HomeOP EDGruri, si vlerë strategjike e sigurisë kombëtare

Gruri, si vlerë strategjike e sigurisë kombëtare

Advertismentspot_img

NGA ALBERT HITOALIAJ

Siguria ushqimore e një shteti nuk përcaktohet vetëm nga aftësia e qytetarëve për të blerë ushqim në kushte normale tregu. Në kuptimin strategjik, ajo përcaktohet edhe nga aftësia e sistemit kombëtar për të vazhduar furnizimin e popullsisë, kur mekanizmat normalë të tregtisë ndërkombëtare ndërpriten ose kufizohen rëndë. Për Shqipërinë, gruri është ndoshta shembulli më domethënës i këtij dallimi. Në kushte normale, mungesa e prodhimit vendas kompensohet nëpërmjet importit. Në një krizë të zgjatur, megjithatë, pyetja nuk është më vetëm sa kushton gruri në tregun ndërkombëtar, por nëse ai mund të blihet, transportohet dhe futet fizikisht në territorin shqiptar. Pikërisht në këtë pikë, varësia ekonomike mund të shndërrohet në dobësi strategjike. Në analizën e mëposhtme gruri do të trajtohet si element strategjik (i sigurisë ushqimore) i lidhur me sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Shifrave të cilave u referohemi janë kryesisht të vitit 2024, nisur edhe nga arsyeja e referimit të tyre, nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, krahas atyre shqiptare.

Të dhënat e vitit 2024 tregojnë përmasën e problemit që diskutojmë (ky problem ekziston prej disa dekadash në Shqipëri). Prodhimi i përgjithshëm shqiptar i gjithë drithërave, arriti në 649 919 tonë (INSTAT, 2025) por vetëm rreth 180,8 mijë tonë përfaqësonin grurë, sipas serisë statistikore të përdorur në analizën tonë (FAOSTAT, 2024). Në të njëjtën kohë, Shqipëria importoi sasi gruri të krahasueshme, madje pak më të mëdha se sa prodhimi vendas. Të dhënat tregtare të UN Comtrade, të publikuara përmes World Bank WITS, tregojnë se vetëm kategoria e grurit të zakonshëm dhe atij të përzier me thekër arriti rreth 194,1 mijë tonë importe në vitin 2024, ndërsa rreth 4,77 mijë tonë të tjerë ishin grurë i fortë i llojit “durum” (UN Comtrade/World Bank WITS, 2025). Kjo e çon importin e kategorive kryesore të grurit pranë 199 mijë tonëve. Në një përllogaritje të thjeshtuar, pa përfshirë rezervat, eksportet, farën, humbjet dhe përdorimet e tjera, importet përfaqësojnë rreth gjysmën e disponibilitetit bruto të krijuar nga prodhimi vendas, plus importi. Varësia bëhet më e rëndësishme kur shqyrtohet origjina gjeografike e furnizimit.

Në vitin 2024, Shqipëria raportoi rreth 117 924 tonë grurë të importuar nga Federata Ruse; 46 038 tonë nga Serbia dhe 29 336 tonë nga Ukraina vetëm në kategorinë e grurit të zakonshëm dhe atij të përzier me thekër (UN Comtrade/World Bank WITS, 2025). Kështu, pjesa dërrmuese e furnizimit të jashtëm vinte nga një hapësirë gjeografike që gjatë viteve të fundit ka qenë e ekspozuar ndaj luftës, tensioneve gjeopolitike, kufizimeve tregtare dhe pasigurive të transportit. Kjo nuk do të thotë, me doemos, se këta furnizues janë në vetvete problematikë; problemi strategjik qëndron në faktin se një produkt bazë i dietës shqiptare varet në masë të konsiderueshme nga funksionimi i pandërprerë i tregtisë së jashtme.

Madje, varësia nuk përfundon thjesht e vetëm te kokrrat e grurit. Shqipëria importoi në vitin 2024 edhe rreth 28 684 tonë miell gruri dhe mielli gruri të përzier me thekër, me vlerë rreth 14,6 milionë dollarë (UN Comtrade/World Bank WITS, 2024). Furnizuesit kryesorë ishin Serbia, Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut. Pra, sistemi shqiptar nuk plotëson nga jashtë vetëm mungesën e lëndës së parë, por importon drejtpërdrejt edhe produktin e përpunuar. Kjo e thellon ekspozimin, sepse në një ndërprerje të përgjithshme të tregtisë do të humbiste njëkohësisht një pjesë e furnizimit me grurë dhe një pjesë e furnizimit me miell.

Për të kuptuar çfarë do të thotë kjo në praktikë, mund të ndërtohet një skenar (një lloj “stress-test” si ato të kontrolleve të mirëfunksionimit të zemrës). Skenari nuk është parashikim dhe as pretendim se një krizë e tillë do të ndodhë. Ai është një eksperiment metodologjik analitik: supozojmë se importet e grurit dhe miellit ndërpriten plotësisht, në një moment kur Shqipëria nuk ndodhet në luftë, ku infrastruktura e saj vazhdon të funksionojë dhe ku prodhimi vendas mbetet fillimisht i paprekur. Për referim ndaj numrit të popullsisë shqiptare, do të përdorim shifrën e INSTAT-it prej 2 335 930 banorësh, të 1 janarit 2026 (INSTAT, 2026). Për të simuluar një regjim emergjence kombëtare ushqimore, po vendosim të llogarisim një racion prej 300 gramësh miell për person, në ditë. Ky nuk është konsum zyrtar shqiptar dhe as rekomandim ushqimor; është një parametër konservativ i modelit tonë.

Me këtë racion, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 700 779 kilogramë, ose afërsisht 701 tonë miell në ditë. Nëse, për qëllimet e modelit tonë, supozojmë se nga një kilogram grurë përftohen mesatarisht 0,75 kilogramë miell, atëherë sistemi i furnizimit kombëtar, do të kërkonte rreth 934 tonë grurë në ditë. Edhe koeficienti 75% është parametër modelues dhe, jo një mesatare zyrtare e industrisë shqiptare të blojës. Për 30 ditë do të duheshin rreth 28 mijë tonë grurë; për 90 ditë rreth 84 mijë; për 180 ditë rreth 168 mijë; ndërsa për 365 ditë rreth 341 mijë tonë grurë.

Nëse do të përdornim të gjithë prodhimin prej rreth 180,8 mijë tonësh vetëm për ushqimin njerëzor, pa lënë asgjë për farë, humbje apo përdorime të tjera, ai do të mjaftonte teorikisht për rreth 194 ditë. Por një skenar i tillë do të ishte tepër optimist. Metodologjia e bilanceve ushqimore të FAOs/ Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara, dallon (nga skenari ynë i thjeshtëzuar) pikërisht nga kryqëzimi i të dhënave, ndërmjet prodhimit total dhe sasive që përfundojnë realisht në dispozicion për konsum njerëzor, duke llogaritur veçmas farën, humbjet, ushqimin për kafshët, përpunimin dhe përdorime të tjera (FAO, Food Balance). Në modelin tonë kemi rezervuar në mënyrë konservative 15% të prodhimit për këto kategori. Kështu, nga 180 812 tonë prodhim bruto mbeten rreth 153 690 tonë të përdorshëm për nevojën që po modelojmë.

Rezultati është vërtet domethënës. Me nevojë prej rreth 934 tonësh grurë në ditë, kjo sasi do të siguronte furnizim për rreth 164 ditë. Në 90 ditët e para sistemi ynë furnizues kombëtar do të kishte ende një diferencë teorike pozitive prej rreth 69 600 tonësh. Por për të arritur në ditën e 180-të do të kërkoheshin afërsisht 168 187 tonë, duke krijuar një deficit prej rreth 14 500 tonësh. Pra, edhe duke supozuar se prodhimi vendas vazhdon normalisht dhe duke vendosur një racion emergjence, prodhimi aktual nuk e përmbush plotësisht nevojën e gjashtë muajve sipas parametrave të modelit të skenarit. Në horizontin njëvjeçar, diferenca bëhet shumë më e madhe. Nevoja e modeluar arrin rreth 341 mijë tonë grurë, ndërsa sasia e përdorshme nga prodhimi vendas mbetet rreth 154 mijë tonë. Deficiti do të ishte rreth 187 mijë tonë. Me fjalë të tjera, prodhimi aktual i grurit do të siguronte afërsisht 45% të nevojës minimale të modeluar për një vit ushqim me miell gruri (kryesisht, bukë), ndërsa rreth 55% do të duhej të sigurohej nga rezerva të krijuara më parë, nga importet ose nga reduktimi i mëtejshëm i konsumit, d.m.th. përgjysmimi i racioneve ditore të bukës për popullsinë. Ky rezultat nuk është një normë zyrtare vetëmjaftueshmërie; është produkt i parametrave të skenarit.

Duhet bërë edhe një sqarim metodologjik: racioni prej 300 g. mielli për person në ditë; rendimenti 75% i konvertimit grurë-miell dhe zbritja prej 15% për farë, humbje dhe përdorime të tjera, janë parametra të skenarit, dhe jo të dhëna zyrtare shqiptare. Për rrjedhojë, rezultatet prej 164 ditësh, 132 ditësh dhe deficitet e përllogaritura duhet të citohen si llogaritje skenari, jo si të dhëna zyrtare mbi rezervat e grurit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, kjo metodë demonstron shkallën e mundshme të problemit. Importi i miellit e bën ekspozimin edhe më të dukshëm. Shqipëria importoi 28 683,8 tonë miell në vitin 2024 (UN Comtrade/World Bank WITS, 2024). Me nevojën kombëtare, të modeluar në skenarin tonë, prej rreth 701 tonësh miell në ditë, kjo sasi është ekuivalente me afërsisht 41 ditë, të racionit kombëtar të krizës. Kështu, sistemi aktual nuk mbështetet vetëm te importi i grurit që bluhet në vend; një pjesë jo e papërfillshme e konsumit plotësohet nga mielli i gatshëm i ardhur nga jashtë. Në një ndërprerje të njëkohshme të të dy flukseve importuese, efekti negativ do të ishte më i shpejtë sesa ai që sugjeron vetëm statistika e prodhimit vendas të grurit.

Megjithatë, ekziston një faktor edhe më i rëndësishëm se sa tonazhi vjetor: momenti kur fillon kriza! Llogaritja prej 164 ditësh përmban në mënyrë të qartë një supozim shumë favorizues: sikur e gjithë sasia vjetore e përdorshme e grurit të ishte e magazinuar dhe e disponueshme në Shqipëri, që ditën e parë të krizës. Në realitet, prodhimi bujqësor është sezonal. Një ndërprerje e importeve, menjëherë pas korrjes, do ta gjente vendin tonë në një pozicion shumë më të favorshëm sesa e njëjta ndërprerje, disa muaj përpara korrjes së ardhshme. Prandaj, siguria ushqimore, nuk duhet matur vetëm në tonë prodhimi në vit, por edhe në tonë fizikisht të disponueshëm në çdo moment të vitit. Ky mund të quhet edhe hendeku sezonal i sigurisë ushqimore; këtë hendek do të mund ta zëvendësonin rezervat strategjike shtetërore. Por materiali ynë evidenton gjithashtu se nuk kemi një seri publike aktuale dhe të verifikueshme të dhënash, që të na lejonte të përcaktonim me siguri sasinë e grurit në rezervat strategjike shtetërore në çdo moment. Pa këtë informacion, prodhimi vjetor nuk mund të barazohet vetëm me rezervën reale të mobilizueshme. Por, a kemi rezerva të tilla ushqimore strategjike? Le t’i lëmë mënjanë ato shifra dhe të kthehemi përsëri te skenari.

A na e zgjidh problemin një racionim prej “nikoqirësh” në kohë krize? Racionimi mund ta zgjasë autonominë, por nuk e eliminon problemin. Nëse racioni ulet nga 300 në 250 gramë miell për person në ditë, prodhimi i përdorshëm i modeluar do të siguronte afërsisht 197 ditë. Nëse racioni ulet në 200 gramë, autonomia do të rritej në rreth 247 ditë. Edhe ky racionim shumë i fortë, pra, nuk do të siguronte një vit autonomi. Materiali ynë bazë demonstron pikërisht këtë marrëdhënie, midis nivelit të racionimit dhe zgjatjes së autonomisë.

Nëse objektivi teorik do të ishte 365 ditë autonomi me racionin prej 300 gramësh miell, do të duheshin rreth 341 mijë tonë grurë të përdorshëm. Duke ruajtur supozimin se 15% e prodhimit shkon për farë, humbje dhe përdorime të tjera, prodhimi bruto i nevojshëm do të arrinte rreth 401 mijë tonë. Kjo është rreth 2,2 herë prodhimi aktual. Alternativa nuk është domosdoshmërish dyfishimi i prodhimit; e njëjta siguri mund të ndërtohet nëpërmjet një kombinimi të prodhimit vendas, rezervave strategjike, diversifikimit të furnizuesve dhe kontratave të garantuara të furnizimit. Por llogaritja tregon madhësinë fizike të kapacitetit që duhet mbuluar.

Problemi bëhet edhe më serioz nëse kriza ndërkombëtare nuk ndërpret vetëm importin e grurit, por prek edhe prurjet e tjera që mundësojnë prodhimin vendas. Një skenar i kombinuar (kufizim i importeve të plehrave kimike, farërave, karburanteve dhe prurjeve të tjera, i shoqëruar, për shembull, me një vit të pafavorshëm klimatik), do të godiste edhe 180 mijë tonët që në skenarin bazë i konsideruam të garantuar. Nëse prodhimi vendas do të binte vetëm 20%, pas zbritjes së 15% për farë, humbje dhe përdorime të tjera do të mbeteshin rreth 123 mijë tonë grurë të përdorshëm. Autonomia do të zbriste nga 164 në vetëm rreth 132 ditë. Kjo tregon se varësia reale nuk është vetëm varësi nga importi i ushqimit; është edhe varësi e prodhimit vendas nga prurjet, importet që vijnë nga jashtë dhe që ndihmojnë prodhimin vendas.

Pikërisht këtu, analiza e grurit kalon nga ekonomia bujqësore te siguria kombëtare. Në kushte normale, importi mund të jetë ekonomikisht më efikas sesa prodhimi vendas dhe tregu mund të kompensojë pa vështirësi mungesën. Por një shtet nuk mund ta ndërtojë analizën strategjike vetëm mbi supozimin se tregu ndërkombëtar do të funksionojë gjithmonë normalisht. Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se Rusia siguronte 117 924 tonë grurë, Serbia rreth 46 mijë dhe Ukraina rreth 29,3 mijë tonë të grurit të zakonshëm dhe atij të përzier me thekër të importuar nga Shqipëria (UN Comtrade/World Bank WITS, 2024). Kjo strukturë nuk përbën vetvetiu kërcënim, por përbën një ekspozim që duhet matur, sepse siguria ushqimore kërkon të dimë se çfarë ndodh kur një ose disa prej këtyre kanaleve bëhen përkohësisht të paarritshme. Për këtë arsye, përfundimi i skenarit, është më i gjerë sesa konstatimi: Shqipëria importon shumë grurë. Me parametrat që kemi vendosur, prodhimi vendas aktual siguron rreth 164 ditë autonomi teorike, ndërsa një goditje prej 20% ndaj prodhimit e ul këtë periudhë në rreth 132 ditë. Për gjashtë muaj shfaqet deficit edhe në skenarin bazë; për një vit diferenca ndërmjet prodhimit vendas dhe nevojës kombëtare bëhet e thellë. Për më tepër, rezultati real varet nga momenti sezonal i krizës dhe nga sasia e rezervave fizike që ndodhen në territor në çastin e ndërprerjes së importeve (dhe skenari ynë llogarit thjesht një mungesë gruri e jo ushqimesh të tjera bazë, në një krizë globale tregtie, ku Shqipëria nuk ndodhet e përfshirë në ndonjë konflikt si palë apo si aleancë).

Por prodhimi vendas i grurit nuk është kusht absolut. Një shtet mund të jetë shumë i sigurt nga ana ushqimore edhe pa prodhuar 100% të grurit që konsumon, – nëse ka furnizues të shumtë, porte dhe transport të qëndrueshëm, kapacitete magazinimi, rezerva tregtare dhe mundësi financiare për të blerë në tregun ndërkombëtar. Mbretëria e Bashkuar është një shembull i mirë. Qeveria britanike e konsideron vendin përgjithësisht të vetëmjaftueshëm në drithëra; raporti i sigurisë ushqimore ka vlerësuar se prodhimi vendas mbulon mbi 90% të konsumit të grurit në disa periudha, edhe pse jo gjithmonë. Lidhur me rezervat strategjike ushqimore Perëndimi ndahet në dy modele: disa vende mbajnë rezerva e disa jo.

Shembulli më i qartë është Zvicra, e cila ka një sistem institucional të rezervave të detyrueshme, të kontrolluara nga një zyrë federale. Rezervat nuk kufizohen te ushqimi i gatshëm. Sistemi i tyre përfshin drithëra për bukë, oriz, sheqer, vajra ushqimorë, ushqim për kafshët dhe madje plehra azotike; kjo gjë për muaj të tërë, sipas artikujve kryesorë. Pra, Zvicra ka bërë institucionalisht pikërisht atë që po ndërtojmë teorikisht në analizën tonë: nuk pyet vetëm “sa grurë prodhojmë?”, por edhe “sa muaj konsum duhet të kemi fizikisht të garantuar?” Britania nuk mban një rezervë kombëtare strategjike ushqimore të tipit zviceran, por kjo nuk do të thotë se Britania nuk ka grurë të magazinuar. Përkundrazi, qeveria publikon rregullisht statistika për stoqet e grurit, elbit dhe tërshërës që mbahen në ferma dhe në sistemin tregtar. Edhe Franca paraqet një model tjetër. Ajo është një eksportues i madh drithërash, prandaj problemi i saj është shumë i ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Por është domethënëse se në maj 2026 në Asamblenë Kombëtare franceze u ngrit pikërisht çështja e mungesës së një strategjie kombëtare për krijimin e rezervave strategjike të drithërave. Diskutimi parlamentar kërkonte që magazinimi strategjik të trajtohej si instrument sovraniteti dhe sigurie kombëtare. Kjo tregon se prodhim i madh kombëtar ndryshon nga rezerva strategjike shtetërore.

Kështu, pyetja strategjike për Shqipërinë nuk duhet të jetë thjesht “sa grurë prodhojmë?”, por “sa ditë mund ta ushqejmë popullsinë nëse furnizimi ndërkombëtar ndërpritet?”. Kjo njësi matëse është më e rëndësishme për sigurinë kombëtare, sesa tonazhi i prodhimit, i marrë dhe i analizuar, i izoluar. Në këtë këndvështrim, gruri (lexo: buka) nuk është thjesht një mall bujqësor. Ai është një kapacitet strategjik. Dhe fakti që Shqipëria, në një kohë krize, sipas modelit tonë, të thjeshtuar, e pa shumë komplikime si skenar, nuk arrin as gjashtë muaj autonomi të plotë, pa pasur importe ose rezerva strategjike shtesë (teksa mbetet shumë larg autonomisë njëvjeçare), e bën grurin një nga pikat që kërkon vëmendje më të madhe në çdo koncept të ardhshëm të sigurisë ushqimore kombëtare. Pas dekadash të tëra, që nuk i kemi kushtuar grurit vendas vëmendjen e duhur si element, dhe duke parë edhe “kërcitjet” që ndihen në sistemin ndërkombëtar gjeopolitik, ka ardhur koha që ta trajtojmë grurin si vlerë strategjike të ekuacionit të sigurisë kombëtare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular