Nga Azgan Haklaj
Trinomi i historisë apel per Besëlidhje të Re!
Të nderuar bashkëatdhetarë, motra dhe vëllezër shqiptarë!
Sot është 10 qershori!
Ka data në kalendar që janë thjesht numra, por për kombin tonë, 10 qershori është vetë kodi gjenetik i mbijetesës, rezistencës dhe lirisë sonë.
Në këtë datë, historia na flet me tre zëra të fuqishëm:
Na flet me zërin e burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, që u ngritën si një trup i vetëm kundër copëtimit dhe armiqve tanë shekullorë.
Na flet me zërin e djemve dhe vajzave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, mbase jo rastesisht, zgjodhën pikërisht simbolikën e Prizrenit për të ndezur kushtrimin e fundit të lirisë.
Dhe na flet me zërin e vitit 2007 nga Tirana, ku Presidenti George W. Bush, pikërisht më 10 qershor, preku tokën tonë dhe tundi kancelaritë botërore me deklaratën historike:
“Mjaft më!
Kosova është pavarur!
Pavarësi sot, sepse nesër është vonë!”
Vëllezër dhe motra!
Rruga jonë deri këtu ka qenë e shtruar me gjak dhe sakrifica që pak kombe në Ballkan dhe në botë i kanë përjetuar.
Kemi kaluar nëpër thikën e masakrave, shpërnguljeve, dëbimeve dhe tentativave shekullore për të na fshirë nga harta.
Por ne mbijetuam.
Mbijetuam sepse nuk hoqëm kurrë dorë nga identiteti ynë.
Sot, bota moderne kërkon nga ne një vetëdije të re kombëtare—një vetëdije që nuk ushqehet më me ndasi, por me bashkim; jo me llogore politike, por me dashuri për këtë flamur dhe për këtë tokë.
Në këtë udhëtim të vështirë, Zoti dhe historia na rreshtuan në krah mikun më të madh që ka pasur ndonjëherë Kombi Shqiptar:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ishte Presidenti Wilson që shpëtoi Shqipërinë nga zhbërja në vitin 1919!
Ishte Presidenti Clinton që urdhëroi avionët e NATO-s të gjunjëzonin makinerinë vrastare të Millosheviçit; dhe ishte Presidenti Bush që vulosi amanetin e dëshmorëve të UÇK-së.
Le ta themi hapur dhe pa dorashka:
Pa mbështetjen e palëkundur të Amerikës, sot ndoshta nuk do të ekzistonim si komb në hartën e botës!
Populli ynë ka një instrument të shenjtë që tregon shpirtin tonë:
Çiftelinë.
Ajo ka vetëm dy tela, por nxjerr meloditë më të bukura të historisë.
Sot, çiftelia e kombit tonë duhet të jetë busulla jonë e së ardhmes.
Njëri tel tingëllon pastër shqip—me gjuhën, kulturën dhe gjakun tonë.
Teli tjetër tingëllon amerikanisht—me vlerat e lirisë, demokracisë dhe besnikërisë ndaj aleatit tonë të madh.
Kur këta dy tela bien bashkë, asnjë armik nuk mund të na thyejë!
Prandaj, kjo protestë e sotme nuk është e një partie apo e një grupi.
Kjo është protesta e bashkimit nga e cila duhet të lindë një Besëlidhje e Re për rrezimin e establishmentit 35- vjeçar dhe çlirimin e demokracisë nga kthetrat e oktapodit që po e mban peng për më shumë se tre dekada!
Është koha të rrëzojmë muret e ndasive që na kanë mbajtur peng dhe të kapërcejmë çdo ndarje politike. Paqja, zhvillimi dhe dinjiteti vijnë vetëm kur jemi bashkë.
Paqja, zhvillimi dhe dinjiteti vijnë vetëm kur jemi bashkë.
Nga Sheshi Skenderbej, Bulevardi Deshmorët e Kombit, në këtë 10 qershor të shenjtë, le t’i dëshmojmë botës se jemi një komb me vetëdije të fortë, moderne dhe plotësisht të bashkuar.
Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar!
Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Rroftë Shqipëria e bashkuar!
Mirënjohje përjetë Amerikës!







