Nga Ermal Peçi
Brenda dy javësh, dy prej gazetarëve politikë më të njohur të këtyre 36 viteve, Rudina Xhunga dhe Blendi Fevziu, kishin përballë në intervista dy prej njerëzve më të pushtetshëm të demokracisë hibride shqiptare: Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Në fakt, po t’i ndjekësh me vëmendje të dyja intervistat, Rama dhe Berisha, në disa momente, ngjajnë si dy pika uji. Të dy luajnë me gjysmë të vërtetat dhe të dy thonë se nuk e duan pushtetin, ndërkohë që bëjnë çmos për ta mbajtur atë. Gjysmë e vërteta është ndoshta forma më e sofistikuar e gënjeshtrës në kohën e sotme, se nuk të kërkon ta shpikësh realitetin, por vetëm ta presësh atë në mes dhe t’i tregosh publikut pjesën që të intereson.
Friedrich Nietzsche shkruante: “Nuk ka fakte, vetëm interpretime.” Në politikën shqiptare, Rama dhe Berisha duket sikur këtë ide e kanë çuar edhe më larg: faktet ekzistojnë, por secili zgjedh vetëm ato pjesë që i duhen për të ndërtuar të vërtetën e vet.
Por, përveç këtij fenomeni, Ramën dhe Berishën i bashkojnë jo vetëm hallet që kanë në SPAK, por edhe diçka tjetër: sulmi ndaj Lulzim Bashës.
Secili në regjistrin e vet dhe secili i mbështetur tek ai që mund ta quajmë “Pushteti i Thashethemeve” zgjrdhin ta sulmojnë. Njëri përpiqet ta zvogëlojë, ta infantilizojë politikisht, duke e quajtur “Luli im”. Tjetri përpiqet ta paraqesë si njeri të pazareve, “të shitur” apo “të marrë peng”. Dy gjuhë të ndryshme, dy kampe që publikisht pretendojnë se i ndan një humnerë, por që çuditërisht takohen kur objektivi quhet Lulzim Basha.
E gjithë kjo makineri balte kundër Bashës, edhe pse ai prej kohësh nuk është më aktiv në politikë si dikur, në pamje të parë duket e pakuptimtë.
Por ka një arsye. Basha, pavarësisht se Rama e quan “Luli im” dhe Berisha “të shitur” apo “të marrë peng”, i goditi pikërisht aty ku u dhemb më shumë: te sistemi.
Ai i nxori lakuriq përpara shqiptarëve, duke ngritur pikërisht pyetjen që politika shqiptare ka vite që përpiqet ta mbulojë me zhurmë: si është e mundur që ditën Rama dhe Berisha shahen me njëri-tjetrin, përmendin familjarë, hedhin akuza nga më të rëndat dhe ndërtojnë imazhin e dy armiqve të papajtueshëm, ndërsa natën, ndajnë interesat ekonomike, lejet e ndërtimit dhe tendera.
Në skenë, armiq. Prapa perdes, miq dhe pikërisht këtë Rama dhe Berisha nuk ia falin Bashës, sepse për ta kjo përplasje pati edhe kosto personale e politike.
Ai “Luli i vogël” i Ramës, pothuajse pa u ndier, u bë shkak që të tronditeshin disa prej njerëzve të fuqishëm pranë pushtetit, njerëz, interesat e të cilëve, në raste të caktuara, kryqëzoheshin edhe me biznesmenë apo oligarkë pranë kampit të Berishës.
E para ishte beteja për inceneratorët dhe komisioni hetimor, në një kohë kur Arben Ahmetaj ishte ende një prej njerëzve më të fuqishëm të qeverisë dhe një figurë me lidhje të shumta politike edhe pranë opozitës edhe biznesmenë pranë saj.
Por goditja që Rama vështirë se ia fal Bashës është kallëzimi në SPAK ndaj një prej njerëzve më të fuqishëm dhe më besnikë pranë tij: Belinda Ballukut.
Ai kallëzim dhe ajo që pasoi më vonë, politikisht dhe institucionalisht, sipas këtij këndvështrimi, e nxorën Ramën përballë një realiteti shumë më të vështirë sesa përplasja e zakonshme me opozitën.
Balluku nuk ishte thjesht një njeri besnik i Ramës. Si zëvendëskryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo ka drejtuar sektorë ku janë përqendruar ndër vite interesa të mëdha ekonomike, tenderë dhe kompani që janë lidhur jo vetëm me njerëz pranë qeverisë, por edhe me biznesmenë dhe oligarkë pranë Berishës.
Rama dhe Berisha mund të vazhdojnë të luftojnë publikisht, sikur mes tyre të ekzistojë një mur i pakapërcyeshëm. Mund të akuzojnë njëri-tjetrin, të përmendin familjet, pasuritë, korrupsionin dhe pushtetin. Por, kur dikush prek fijet që lidhin politikën me interesat ekonomike, muri fillon të duket shumë më i hollë.
Prandaj, edhe pse Basha ka kohë që nuk shfaqet në media dhe sot nuk ka më rolin politik që kishte dikur, Rama dhe Berisha vazhdojnë ta sulmojnë dhe ta ridikulizojnë.
Njëri përpiqet ta zvogëlojë me “Luli im”. Tjetri ta damkosë si “të shitur” dhe “të marrë peng”.
Por këtu lind pyetja që as Rama dhe as Berisha nuk e shmangin dot: nëse Basha është vërtet kaq i vogël dhe politikisht i parëndësishëm sa përpiqen ta paraqesin, përse vazhdojnë të merren me të?
Ndoshta sepse problemi i tyre me Bashën nuk është Basha i sotëm, por gjurmët e betejave që ai hapi dje.
Politika ka një zakon të çuditshëm: ajo që sot përqeshet si humbje, nesër mund të lexohet krejt ndryshe, kur faktet fillojnë të dalin në sipërfaqe. Kallëzimet, inceneratorët, SPAK-u dhe përplasja me sistemin nuk duhen parë vetëm me syrin e rezultatit elektoral të një dite. Disa beteja politike maten me vota; disa të tjera maten me atë që lënë pas.
Ndoshta këtu qëndron edhe ajo që Rama dhe Berisha nuk mund t’ia heqin Bashës me asnjë epitet: ai zgjodhi të përplasej me një sistem në të cilin interesat e kundërshtarëve të ditës bashkoheshin pasi fikeshin kamerat.
Historia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj për Bashën. Madje mund të jetë herët për ta dhënë.
Por koha është një gjykatës shumë më i ftohtë se propaganda. Ajo nuk pyet kush bërtiti më fort, kush kontrolloi më shumë ekrane apo kush fitoi betejën e radhës. Në fund pyet vetëm: kush kishte të drejtë për atë që paralajmëroi?
Arthur Schopenhauer-it i atribuohet një formulim i famshëm: “Çdo e vërtetë kalon në tri faza: fillimisht përqeshet, më pas kundërshtohet dhunshëm dhe, në fund, pranohet si e vetëkuptueshme.”
Ndoshta beteja e Bashës është mes dy fazave të para. Koha në politikë ka treguar se largimi nga skena nuk është gjithmonë fundi. Ndonjëherë është vetëm heshtja përpara momentit kur faktet fillojnë të flasin më fort se njerëzit.
Nëse nesër fijet që sot duken të shkëputura bashkohen, nëse drejtësia vazhdon të hapë dyer që politika i mbajti të mbyllura dhe nëse shqiptarët shohin më qartë atë sistem që Basha denoncoi, atëherë mund të ndodhë ironia më e madhe për Ramën dhe Berishën:
“Luli i vogël” që njëri e përqeshi dhe “i shituri” që tjetri e mallkoi, mund të rezultojë njeriu që i paralajmëroi të dy për atë që po vinte: përballjen me drejtësinë. Prandaj, pushteti mund ta kontrollojë të tashmen, propaganda mund ta mjegullojë të vërtetën për një kohë, por askush nuk ka kontratë me të ardhmen dhe e ardhmja, zakonisht, vjen pa kërkuar leje.







