Administrata e Donald Trump po përballet me polemika të reja, pasi zyrtarë të lartë amerikanë dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj Byrosë së Gdhendjes dhe Shtypjes së parave për të hartuar një kartëmonedhë prej 250 dollarësh me portretin e presidentit amerikan.
Sipas raportimit të Washington Post, iniciativa është diskutuar që prej vitit 2025 nga dy të emëruar politikë në Departamentin e Thesarit, Brandon Beach dhe këshilltari i tij Mike Brown, të cilët i kanë kërkuar vazhdimisht stafit të institucionit të përgatisë modele të reja të kartëmonedhës.
Mediat amerikane raportojnë se një nga maketet e propozuara paraqiste fytyrën e Donald Trump në qendër të kartëmonedhës 250 dollarëshe, mes firmave të presidentit dhe Sekretarit të Thesarit Scott Bessent. Artisti britanik Iain Alexander, i cili pretendon se ka realizuar dizajnin, deklaroi se kishte diskutuar personalisht me Trump për projektin dhe se presidenti kishte sugjeruar ndryshime në elementët grafikë, përfshirë ngjyrat e flamurit amerikan dhe logon për 250-vjetorin e themelimit të SHBA-së.
Megjithatë, iniciativa ka hasur në pengesa të mëdha ligjore. Ligji federal amerikan ndalon që persona të gjallë të shfaqen në monedhën apo kartëmonedhat amerikane, një rregull që ekziston që prej vitit 1866. Sipas ekspertëve të politikës monetare, për realizimin e një projekti të tillë do të nevojitej një akt i posaçëm i Kongresit amerikan.
Zyrtarë të Byrosë së Gdhendjes dhe Shtypjes u kanë bërë të qartë përfaqësuesve të administratës se procesi për krijimin e një kartëmonedhe të re mund të zgjasë nga gjashtë deri në tetë vite, sidomos për prerje të larta që kërkojnë masa të avancuara sigurie kundër falsifikimit.
Ndërkohë, drejtoresha e byrosë, Patricia Solimene, u transferua nga posti i saj në muajin prill, në një lëvizje që sipas raportimeve nuk ishte zgjedhja e saj. Në mesazhin e lamtumirës drejtuar stafit, ajo shkroi se largohej me “zemër të rëndë”, pa zbuluar arsyet konkrete të transferimit.
Administrata Trump ka konfirmuar gjithashtu se po shtypen kartëmonedha 100 dollarëshe me firmën e presidentit amerikan, një tjetër veprim i pazakontë në historinë monetare të SHBA-së.
Shtytja për krijimin e kartëmonedhës së re lidhet me planet e administratës për festimet e 250-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara, të cilat do të nisin vitin e ardhshëm. Përveç kësaj ideje, Trump ka propozuar edhe ndërtimin e një harku triumfi gjigant dhe një “Kopshti Heronjsh” në Uashington me 250 statuja historike.








