Tetë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë kanë regjistruar fitime marramendëse gjatë tremujorit prill-qershor, duke përfituar nga rritja e çmimeve të energjisë pas tensioneve të forta gjeopolitike.
Sipas një analize të publikuar nga “The Guardian”, kompanitë Saudi Aramco, Shell, BP, ExxonMobil, Chevron, TotalEnergies, Equinor dhe Eni kanë realizuar së bashku afro 93 miliardë dollarë fitime në vetëm tre muaj, që përkthehet në më shumë se 700 mijë dollarë fitim çdo minutë.
Rritja e çmimeve të naftës u ndikua ndjeshëm nga përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, duke sjellë përfitime të mëdha për kompanitë energjetike, ndërsa konsumatorët në shumë vende u përballën me kosto më të larta të energjisë.
Fitimin më të madh e raportoi gjiganti saudit Saudi Aramco, me mbi 33 miliardë dollarë, ndërsa BP regjistroi rezultatin më të lartë që nga viti 2022, me 5.73 miliardë dollarë. Edhe kompanitë Shell, Chevron dhe ExxonMobil shënuan rritje të ndjeshme të të ardhurave.
Vlera totale në treg e këtyre tetë kompanive është rritur me rreth 600 miliardë dollarë, duke kaluar nivelin e 3 trilionë dollarëve.
Organizatat mjedisore kanë kritikuar industrinë e naftës, duke e akuzuar se po përfiton nga krizat globale, ndërsa miliona njerëz përballen me pasoja nga rritja e kostove të energjisë dhe fenomenet ekstreme klimatike.
Aktivistët kërkojnë taksa shtesë mbi fitimet e jashtëzakonshme të kompanive të naftës, me qëllim financimin e energjive të rinovueshme dhe përballimin e dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.







