HomeKryesoreProtesta qytetare në ditën e 51-të dhe maxhoranca ende nuk reagon!? Nga...

Protesta qytetare në ditën e 51-të dhe maxhoranca ende nuk reagon!? Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj

Protesta qytetare sot ka hyrë në ditën e saj të 51-të rradhazi. Në çdo demokraci parlamentare, një protestë që zgjat 51 ditë përbën një zhvillim parësor politik dhe shoqëror, që meriton vëmendje institucionale, në rradhe të parë, nga Parlamenti, që mendohet se funksionon si përfaqësues i qytetarëve.

Kuvendi është institucioni ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve. Ai është ndërtuar për debat, përballje argumentesh dhe kontroll ndaj qeverisë. Kur një protestë qytetare vazhdon për 51 ditë radhazi, si është e mundur të rrijë Kuvendi i Shqipërisë i pagojë. Si ka mundësi të mos reagojë ky Kuvend, në përputhje me rolin e tij kushtetues?

Një parlament nuk matet vetëm nga numri i ligjeve që miraton. Ai matet edhe nga aftësia për të trajtuar çështjet që dominojnë interesin dhe debatin publik. Dhe protesta qytetare ka 51 ditë që po e dominon axhendën politike të Shqipërisë. Kur një protestë e zgjatur bëhet pjesë e jetës politike dhe shoqërore të vendit, qytetarët presin që Kuvendi të krijojë hapësirë për diskutim institucional.

I.  Parlamenti nuk është vetëm një makinë votimi!

Kuvendi nuk është një makineri votimi të projektligjeve të sjella nga qeveria! Sipas Kushtetutës, ai ka tre funksione themelore: përfaqësimin e qytetarëve, miratimin e ligjeve dhe kontrollin parlamentar ndaj qeverisë.

Funksioni i tretë është veçanërisht i rëndësishëm, në situata kur ngjarje me ndikim publik zgjasin në kohë. Në këto raste, deputetët kanë në dispozicion instrumente si pyetjet parlamentare, interpelancat, seancat dëgjimore dhe debatet parlamentare për të kërkuar sqarime ose për të diskutuar çështjet e ngritura në opinionin publik.

Shumica parlamentare, për shkak se mbështet qeverinë dhe ka numrat për të përcaktuar axhendën e Kuvendit, mban një përgjegjësi të veçantë, për të garantuar që institucioni i Parlamentit të mos perceptohet si i mbyllur ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Dhe protesta qytetare 51 ditore është shqetësimi më i fuqishëm i kohës së sotme

Nëse ky Kuvendi i pagojë nga kjo maxhorancë e papërgjegjshme, nuk zhvillon debat mbi një protestë të zgjatur, qytetarët kanë plotësisht të drejtë ta konsiderojnë këtë institucion kushtetues,jo vetëm si noter të rëndomtë të qeverisë, por edhe si mos-përmbushës i funksionit të tretë themelor të tij, si kontrollues dhe llogarikërkues i qeverisë.

Mungesa e debatit mbi protestën sot provon se Kuvendi ka dështuar në detyrat e tij, duke mos e ushtruar, me vetëdije të plotë, funksioni e tij si përfaqësues i shqetësimeve të qytetarëve.

Në demokracitë parlamentare, diskutimi i çështjeve me interes të gjerë publik është një element i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies.

Në një situatë të tillë, një Kuvend i përgjegjshëm duhet urgjent të zhvillojë debat parlamentar mbi çështjet e ngritura nga protesta, të kërkojë raportim nga kryeministri për temat që lidhen me protestën, të organizojë seanca dëgjimore me ekspertë ose përfaqësues të grupeve të interesit, sipas rregullave parlamentare, si dhe të nxisë dialog politik për të ulur tensionet dhe për të rritur transparencën.

II. Detyra e sotme madhore e një deputeti

Një nga karakteristikat e demokracisë përfaqësuese është që çështjet me interes të gjerë publik të mos mbeten vetëm në rrugë, por të diskutohen edhe në institucionet e zgjedhura.

Një Kuvend “i pagojë” përballë një proteste qytetare e vë sot çdo deputet të maxhorancës përballë një zgjedhjeje madhore. Mandati i deputetit nuk kufizohet vetëm në ngritjen e kartonit për të votuar projektligje. Ai është përfaqësues i interesit publik dhe ka detyrimin të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve, edhe kur ato shprehen në rrugë, përmes protestave paqësore, dhe të shprehet në Kuvend për protestën.

Protesta nuk duhet parë si armik i institucioneve të Shtetit, sikurse po e shohin deputetët e maxhorancës. Në demokracitë europiane, protestat konsiderohen pjesë normale e jetës demokratike. Ato shpesh shërbejnë si një mekanizëm për të sinjalizuar pakënaqësi që nuk janë adresuar nga institucionet. Për këtë arsye, përgjigjja institucionale nuk është heshtja dhe injorimi, por dëgjimi i kërkesave, zhvillimi i debatit parlamentar, thirrja e seancave dëgjimore, kur është e nevojshme dhe ushtrimi i kontrollit mbi veprimtarinë e qeverisë, në lidhje me shqetësimet e protestuesve.

Deputetët kanë instrumente parlamentare për të adresuar shqetësimet publike, si pyetje parlamentare drejtuar ministrave, interpelanca, ngritja e komisioneve hetimore parlamentare, sipas procedurave ligjore, kërkesa për debate parlamentare dhe organizimi i dëgjesave me grupet e interesit dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

III. Protesta dhe këmbanat për institucionet e Drejtësisë së Re

Kur një protestë qytetare arrin ditën e saj të 51-të radhazi, ajo pushon së qeni vetëm një ngjarje e rrugës dhe kthehet në një provë për të gjitha institucionet e shtetit: qeverinë, Kuvendin, policinë dhe, në mënyrë të veçantë, institucionet e Drejtësisë së re”.

Reforma në drejtësi u ndërtua mbi një premtim të madh: pavarësi nga politika, barazi para ligjit dhe rikthim të besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës. Pikërisht në momente tensioni shoqëror, matet nëse Drejtësia e Re po e përmbush këtë mision.

Në letren e tij të djeshme, drejtuar institucioneve të Drejtësisë së Re, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Fatos Lubonja thekson se “Zonja dhe Zotërinj të Drejtësisë, sikurse mund t’i keni dëgjuar, kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij.

Ato bien edhe për ju. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie për të cilën flet Agostini që në shekullin e IV e që në Kushtetutën tonë formulohet në trajtën: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?”

Protesta qytetare është sot test për shtetin e së drejtës, që Drejtësia e Re thotë se do e mbrojë. Një protestë e zgjatur nuk është vetëm një akt politik; ajo është edhe një ushtrim i të drejtave kushtetuese.

Reforma në drejtësi krijoi institucione me kompetenca të posaçme, të cilat u paraqitën si garancia kryesore kundër pandëshkueshmërisë. Për shumë qytetarë, pritshmëria është që këto institucione të tregojnë se janë të pavarura, jo vetëm kur hetojnë figura të opozitës, por edhe kur përballen me pushtetin e radhës.

Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht protesta qytetare duhet të prodhojë çështje penale. Kjo nënkupton se institucionet e Drejtësisë së Re duhet të jenë të gatshme të veprojnë, kur ka indicie të bazuara për shkelje të ligjit, të theksuara dhe nga rastet e denoncuara nga protesta.

Nëse qytetarët, protestues ose jo, krijojnë përshtypjen se mekanizmat e kontrollit dhe hetimit të Drejtësisë së Re nuk funksionojnë, mosbesimi qytetar thellohet.

Rreziku më i madh për institucionet e reja të Drejtësisë sot është të perceptohen si spektatore pasive të krizave publike. Drejtësia e Re nuk do të gjykohet nga sloganet që shoqëruan reformën në drejtësi, por nga mënyra se si sillet në raste konkrete. Protesta në ditën e 51-të është një nga ato raste.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular