nga Bujar Leskaj
Parti dinamike dhe meritokraci ecin gjithmonë në të njëjtën rrugë. Meritokracia në një parti dinamike nuk duhet të jetë slogan, dhe nuk duhet të të ngelet koncept teorik, por duhet të jetë ndjesi e përditshme në jetën e asaj partie. Nëse njerëzit besojnë se karriera varet kryesisht nga afërsia me një drejtues, nga një grup apo nga një rreth i caktuar, atëherë partia fillon të prodhojë besnikëri personale për pakicën dhe pesimizëm, hatërmbetje për pjesën më të madhe. Partia shndërrohet në një parti statike.
Një parti dinamike prodhon kushtet që intelektualët, të angazhuarit, të rinjtë, të besojnë se puna, aftësia, integriteti dhe rezultati kanë peshë, aty ka meritokraci.
Dallimi i meritokracisë në një parti dinamike është themelore: Një parti që kërkon të ripërtërihet duhet të krijojë një rregull të pashkruar, por të dukshëm për të gjithë: nëse punon, nëse je i aftë, nëse krijon besim dhe nëse prodhon rezultat, duhet të kesh një shans real për të ecur përpara dhe se karriera politike duhet të ndërtohet, jo të dhurohet as nga grupime e qarqe të veçanta, as nga besnikëri personale, por vetëm nga puna dhe kontributi real.
Një nga mënyrat më të mira për të rikthyer besimin te meritokracia është krijimi i një rruge normale të zhvillimit politik. Nuk është e nevojshme që çdo njeri të kalojë mekanikisht nga një shkallë në tjetrën, por duhet të ekzistojë ndjesia dhe bindja se, ka një rrugë normale karriere.
Një anëtar mund të bëhet kryetar seksioni apo grupseksioni. Një kryetar grupseksioni mund të zgjidhet në një rol drejtues brenda degës lokale. Një drejtues lokal mund të provohet në një rol më të madh në qendër, si anëtar i Këshillit Kombëtar, Kryesisë apo Drejtues Politik. Një profesionist mund të kontribuojë në pika të veçanta të programit elektoral të partisë. Një intelektual, artist, sportist i shquar, që ka dhënë rezultat në një fushë të caktuar, mund të kandidojë për një përgjegjësi publike nën siglën e Partisë Demokratike, sepse PD përpiqet të jetë parti dinamike. Pas çdo aksioni të suksesshëm duhet të ketë edhe një ngritje në karrierën politike. Kjo është një nga mënyrat më të drejta për të ndërtuar një parti dinamike ku baza është meritokracia, ku kontributi, sakrifica dhe rezultatet shpërblehen me përgjegjësi dhe besim.
Në një parti dinamike karriera politike duhet të ndërtohet, të meritohet dhe jo të dhurohet.
Sepse kur njerëzit punojnë për vite dhe shohin se vendimet më të rëndësishme merren pa asnjë lidhje me kontributin e tyre, humbin motivimin. Fillimisht heshtin, më pas largohen, dhe në fund, edhe ata që mbeten fillojnë të punojnë vetëm sa për formë. Kjo është një nga mënyrat se si një parti bëhet statike, kur thyhet besimi, dhe besimi thyhet kur mungon meritokracia.
Çdo promovim i gabuar në Partinë Demokratike, vendosja e figurave jo të duhura apo e njerëzve artificialë, të cilët pompohen nga qarqe të caktuara, shkakton, në gjykimin tim, largimin e dhjetëra të tjerëve që e meritojnë. Në një parti të mirëfilltë dinamike dorëheqja e individëve me integritet, të cilët në shumë raste nuk dëgjohen dhe nuk përfillen në pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre, nuk duhet të ndodhë. Partia dinamike krijon dhe ka hapësirë për këdo.
Një parti dinamike nuk duhet të gabojë në zgjedhjen e kandidatëve të saj, jo vetëm kur vjen fjala te kandidatët për deputetë, por edhe te kandidatët për ekipet drejtuese: Kryesi, sekretariate, Këshill Kombëtar etj. Një parti dinamike shmang kandidaturat e pastudiuara mirë dhe krijon mundësira konkurimi për aktivistët e spikatur.
Për sa u përket kandidatëve, nuk duhet të promovohen individë të cilët nuk janë përfshirë në fushata elektorale, duke u shmangur atyre. Krahas njerëzve të rinj, figurave të reja, ekspertëve dhe profesionistëve, për të cilët një parti dinamike ka gjithmonë nevojë, në kushtet e kandidaturave duhet t’u jepet përparësi njerëzve të aksionit, që njohin bazën dhe atyre që kanë qenë jo vetëm të përfshirë, por edhe të suksesshëm në fushata elektorale.
Karriera në një parti dinamike duhet të ndërtohet mbi bazën e meritokracisë. Dhe meritokracia fitohet përmes aksionit: përmes marrjes së iniciativave në momente të caktuara, kandidimit në primare, kandidimit në lista të hapura apo të mbyllura dhe kontributeve reale.
Nuk janë postimet në facebook apo deklaratat (ndonjëherë butaforike) në podiumin e selisë ato që të legjitimojnë postin që një drejtues ka, apo sa afër është me zyrën e kryetarit. Karriera fitohet përmes aksioneve të mirëfillta, denoncimeve reale me peshë, sepse në thelb dinamizimi nënkupton aksionin.
Karriera në një parti dinamike ndërtohet mbi bazën e aksioneve. Dhe aksioni politik, në radhë të parë, nënkupton njerëzit që arrin të afrojë, të bindë dhe të mobilizojë. Pikërisht kjo është, në thelb, dinamika e një partie. Përkushtimi ndaj kauzës venitet kur udhëheqja e partisë përkrah e promovon individë që u bëjnë fresk.
Në këtë kontekst vazhdimisht pyes veten: Nga gjithë ata mbështetës që ishin me qindra në “Rrugën e Shpresës”, çdo ditë për afro 1 vit, mes të cilëve kishte të rinj, profesionistë, njerëz me integritet dhe individë të angazhuar politikisht, nuk spikati askush për t’u provuar në një post drejtues brenda Partisë Demokratike?
Nga të gjitha denoncimet që kanë bërë personalitete (jo deputetë) brenda Partisë Demokratike, apo gazetarë afër PD-së, a nuk duhej të vlerësoheshin me poste të larta në parti pas Kuvendeit?! Nëse po, kjo do të ishte eficente për ripërtëritjen.
Partia Demokratike, ndryshe nga një parti dinamike, duket se vuan nga memoria. Sot, në poste drejtuese në Partinë Demokratike janë edhe individë të cilët i kanë bërë bisht kandidimit në listat e hapura në zgjedhjet e vitit 2025, sepse nuk ishin pjesë e listave të mbyllura, dhe ndoshta, janë lumturuar nga humbja e zgjedhjeve.
Partia dinamike kërkon përkushtim pa kushte.
Partia Demokratike duhet t’u rikthehet sondazheve (të brendshme). Sondazhet dhe matje reale të ndikimit janë mekanizma që e ndihmon një parti të kuptojë nëse zgjedhjet e saj, qoftë për individë të caktuar në poste të caktuara, qoftë për mënyrën e organizimit, janë të suksesshme, pëlqehen nga njerëzit dhe mbi të gjitha, janë të pranuara prej tyre.
Reputacioni i antarëve të ekipit udhëheqës të partisë duhet të verifikohet në qytetin e lindjes, në Tiranë, apo në segmente të caktuara të shoqërisë.
Një pikë tjetër, që lidhet pikërisht me organizimin e një partie dinamike, është edhe zgjedhja e ekipit drejtues. Në gjykimin tim, Kryesia e Partisë nuk duhet të ketë asnjë individ të pavotuar, sepse kështu prishen raportet. Vendimi për futjen automatikisht të individëve që kanë poste të tjera parlamentare në Kryesinë e Partisë është i gabuar (të pavotuarit në numër ua kalojnë të votuarve në përbërjen e Kyesisë). Të gjithë duhet të kalonin përmes votës. Të qenurit pjesë e një kolegji kaq të rëndësishëm sic është Kryesia e Partisë meritohet vetëm nëse votohesh, dhe jo nga emërimet.
Një parti dinamike nuk ka nevojë për ekipe drejtuesish të fryra në numra. Një parti dinamike duhet t’u shmanget trupave drejtuese të ngarkuara me individë mix, të votuar dhe të pavotuar. Ekipet duhet të jenë eficente, të vogla dhe të gjithë anëtarët e tyre duhet ta meritojnë duke u votuar.
Anëtarët e zgjedhur në Kryesinë e PDSh-së kaluan nga një garë dinjitoze dhe të fortë, ku çdo kandidat (të gjithë kandidatët ishin dinjitozë) u votua dhe çdo fitues doli përmes votës. Ky standard duhet të përmbushej në të gjitha hallkat e partisë, gjë e cila nuk ndodhi në rastin e zgjedhjes së shumicës së sekretariateve.
Në zgjedhjen e sekretariateve u bënë disa gabime. Sipas mendimit itm, mbi 30% e konkurrimeve/ kandidatëve ishin fiktive, ishin individë që për fat të keq nga shumica nuk njiheshin, fakt që duhet të na shqetësojë. Nga ana tjetër nuk jepet një shembull i mirë kur nuk ka standarde të njëjta: disa kandidatë e dinin prej javësh se do të garonin, ndërsa pjesa tjetër e gjente veten kandidat ditën e votimit, apo akoma më keq ishin vendosur thjesht si kandidatura plotësuese
Proceset zgjedhore brenda strukturave duhet të jenë të orientuara drejt një gare të drejtë dhe mundësive të barabarta të konkurrencës. Duhet të heqim dorë nga vendosja e kandidaturave fiktive apo nga metodat favorizuese. Për t’i dhënë përparësi një kandidati, nuk mund t’i vendosim përballë kandidatë që nuk njihen, nuk janë promovuar sa duhet apo, akoma më keq, kandidatë që e marrin vesh se kandidojnë vetëm në momentin e votimit.
Garat dinjitoze për ekipin drejtues të PD-së ishin kandidimi i dy figurave me integritet të lartë në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi dhe Luciano Boci. Gara të forta dhe serioze ishin edhe gara për sekretarin organizativ, (Klevis Balliu) për pushtetin vendor (Ylli Asllani) apo për dixhitalizimin (Etion Kapedani) etj.
Garat dinjitoze në sekretariatet që përmenda vërtetohen edhe nga fakti se drejtuesit e zgjedhur në këto sekretariate janë përfshirë në punë pa reshtur asnjë ditë. Rasti i sekretarit për pushtetin vendor, është domethënës. Ai vazhdon me ritëm të lartë shkrimet, analizat, deklaratat, shpalosjen e alternativës së PD në lidhje me reformën administrativo-territoriale, me profesionalizmin. Po kështu, sekretari organizativ shumë aktiv, sekretari për dixhitalizmin, avokatja e palodhur për denoncimin e korrupsionit, znj. Adriana Kalaja, etj. Mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar do të ketë si kryetemë çështjen e dixhitalizimin, një projekt shumë i rëndësishëm për një parti dinamike.
Meritokracia në një parti dinamike nënkupton evidentimin e individëve që spikasin, që dallojnë nga të tjerët përmes punës reale brenda partisë. Dhe kjo është një nga vlerat bazë që duhet të ketë Partia Demokratike.
Meritokracia do të thotë gjithashtu të zbatosh parimet e rithemelimit dhe të flasësh për to. Sot, me sa duket, në Partinë Demokratike këto parime janë harruar. Nuk është aspak turp të flasësh për parimet e rithemelimit; përkundrazi, Riperteritja e Partisë Demokratike do të jetë e suksesshme vetëm atëherë kur t’u rikthehet parimeve të Rithemelimit (Rikthimin te parimet e rithemelimit do ta trajtoj më gjerësisht në një shkrim të veçantë).
Partia Demokratike duhet të rikthehet te standardi që tw gjithw drejtuesit të promovohen nga puna, integriteti dhe kontributi real. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një parti dinamike, konkurruese dhe fitimtare.
Ripërtëritja e Partisë Demokratike nuk mund të bëhet vetëm duke futur disa emra të rinj në kryesi apo në lista kandidatësh. Një parti dinamike duhet të japi garanci për kontributin e gjithësecilit, për ecurinë e çdokujt, për njohjen e çdo kontributori, duhet të di të vlerësojë dhe të masi me metrin e meritokracisë hapin e çdo individi brenda asaj partie.
Që Partia Demokratike të bëhet realisht një parti dinamike, kërkohet një reformim radikal përmes ripërtëritjes, dhe ky reformim duhet të bëhet me njerëz që kanë vizionin, formatin dhe aftësitë politike, vendosmërinë dhe, mbi të gjitha, përkushtimin ndaj kauzës. Me këto kritere, në PD aktualisht jemi “shumë hollë”, siç i thonë në Dibër.
Promovimi i të rinjve apo i figurave me vese, apo devijanca nuk i duhen Partisë Demokratike dhe nuk i shërbejnë vizionit të një partie dinamike. Përkundrazi, promovime të tilla e dëmtojnë rëndë imazhin, besueshmërinë dhe integritetin e një partie dinamike. Brenda Partisë Demokratike, tek vendimarrësit pranë kryetarit, me sa duket kjo ende nuk po arrihet të kuptohet.
Një anëtar duhet të dijë se puna e tij ka vlerë. Një profesionist duhet të dijë se kompetenca e tij mund të njihet. Një drejtues lokal duhet të dijë se rezultatet e tij kanë vlerë. Një i ri duhet të kuptojë se për të ecur përpara nuk duhet domosdoshmërisht të jetë “njeriu i dikujt”.
Një anëtar duhet të dijë se puna e tij ka vlerë. Një profesionist duhet të dijë se kompetenca e tij mund të njihet. Një drejtues lokal duhet të dijë se rezultatet e tij kanë peshë. Një i ri duhet të kuptojë se, për të ecur përpara, nuk duhet domosdoshmërisht të jetë “njeriu i dikujt”.
Pikërisht këtu nis meritokracia dhe fryma e një partie dinamike, te garancia se kontributi, angazhimi dhe rezultatet njihen dhe vlerësohen. Kjo forcon besimin te strukturat dhe te i gjithë organizimi i saj drejtues.
V.O. 1
Më poshtë po përcjellë mesazhin/vlerësimin që më dërgoi, S.SH, një pedagog e shkencëtar i ri në fushën e kimisë për pjesën e parë të shkrimit: “Parti statike apo Parti dinamike”:
“Sinqerisht, më pëlqeu SHUMË. Përtej analizës politike, teksti ka super cilësi, thellësi dhe një filozofi të qartë mbi atë që e mban gjallë një parti politike në kohë.
Dallimi që bën mes partisë statike dhe asaj dinamike është ndoshta një nga formulimet më të qarta që kam lexuar kohët e fundit për gjendjen e politikës sonë: “partia statike përpiqet të ruajë atë që ka; partia dinamike përpiqet të kuptojë atë që po vjen.”
Më pëlqeu sidomos fakti që ripërtëritjen nuk e paraqet si mohim të historisë, identitetit apo bindjeve të një partie, por si aftësinë për t’u dhënë atyre vazhdimësi duke kuptuar shoqërinë që ndryshon. Në këtë kuptim, historia duhet të jetë rrënjë dhe jo spirancë .
Më kujtoi edhe një mendim të Edmund Burke-ut, pikërisht të një konservatori, se një shtet që nuk ka mjetet për të ndryshuar, nuk ka as mjetet për të ruajtur veten. E njëjta logjikë vlen edhe për një parti politike: ripërtëritja nuk është braktisje e identitetit; në momente të caktuara është pikërisht kushti për ruajtjen e tij.
Historikisht, partitë e mëdha që kanë ditur të rikthehen kanë kaluar pikërisht përmes kësaj dileme: të ndryshojnë organizimin, mënyrën e të menduarit dhe marrëdhënien me shoqërinë, pa humbur atë që i ka përcaktuar si identitet. Prandaj më duket shumë e rëndësishme ideja jote se dinamizmi nuk është thjesht ndryshim njerëzish apo gjeneratash, por aftësi për të dëgjuar, për të analizuar veten dhe për të krijuar hapësirë për meritë, përgjegjësi dhe ide të reja.
Pjesa për përgjegjësinë pas zgjedhjeve dhe mungesën e një analize të mirëfilltë, përfshirë analizën SWOT, është ndoshta aty ku teksti bëhet edhe më i fortë, sepse prek një të vërtetë të pakëndshme: një organizatë nuk mund të kërkojë vazhdimisht përgjegjësi nga kundërshtari dhe, njëkohësisht, të shmangë analizën dhe përgjegjësinë brenda vetes.
Po aq e rëndësishme më duket ajo që shkruan për bazën. Në fund, një parti nuk bëhet dinamike vetëm duke ndryshuar në qendër. Ajo bëhet dinamike kur arrin të krijojë një qarkullim real: shoqëria flet me strukturën, struktura me partinë dhe partia e kthen këtë në politikë, alternativë dhe zgjidhje . Kur kjo lidhje humbet, rreziku është pikërisht ai që e përshkruan ti shumë bukur: që një ditë partia të përfundojë duke folur vetëm me veten.
Dhe ndoshta pyetja më e rëndësishme që lë pas shkrimi yt është kjo: jo nëse një parti dëshiron të ndryshojë, por nëse është e gatshme të ndryshojë edhe atë që është më e vështirë të ndryshohet mënyrën se si dëgjon, si vlerëson meritën dhe si mban përgjegjësi.
Pres me shumë interes pjesën e dytë, sidomos atë për meritokracinë, sepse aty besoj se fillon edhe prova e vërtetë e dallimit mes një partie që flet për ripërtëritjen dhe një partie që e kthen ripërtëritjen në praktikë”.
V.O.2
Pjesa e tretë do jetë: “Ripërtëritja dhe parimet e rithemelimit”.







