Ervin Demo është pasuesi i Besfort Lamallarit në krye të Ministrisë së Brendshme, pas largimit të këtij të fundit nga kryeministri Edi Rama.
Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo ushtron prej shtatorit 2025 detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Të dyja këto dikastere sipas kryeministrit Rama do të bashkohen në një ministri te vetme.
Ne karrierën e tij politike, Ervin Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit (2019–2025).
Sipas CV te publikuar ne faqen e Kryeministrisë evindentohet se gjatë 2017–2018, Ervin Demo ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë. Që prej vitit 2004, ai është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Demo ka kryer studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.







