Tërmet në përfaqësuesen e Kosovës. Amir Rrahmani ka njoftuar largimin nga Kombëtarja pas një dekade kontribut, shtatë prej të cilave si kapiten dhe lider i mbrojtjes së skuadrës dardane.
Vendimi i mbrojtësit nuk vjen në heshtje. Përkundrazi, Rrahmani ka zgjedhur të bëjë publike arsyet e largimit, duke adresuar akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës. Në reagimin e tij, kapiteni bën të qartë se nuk do ta veshë më fanellën e Kosovës për sa kohë institucioni drejtohet nga personat aktualë.
Rrahmani kritikon mënyrën se si është menaxhuar Federata dhe pretendon se problemet e vazhdueshme të përfaqësueses nuk janë zgjidhur për shkak të mungesës së kompetencës nga drejtuesit. Por akuza më e fortë lidhet me atë që mbrojtësi e konsideron si sulm të vazhdueshëm nga brenda institucionit.
“Çfarë mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin”, shkruan Rrahmani. Një deklaratë që tregon qartë përmasat e përplasjes mes kapitenit të Kosovës dhe drejtuesve të Federatës.







