Nga Bujar Leskaj
Kërkesa për masën e arrestit, e nxjerrë sot nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Vlora Hysenit, drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) përbën një megaskandal me peshë të errët dhe të rëndë për shtetin shqiptar. Rasti prek njëkohësisht qeverinë, strukturat e sigurisë kombëtare, si dhe raportin ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësisë së qeverisë së vendit.
Kjo kërkesë ndaj një drejtuesi të Shërbimit Informativ Shtetëror është një ngjarje jashtëzakonisht serioze për çdo shtet. Kur personi që drejton institucionin më të rëndësishëm të inteligjencës së vendit përballet me një procedim penal, ngjarja nuk mund të shihet vetëm si një çështje individuale. Ajo krijon një tronditje, një tërmet institucional dhe ngre pyetje të forta mbi mënyrën se si janë bërë emërimet, si është ushtruar kontrolli institucional dhe si është garantuar integriteti i strukturave të sigurisë kombëtare.
Ky megaskandal implikon direkt kryeministrin Rama. Ndryshe nga një hetim i zakonshëm ndaj një zyrtari të administratës, një procedim ndaj drejtueses së SHISH-it ka një dimension të shumëfishtë. SHISH është institucion i sigurisë kombëtare dhe informacioni që përpunon lidhet me sigurinë e vendit, kundërspiunazhin, kërcënimet ndaj institucioneve dhe interesave kombëtare, si dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë.
Kërkesa për masën e arrestit për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror përbën një turp kombëtar dhe Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen, për faktin se ku e ka katandisur me emërimet e tij sigurinë kombëtare! Ky arrestim ngre shqetësime serioze mbi besueshmërinë, sigurinë e informacionit, zinxhirin institucional të përgjegjësisë dhe reputacionin e shtetit shqiptar. Ai nuk duhet dhe nuk mund të kalojë në heshtje.
Kërkesa për masën e arrestit ndaj Vlora Hysenit ka krijuar një problem të rëndë edhe për imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të konsolidojë më tej integrimin e saj europian. Partneritetet në fushën e sigurisë mbështeten në besimin reciprok, profesionalizmin e institucioneve dhe në mbrojtjen e informacionit sensitiv. Në këtë kontekst, një krizë që prek drejtimin e institucionit shqiptar të inteligjencës ka potencial të dëmtojë reputacionin institucional të vendit.
Kjo kërkesë e SPAK përbën një nga ato ngjarje që testojnë seriozisht cilësinë e shtetit. Në Evropë raste të tilla të arrestimit apo kërkesës për arrest të kreut të institucionit të sigurisë kombëtare nuk gjen në 80-100 vitet e fundit! Edhe në rregjimet diktatoriale dhe të korruptuara të Afrikës apo Amerikës së Jugut, rastet janë shumë të rralla, gati unikale.
Kryeministri autokrat i vendit tonë përballet sot me një pyetje politike që nuk e shmang dot, edhe pse pas kërkesës për arrest nxitoi ta shkarkonte Hysenin: si u bë e mundur që një person i zgjedhur për të drejtuar një prej institucioneve më sensitive të shtetit shqiptar të përfshihet në një situatë të tillë?
Kjo kërkesë për arrest, ky turp i Shtetit shqiptar, kjo njollë e rëndë mbi qeverisjen e sektit në pushtet, e ngre gishtin denoncues ndaj përgjegjësisë madhore politike për standardin e emërimeve dhe të funksionimit të institucioneve tek ti Rama! Dhe kërkon vetëm një zgjidhje: dorëheqjen tënde, largimin një orë e më parë nga përgjegjësitë e drejtimit të këtij vendi, që ti i shkatërrove, i përçudnove dhe i njollose!







