HomeKryesoreKuvendi ka detyrimin kushtetues ta ngrejë komisionin hetimor ndaj SHISH! Nga Bujar...

Kuvendi ka detyrimin kushtetues ta ngrejë komisionin hetimor ndaj SHISH! Nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

Nga Bujar Leskaj
Skandali me çështjen Vlora Hyseni dhe cënimin e sigurisë kombëtare nuk ka pse dhe nuk duhet të reduktohet me batutat për shuarjen e radarëve të Shtetit në rrjetet sociale dhe në emisionet televizive! 

Kuvendi ka detyrimin e thellë të ushtrojë kontrollin e tij parlamentar, për të kuptuar në thellësi, përmes informacionit që Kushtetuta e autorizon përmes një komisioni të posaçëm parlamentar që të zotërojë, nëse ka pasur cenim të mekanizmave të sigurisë kombëtare dhe dobësi të theksuar në funksionimin e Shërbimit Informativ Shtetëror(SHISH).

Sigurisht, një komision hetimor parlamentar nuk mund dhe nuk ka pse të zëvendësojë SPAK-un, gjykatat apo hetimin penal. Mirëpo, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të hetojë përgjegjësinë politike dhe institucionale në megaskandalin Vlora Hyseni, mënyrën se si kanë funksionuar mekanizmat e kontrollit dhe nëse SHISH, apo institucionet e tjera shtetërore, në rradhë të parë, institucioni i kryeministrit, kanë zbatuar detyrimet e tyre ligjore.

1. Pse çështja e SHISH-it është çështje e sigurisë kombëtare?

Shërbimi Informativ i Shtetit është pjesë themeltare e arkitekturës së sigurisë kombëtare, pasi ai mbledh, analizon dhe përcjell informacion që mund të lidhet me kërcënime ndaj Shtetit, institucioneve demokratike, rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit.

Për këtë arsye, çdo dyshim serioz për dobësi në drejtimin, kontrollin, ruajtjen e informacionit apo përdorimin e kompetencave të një institucioni të tillë duhet të shqyrtohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të plotë.

Hetimi penal ka një objekt të përcaktuar: të zbulojë nëse janë kryer vepra penale, nga kush dhe në çfarë rrethanash. Në asnjë rrethanë ai nuk mund të zëvendësojë hetimin parlamentar, i cili ka një tjetër funksion themelor për interesat e Shtetit.

Komisioni hetues parlamentar do të kërkojë përgjigje për pyetje të tilla: Si funksionuan mekanizmat e kontrollit në rastin Vlora Hyseni?, A kishte sinjale paralajmëruese?, A u raportuan ato?, A u morën masa? A funksionuan strukturat e kontrollit të brendshëm? A kishte dobësi në procedurat e klasifikimit dhe mbrojtjes së informacionit dhe sa kishin depërtuar dhe ndikuar përfaqësues të krimit të organizuar në vendim-marrjen e SHISH?

Këto janë pyetje që nuk kanë se si dhe nuk mund të reduktohen vetëm në përgjegjësinë penale të një personi, qofte kjo dhe ish-drejtuesja e SHISH.

Kuvendi nuk është vetëm organi që miraton ligje. Ai ka edhe një funksion themelor të kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin dhe institucionet shtetërore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Ky kontroll është veçanërisht i rëndësishëm për institucionet e sigurisë, sepse natyra e tyre e mbyllur dhe niveli i lartë i sekretit shtetëror krijojnë rrezikun që kontrolli publik i zakonshëm të jetë i pamjaftueshëm. Dhe pikërisht për këtë arsye ekziston kontrolli parlamentar i specializuar.

II. Pse një komision hetimor është i domosdoshëm?

Mega-skandali Vlora Hyseni, jo vetëm që ka tronditur opinionin publik dhe besimin e partnerëve tanë strategjikë, por edhe ka ngritur dyshime serioze dhe të bazuara për funksionimin e SHISH. Komisioni hetimor parlamentar do të shërbejë për të përcaktuar çfarë ndodhi, si ndodhi dhe pse mekanizmat e kontrollit nuk e parandaluan apo zbuluan në kohë problemin madhor.

Përmes komisionit hetimor, Kuvendi  ka detyrimin kushtetues të shqyrtojë mekanizmat e kontrollit të brendshëm të SHISH, procedurat e sigurisë dhe të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, procedurat e emërimit dhe të kontrollit të drejtuesve, mënyrën e raportimit tek institucionet përgjegjëse, zbatimin e rregullave për konfliktin e interesit dhe sigurinë, si dhe nëse ka pasur sinjale paralajmëruese dhe si janë trajtuar ato. Komisioni parlamentar përcakton edhe nëse duhen ndryshime ligjore apo organizative për SHISH-in.

Komisioni hetimor parlamentar duhet dhe do të punojë paralelisht me drejtësinë, pa cenuar hetimin penal, provat e klasifikuara apo procesin gjyqësor. Kuvendi ka përgjegjësi politike, institucionale dhe ligjvënëse që ta ngrejë këtë komision, sikurse e ka kërkuar dhe përcaktuar opozita e Partisë Demokratike.

Përgjegjësia jonë, e Ne, deputetëve, është akoma dhe më e madhe, kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare. Shurdhëria dhe pagojësia e kolegëve deputetë të shumicës në lidhje me mega-skandalin Vora Hyseni dhe cenimin e sigurisë kombëtare është, për fat të keq, një papërgjegjësi madhor, kur në stekë është detyrimi kushtetues për të garantuar që institucionet e sigurisë të funksionojnë sipas ligjit dhe nën kontroll demokratik.

Kjo, pasi, nëse deputetët e Kuvendit marrin informacion për një problem serioz, si mega-skandali Vlora Hyseni dhe nuk e shqyrtojnë, atëherë vetë mekanizmi demokratik i kontrollit humbet plotësisht efektivitetin e tij.

III. Çfarë na mëson rasti Günter Guillaume në Gjermaninë Perëndimore:

Një nga shembujt më domethënës ndërkombëtarë për reagimin ndaj një skandali që cenon sigurinë kombëtare është “Çështja Guillaume” në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1974. Günter Guillaume ishte një nga bashkëpunëtorët e afërt të kancelarit të atëhershëm të RFGJ-së, Willy Brandt. Më vonë u zbulua se ai ishte agjent i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, Stasi.

Rasti shkaktoi një krizë të rëndë politike dhe institucionale dhe kontribuoi në dorëheqjen e Willy Brandt nga posti i kancelarit në maj 1974.

Ky rast është jashtëzakonisht domethënës, pasi dëshmon se si dobësitë në sistemin e sigurisë dhe të verifikimit mund të arrijnë deri në nivelet më të larta të shtetit. Klasa politike e Gjermanisë Perëndimore reagoi me përgjegjësi dhe kancelari Willy Brandt u detyrua të jepte dorëheqjen

Mësimi i parë nga ky rast është se sa herë cenohet seriozisht siguria kombëtare, institucionet kryesore të Shtetit duhet të reagojnë me vendosmëri dhe përgjegjësi, si dhe kërkimi i llogarisë publike duhet të shkojë deri në dorëheqjen e personit më të lartë përgjegjës.

Së dyti, sistemet moderne të sigurisë duhet të kenë kontrolle të shumëfishta, verifikim të vazhdueshëm dhe mekanizma që zbulojnë sinjalet e rrezikut. Rasti Guillaume dëshmoi për një parim të rëndësishëm të shtetit demokratik: institucionet e sigurisë nuk mund të bazohen vetëm te besimi personal. Në demokraci, siguria duhet të ndërtohet mbi procedura, kontrolle, verifikime dhe përgjegjësi institucionale. Kjo vlen edhe për Shqipërinë tonë.

Nuk mjafton që drejtuesit e institucioneve të sigurisë të kenë besimin politik të qeverisë. Duhet të ekzistojnë mekanizma të pavarur dhe profesionalë që garantojnë integritetin e sistemit.

Mësimi i tretë kyç është se kontrolli parlamentar është pjesë e sigurisë kombëtare. Përvoja ndërkombëtare ka treguar në mënyrë të vazhdueshme dhe bindëse se kontrolli parlamentar nuk është pengesë për inteligjencën. Përkundrazi, kontrolli demokratik e rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e shërbimeve të inteligjencës.

Një shërbim informativ që kontrollohet në mënyrë profesionale nga institucione demokratike është më i besueshëm për qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Mësimi i katërt që marrim nga “Çështja Guillaume” ka të bëjë me faktin se problemet e inteligjencës mund të kenë pasoja politike shumë më të mëdha. Rasti Guillaume nuk ishte thjesht një histori spiunazhi. Ai u shndërrua në një krizë të madhe politike dhe institucionale për Gjermaninë Perëndimore.

Kjo duhet të jetë një leksion i çmuar për ne: problemet e sigurisë kombëtare nuk mund të trajtohen si probleme të brendshme të një institucioni! Nëse dobësitë janë reale, ato mund të ndikojnë te qeveria, parlamenti, partnerët ndërkombëtarë dhe besimi i publikut. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shkëmben informacion sensitiv me partnerët e saj. Besimi në sistemin kombëtar të inteligjencës është, për rrjedhojë, edhe një çështje e sigurisë kombëtare dhe kolektive të vendit.

xxx

Çështja e SHISH dhe e ish-drejtueses së tij, Vlora Hyseni duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi institucional, jo me logjikë partiake. Ngritja e një komisioni hetimor parlamentar paraqitet zgjidhja e vetme, për të zbardhur përgjegjësitë institucionale dhe për të propozuar reforma.

Kuvendi nuk duhet të hetojë për të zëvendësuar drejtësinë. Duhet të hetojë për të përmbushur detyrën e vet të kontrollit demokratik.

Një shtet demokratik nuk forcohet duke fshehur problemet e institucioneve të sigurisë. Forcohet duke i identifikuar, hetuar, korrigjuar dhe parandaluar që të përsëriten.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular