nga Ahmet Prençi
Nuk maten me orë as me kohë disa takime. Maten me kujtime që rikthehen, me emra që ngrohin, me biseda që, sa herë i hap, nuk mbarojnë. I tillë ishte sot ky takim, pas shumë kohësh me disa miq e ish-kolegë të mi të policisë.
Secili prej tyre ka bërë karrierën e vet me dinjitet. Kanë drejtuar drejtori e departamente të rëndësishme, kanë mbajtur mbi supe peshën e detyrës në vite që nuk e kursenin njeriun. Sot janë në prag të pensionit, vetëm njëri prej tyre, Besnik Bakiu, e ka mbyllur tashmë këtë rrugë para disa muajsh. Ishim bashke pra, Besnik Bakiu, Xhevahir Karaj, Gëzim Goxhi dhe unë. Bashkebiseduesit e mi janë emra që për mua nuk janë thjesht kolegë, por copa të çmuara nga koha më e bukur e jetës sime.
Janë rreth pesëmbëdhjetë vjet që unë jam larguar nga radhët e policisë. E megjithatë, sa herë dal para të tjerëve, në takime nëpër shkolla, në auditore apo në studio televizive, dikush ma bën sërish atë pyetjen që, me sa duket, nuk do të vjetrohet kurrë:
– Si ka mundësi që një njeri që ka punuar në polici, shkruan letërsi?
Dhe unë, sa herë, përpiqem t’ua shpjegoj me të njëjtën bindje. Polici, poshtë uniformës, është njeri. Dhe poshtë lëkurës së tij rrahin të njëjtat pasione si te kushdo tjetër, për letërsinë, për muzikën, për pikturën. Këtë nuk e them kot, as për ta zbukuruar bisedën. E them sepse kam njohur shumë oficerë policie që i mbanin gjallë këto pasione, që i ushtronin ato me një përkushtim që asnjë grade nuk mund t’ua zbehte.
Dhe ja, pikërisht në kafen e sotme, mes zhurmës së bisedave dhe avullit të filxhanëve, ne folëm më shumë për letërsinë, për autorët, për filmat, sesa për çdo gjë tjetër. Kafja u zgjat gjatë, sepse bisedat për artin nuk dinë të mbarojnë. Kujtuam shkrimtarë e artistë, ndaluam te vargje që na kishin shoqëruar në rini, te faqe që na kishin mësuar diçka për botën dhe për veten.
Dhe mes nesh u shpalosën foto që i dhanë një bukuri të rrallë atij takimi. Miqtë e mi më treguan çaste të ngrira në kohë: me shkrimtarin Dritëro Agolli, me aktorin Kadri Roshi, me poetët Xhevahir Spahiu e Bardhyl Londo, me shkrimtarin Arjan Leka, me politikanin e shkrimtarin Namik Dokle. Çdo fotografi kishte historinë e vet, dhe bisedat rrodhën natyrshëm drejt momenteve kur ishin bërë ato fotografi të bukura, kush dhe ku ndodheshin, çfarë u tha e çfarë mbeti.
Dua ta theksoj diçka se nuk isha unë ai që e hapi këtë bisedë. Edhe pse e kam zakon, edhe pse më gëzon t’i kthej fjalët drejt librave, këtë herë ishin miqtë e mi ata që folën më shumë për letërsinë. Dhe kjo më gëzoi pa masë. Sepse aty, përballë meje, nuk rrinin vetëm tre ish-drejtues policie. Rrinin tre njerëz me një botë të pasur përbrenda, që uniforma nuk e kishte fshirë kurrë.
Ky është dimensioni tjetër i policit, ai që rrallë rrëfehet. Pas urdhrave dhe raporteve, pas netëve pa gjumë dhe vendimeve të vështira, qëndron një njeri që ndjen, që lexon, që kujton një varg në çastet e qeta. Uniforma nuk i përjashton këta njerëz nga arti dhe letërsia, përkundrazi, u jep më shumë energji për të qenë njerëz e familjarë, përpara se të jenë oficerë policie e drejtues të strukturave të saj.
Unë do të vazhdoj të shkruaj sa të mundem, dhe kryesisht për tema që lidhen me sakrificën e punonjësve të policisë. Sepse ata e meritojnë çdo vlerësim, me punën, me përkushtimin, me sakrificën e tyre të heshtur. Dhe këtë çast nuk mund ta lija pa e fiksuar, pa e shndërruar në fjalë.
Më lejoni një fjalë veçmas për Besnik Bakiun. Ai e mbylli para pak muajsh një rrugë të gjatë e të nderuar në uniformë, duke lënë pas vite pune e drejtimi që do të mbahen mend nga të gjithë ata që punuan pranë tij. Largimi i tij nga detyra nuk është thjesht një pension, është mbyllja me dinjitet e një kapitulli që ai e shkroi me ndershmëri dhe me përkushtim të rrallë. Dhe besoj se pikërisht tani, i çliruar nga pesha e gradës, do të ketë kohën e merituar për librat, për kujtimet, për bisedat e gjata pa orar. Besnik, kjo faqe e re të shkoftë mbarë, e meriton çlodhjen, dhe e meriton çdo fjalë të mirë që thuhet për ty.
Miqve të mi të hershëm, Besnikut, Xhevahirit, Gëzimit, u them thjesht: faleminderit. Për vitet, për besimin, për bisedat që nuk mbaruan. Koha na ka çuar nga rrugë të ndryshme, por sa herë ulemi përballë njëri-tjetrit, kuptoj se diçka nuk ka ndryshuar fare. Ka mbetur e njëjta ngrohtësi, e njëjta gjuhë, i njëjti respekt.
Ndoshta kjo është arsyeja pse shkruaj. Që çaste të tilla të mos zhduken. Që dikush, një ditë, të dijë se poshtë uniformës rrihte gjithmonë një zemër.







