Nga Ermal Peçi
Para disa ditësh isha me një mikun tim demokrat nga bregdeti i jugut duke diskutuar për problematikat dhe gjendjen e PD-së. Ndryshe nga unë, ai kishte pasur një tjetër projeksion për atë që do ndodhte në PD. Kur u takuam, më tha: “I thashë një miku tim që do të takoj një që mbështet Bashën dhe ai më tha: Çfarë ka thënë Basha, po i del.” Kështu nisi edhe ideja e këtij shkrimi për atë se çfarë po ndodh realisht në Shqipëri.
Lulzim Basha është ndoshta i vetmi politikan që është sulmuar pafund nga struktura e vjetër politike, oligarkike dhe kriminale, por pavarësisht gjithçkaje nuk bëri asnjë hap pas. Pushteti i thashethemeve, që drejtohet nga Rama dhe Berisha, përdori çdo mekanizëm të mundshëm për ta paraqitur si të paaftë, matrapaz, hajdut apo qesharak, vetëm për faktin se biografia e tij politike ishte e vështirë të shantazhohej.
Mes intrigave, luftës së pamëshirshme dhe kërcënimeve, Lulzim Basha ishte i pari që foli për trekëndëshin që kontrollonte Shqipërinë – Rama, Berisha dhe Meta. E pse e etiketonin si “ djali politik i Berishës” ai pati vizionin dhe kurajon të ndahej i pari prej tij, pa e kthyer kokën pas. Ishte i qartë se një parti që ka Amerikën kundër dhe që pozicionohet kundër drejtësisë është një parti pa të ardhme, dhe kjo është ajo që po ndodh sot me Berishën dhe PD-në.
Ai paralajmëroi se Berisha do ta përdorte partinë për hallin e tij personal kundër SPAK-ut dhe për arsye të non gratës do ta kthente partinë në bunker, dhe ashtu ndodhi. Henry Kissinger, në librin e tij Diplomacia, shprehej se një politikan është aty për të marrë vendime, të cilat vetëm koha i vërteton nëse kanë qenë të drejta apo jo. “Kjo krizë tregoi se brenda PD-së ka pasur dhe vazhdon të ketë deputetë apo ish-deputetë që, më shumë sesa parime politike, kanë ndjekur logjikën e mbijetesës personale—të gatshëm të rreshtohen pranë Sali Berishës, me shpresën se përmes besnikërisë së verbër mund të rikthehen në listat e mandatit.”
Por paralajmërimet e Bashës nuk kufizoheshin vetëm te kriza e opozitës. Ai ishte ndër të parët që këmbënguli në dekriminalizimin e politikës, me bindjen se një shtet demokratik nuk mund të përfaqësohet nga individë me precedentë penalë apo të lidhur me botën e krimit. Procesi i dekriminalizimit largoi nga institucionet e shtetit dhjetëra zyrtarë dhe përfaqësues të zgjedhur si pasojë e vullnetit poltik të Edi Ramës, duke vendosur një standard të ri integriteti në jetën publike.
Po aq i hershëm ishte edhe paralajmërimi i tij për modelin ekonomik që po ndërtohej në Shqipëri. Ai fliste për një ekonomi të deformuar nga korrupsioni, ekonomia e drogës dhe pastrimi i parave, duke argumentuar se një sistem i tillë mund të prodhojë pasuri për një grusht njerëzish, por kurrë zhvillim të qëndrueshëm për vendin. Në një ekonomi ku konkurrenca zëvendësohet nga favorizimet, ku investitori i ndershëm përballet me kapitalin informal dhe ku institucionet kapen nga interesa klienteliste, rotacioni politik bëhet pothuajse i pamundur.
Arrestimet e fundit të SPAK-ut po tregojnë qartë sesi Edi Rama ka kriminalizuar ekonominë shqiptare dhe e ka bërë pothuajse të pamundur rotacionin normal politik përmes votës. Ato po hedhin dritë mbi mënyrën se si korrupsioni, lidhjet mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar kanë ndikuar në funksionimin e shtetit shqiptar.
Sot Shqipëria ndodhet prej më shumë se njëzet ditësh në një valë protestash qytetare, të drejtuara kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe pandëshkueshmërisë politike. Thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” nuk janë thjesht slogane proteste, por shprehje e një kërkese më të gjerë për drejtësi dhe për një rend të ri politik.
Në një farë mënyre, ajo që artikulohet sot si “Shqipëria e Re” ngjan me konceptin e “Republikës së Re”, të shpallur nga Partia Demokratike në vitin 2017, ku në qendër vendosej qytetari, kultura civike dhe ndarja përfundimtare me tranzicionin e stërzgjatur shqiptar.
Friedrich Nietzsche thoshte se: “Ai që ka një pse, mund të përballojë pothuajse çdo si.” Për vite me radhë, politika shqiptare zgjodhi të ndiqte turmën, ndërsa disa zgjodhën të mbeteshin besnikë ndaj bindjeve të tyre, duke pritur që koha të bëhej gjykatësi më i drejtë i fjalëve dhe veprimeve të secilit.
Në fund të fundit, pyetja që shtrohet sot nuk është nëse Lulzim Basha fitoi apo humbi politikisht. Pyetja është nëse paralajmërimet e tij për trekëndëshin Rama-Berisha-Meta, për dekriminalizimin, për kapjen e ekonomisë nga korrupsioni dhe paratë e drogës, si edhe për përdorimin e opozitës si mburojë ndaj drejtësisë, po rezultojnë më pranë realitetit sesa perceptimit që u krijua për të. “Në politikë, siç ndodh shpesh, duartrokitjet dhe fishkëllimat i përkasin momentit, ndërsa gjykimi i takon kohës; dhe koha, ndonjëherë, është aleati më i mirë i atyre që zgjodhën të mbeteshin besnikë ndaj bindjeve të tyre, edhe kur kjo nuk ishte rruga më e lehtë apo më e popullarizuar. #shpërndajeni







