Kristiano Ronaldo ka braktisur grumbullimin e përfaqësueses së Portugalisë, pas një përplasje me trajnerin Zhorge Zhezus i cili e kishte lënë në stol në ndeshjen e kaluar.
Ronaldo nuk mori pjesë në stërvitje për ditën e tretë radhazi dhe u largua nga stadiumi ku pjesa tjetër e skuadrës po përgatitej për ndeshjen ndaj Danimarkës.
Pak minua më përpara Zhorge Zhezus kishte thënë në konferencë se vendimet e tij nuk ndikoheshin nga asnjë lojtar, as nga Ronaldo. Duket se vendimi për ta mbajtur në stol edhe për ndeshjen e nesërme, ka shtyrë Ronaldon që të marrë vendimin drastik.
Nëpërmjet rrjeteve sociale ai ka konfirmuar largimin, ndërsa ka premtuar se do të tregonte në momentin e duhur edhe arsyet që e shtynë për të bërë këtë veprim.
“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të kombëtares dhe pas një bisede me Presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, vendosa të largohem nga grumbullimi i kombëtares.
Në kohën e duhur, do t’u tregoj portugezëve të vërtetën rreth arsyeve të largimit tim nga kombëtarja, të cilës i jam përkushtuar gjithmonë.
Tani është koha për t’i uruar fat Portugalisë dhe të gjithë shokëve të mi të skuadrës, pa përjashtim”, ishte mesazhi i CR7 në rrjetet sociale.







