Zall-Dardha do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të kësaj vere, Festivalin Mbarëkombëtar “O mirë se na erdhe”, një aktivitet që synon të ruajë, promovojë dhe përcjellë vlerat më të mira të folklorit dhe traditës shqiptare.
Përgjatë dy ditëve, më 1 dhe 2 gusht, natyra e mrekullueshme e Zall-Dardhës do të mbushet me tingujt e muzikës popullore, vallet tradicionale dhe atmosferën e veçantë që krijojnë ansamblet folklorike nga mbarë trojet shqiptare.
Festivali do të nisë çdo ditë në orën 09:00 dhe do të vazhdojë deri në orët e pasdites, duke sjellë një program të pasur artistik dhe kulturor.
Dita e parë do të sjellë në skenën e festivalit, në konkurrim, Ansamblin “Shebeniku”, Ansamblin “Përparim Tomçini”, grupin “Visaret e Krrabës” dhe Ansamblin Benda, ndërsa për publikun do të performojë edhe Ansambli “Kuvendi”.
Dita e dytë do të vazhdojë me konkurrimin e Ansamblit “Liria”, Ansamblit “Kçira”, Ansamblit “Mati” dhe Ansamblit “Mirdita”.
Atmosferën festive do ta pasurojnë edhe artistë të njohur të skenës shqiptare, mes tyre Arif Vladi (Mjeshtër i Madh), Agim Picaku, Dritan Jashari, Vera Laci, Ingrit Jushi, Edmond Përnezha, si edhe shumë këngëtarë të njohur nga Dibra dhe mbarë Shqipëria.
Festivali “O mirë se na erdhe” është një ftesë për të gjithë dibranët, shqiptarët dhe miqtë e kulturës popullore që të bëhen pjesë e kësaj feste, ku tradita, mikpritja dhe identiteti shqiptar marrin jetë në një nga zonat më të bukura të Dibrës.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët, brenda dhe jashtë vendit, të marrin pjesë në këtë aktivitet të veçantë dhe të kontribuojnë në promovimin e tij duke e shpërndarë ftesën tek familjarët dhe miqtë.
Mirë se vini në Zall-Dardhë, aty ku tradita shqiptare vazhdon të jetojë!







