri tjetrit, na përplasin në surrat:
“deklarata politike ishin”.
Edhe Ministri letërsi është, them. Ndoshta jo dhe aq.
Sidoqoftë, si gërnjarë, i them autorit, që nëse do të guxoja ta dekretoja një të dënuar, ministër, kurrë nuk kisha për ta “shkarkuar”!
Duhej Ministri të paktën për t’jua vënë si pasqyrë para surratit, baballarëve të kombit.
Më përfshiu më shumë subjekti, që desha të ndaj, prandaj edhe më mori gjithë hapësirën, pa i lënë vend ndonjë fjale që mund të thosha për narrativën dhe stilin letrar të këtij romani, i cili të përfshin duke ndjekur zgërçe gati të pabesueshme, por të trajtuara me mjeshtëri nga autori.
Edhe njëherë urime Ahmet!@







