Nga Ahmet Prençi
Libri Ç’kemi nga Shqipëria babi i përket llojit të librave që të mbajnë mbërthyer deri sa e pëerfundon së lexuari. E nis së lexuari si kureshtar dhe e mbyll si një dëshmitar, dëshmitar i një bisede që nuk ndalet me faqen e fundit, sepse ajo bisedë, ajo pyetja e vogël e një djali drejtuar të atit, ngrihet mbi kohën dhe vazhdon të kumbojë edhe kur libri është mbyllur mbi tryezë.
Titulli vetë është një dritare e hapur. Në atë fjalën “babi” ka butësi, ka largësi dhe ka mall. Ka një det midis dy brigjeve dhe një zë fëmije që e kalon detin me një pyetje. Autori e vendos dialogun me të birin si prolog dhe si epilog, si dy shtylla që mbajnë një urë të gjatë. Midis tyre kalon gjithçka: kultura, kujtesa, atdheu, dyshimi dhe shpresa. Dhe ura që përshkon mbetet e pambaruar me qëllim, sepse bisedat e vërteta midis brezave nuk mbyllen kurrë, ato vetëm i dorëzohen atij që vjen pas.
Kur e mendoj autorin, nuk mund ta ndaj librin nga njeriu që e ka shkruar atë. E njoh profesor Luanin qysh në vitet ’90, kur ai vinte i sapodiplomuar nga Selaniku, i ri, simpatik, me një mendësi që na dukej si erë e pastër nëpër dritaret e mbyllura të kohës që jetonim. Për ne, studentët e atyre viteve të trazuara, ai ishte profesori model që ndriçonte një rrugë që ne e kishim parë vetëm në ëndërr. Prandaj, kur i lexoj faqet, dëgjoj zërin e tij: të matur, të ngrohtë, të bindur se bukuria dhe dija janë punë serioze. Nuk janë stoli.
Libri lind nga një plagë. Autori merr një detyrë në Ministrinë e Kulturës si Sekretarë i Përgjithshëm, me atë entuziazëm që i takon vetëm njerëzve që e duan me të vërtetë atë që bëjnë, dhe pikërisht ky pasion i kthehet atij në bumerang. Shkarkohet. Gjykata i jep të drejtë, ai e fiton betejën e tij, por nga kjo histori mësojmë diçka të hidhur e të vyer njëkohësisht. Humbësi i vërtetë nuk qe një person, as një zyrë, por institucioni, kultura shqiptare që mbeti pa një zë të ndershëm. E megjithatë, dhe këtu është hijeshia e fatit, nga kjo goditje lindi dhe ky libër. Nga një derë e mbyllur, u hap një faqe. Ndaj them se jo çdo e keqe sjell vetëm të këqija. Është rasti kur ajo na dhuron një libër që meriton të lexohet nga kushdo që ka mundësi ta ketë në duar. Atë periudhe autori pra, kishte ardhur në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij, të ndryshonte atë që dashuronte më shumë, atdheun e tij, siç e thot vetë në mbylljen brilante të librit.
Ky nuk është një libër hakmarrjeje. Është një manual filozofik për institucionet e kulturës, një varg esesh të shkruara me përgjegjshmëri, me kulturë dhe me shpirt. Autori peshon fjalët si një argjendar që peshon me miligram metalin e çmuar. Ai pyet: ç’është kultura dhe ç’është civilizimi, ku puqen ato dhe ku ndahen? Ç’vend zë kultura në politikën shqiptare, dhe pse aq shpesh ne e trajtojmë si zbukurim e jo si themel? Si qëndron kultura jonë kombëtare përballë kulturës europiane, tani që Shqipëria kërkon të hyjë në shtëpinë e madhe të Europës pa e lënë të veten jashtë derës?
Ai nuk jep përgjigje të gatshme si recetë. Ai ngre pyetje, analizon, të fut në mendime, të shoqëron nëpër udhë të vështira dhe pastaj të lë të lirë të zgjedhësh, me gjuhën e filozofëve dhe me mençurinë e përvojave më të mira që mbart autori. Ndër faqet më të bukura janë ato ku flet për librin, për leximin dhe për të shkruarit, brenga të matura mirë, ku na sjell historikun e rrugëtimit tonë të mundimshëm drejt shkrimit shqip, atij shkrimi që na kushtoi shekuj dhe që sot, aq lehtë, rrezikojmë ta harrojmë.
Në zemër të librit rri tradita jonë kulturore kombëtare, festat, këngët, vallet e të gjitha trevave, si një hartë e gjallë e shpirtit shqiptar. Dhe brenda tyre, një mësim që paria politike e vendit duhet ta lexojë me përulësi. Autori shtjellon me finesë raportin midis kulturës shqiptare dhe dallgëve të globalizimit, sheh te vitaliteti i saj jo një mburojë të padepërtueshme, por një trup të gjallë që di të thithë, të tresë e të mbetet vetvetja. Merr në analizë dramaturgjinë shqiptare, ndikimin e demokracisë e të tranzicionit mbi kulturën, përplasjet e qytetërimeve botërore, dhe kurrkund nuk e humb qetësinë e mendimtarit që beson se arsyeja është më e fortë se zhurma.
Ka faqe që të prekin thellë, kur autori analizon qëndrimin e shqiptarëve në luftën italo-greke dhe rolin unik të këngës polifonike shqiptare në atë kohë historike, kupton se te ne kënga nuk është kurrë vetëm harmoni tingujsh, është dëshmi, është kujtesë, është një popull që flet me shumë zëra njëherësh dhe prapë mbetet një. Ajo polifoni, ku secili zë mban të tjerët e asnjë nuk e mbyt tjetrin, është ndoshta metafora më e bukur e vetë librit. Shumë mendime në harmoni të vetme.
Por aty ku faqet marrin dritë të veçantë është kur rrëfehet roli i profesor Luanit në epokën e re të marrëdhënieve kulturore Shqipëri – Greqi. I lexon si të ishin skena të një filmi që të gëzon: këngëtari i famshëm Savopullos që refuzon të këndojë para një publiku që përkrahte genocidin Serb, mesazhet për reciprocitetin dhe vëllazërinë e vendeve ballkanike, pushtetarë të matur që ndihmuan aktivitete të përbashkëta, vizita e Kadaresë në Greqi, vizita e presidentit Mejdani, takimi me ministrin Venizellos. Ngjarje që thyen akullin dhe hapën një terren mbi të cilin ende sot ecet. Dhe në qendër të tyre, me shpirt e me zemër, një njeri që besonte se dy popuj mund të njihen e të respektohen kur dikush ka guximin të ndërtojë ura në vend të mureve.
Sot profesor Luani drejton komunitetin shqiptar në Selanik, dhe kur flet me të, fjala i shkon vetëm te aktivitetet që bën midis dy vendeve, te nevoja për t’u njohur e për t’u respektuar, për ta parë tjetrin jo si të huaj por si fqinj. Ura që përshkroi dikur në këtë libër, ai vazhdon ta ndërtojë me duart e veta sot e çdo ditë.
Më vjen keq ta them, dhe kjo është ndoshta lëvdata më e madhe që mund t’i bëj një libri, që një vepër e shkruar rreth njëzet vjet më parë mbetet kaq aktuale edhe në ditët e sotme. Problematikat që ngre, keqfunksionimi i burokracisë së institucioneve tona kulturore përballë traditës, librit, folklorit e trashëgimisë, mungesa e politikave strategjike që duhet t’i injektohen zhvillimit të kulturës sonë të pasur të, gjitha rrinë ende para nesh, si detyra të palexuara ende. Një libër që nuk vjetrohet dhe është njëherësh edhe dhuratë dhe qortim.
E mbyll leximin me një dëshirë të thjeshtë: që shënimet e autorit që i lexoj herë pas here nëpër media, studimet e përkthimet e tij, të mblidhen një ditë në një botim tjetër si ky. Sepse zëra si i tij, të matur, të kulturuar, të dashuruar pas asaj që duan, nuk duhen lënë të shpërndahen. Ata duhen ruajtur, ashtu si ruhet një këngë e vjetër që ende di t’i thotë diçka të vërtetë kohës sonë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja e vërtetë e librit. Djali pyet: Ç’kemi nga Shqipëria, babi? Dhe i ati, në vend të një përgjigjeje të shkurtër, i lë një libër të tërë, një atdhe të rrëfyer me dashuri, me plagë e me shpresë. Është përgjigjja më e ndershme që mund t’i japë një baba të birit. Jo një Shqipëri të zbukuruar, por një Shqipëri të dashuruar. Dhe kush e lexon, e kupton se ura midis dy brigjeve, midis dy brezave, midis asaj që jemi dhe asaj që mund të bëhemi, ndërtohet gjithnjë me të njëjtin material, me kulturë, me kujtesë dhe me shpirt.







