Gjykata e Apelit në Bolonjë ka ulur nga 17 në 15 vite burg dënimin për të riun që ishte 15 vjeç në momentin e ngjarjes, i dënuar për vdekjen e 13-vjeçares Aurora Tila.
Aurora humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga një ballkon. Çështja ka shkaktuar reagime të forta në Itali, ndërsa familja e vajzës ka shprehur hapur pakënaqësinë për vendimin e Apelit, shkruajnë mediat.
Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e viktimës, deklaroi se familja është veçanërisht e zhgënjyer nga kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për uljen e dënimit.
“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re e femicidit në Evropë”, u shpreh avokati.
Nëna e vajzës, Morena Corbellini, reagoi ashpër pas vendimit, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen raste të tilla.
“Presim atëherë që numri i femicideve të ulet? Ato vetëm do të rriten. Edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa vendi të ndërhyjë me forcë dhe në mënyrën e duhur”, deklaroi ajo.
Corbellini shtoi se situata, sipas saj, vetëm sa do të përkeqësohet dhe se dënimet po jepen shumë lehtë.







