HomeAktualitetPanik për Luis Enriquen, vajza e trajnerit të PSG-së përfshihet në një...

Panik për Luis Enriquen, vajza e trajnerit të PSG-së përfshihet në një aksident me vdekje në Spanjë

Advertismentspot_img

Një aksident tragjik rrugor në Spanjë ka përfunduar me vdekjen e një motoçiklisti 20-vjeçar, pasi motori i tij u përplas me një automjet ku ndodheshin Sira Martinez, vajza e trajnerit të Paris Saint-Germain, Luis Enrique, dhe një kalorëse britanike 41-vjeçare, e përshkruar nga mediat si një sportiste e njohur olimpike.

Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje, në rrugën N-332, pranë Olivës, rreth një orë në jug të Valencias. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të urgjencës, 20-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ndërkohë, Martinez dhe gruaja britanike nuk pësuan lëndime.

Sipas raportimeve të mediave lokale, në timonin e automjetit ndodhej kalorësja britanike, identiteti i së cilës nuk është bërë publik. Ajo iu nënshtrua testeve për përdorimin e alkoolit dhe drogës, të cilat, sipas raportimeve, rezultuan negative.

Guardia Civil ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e aksidentit. Dyshohet se përplasja mund të ketë ndodhur si pasojë e një manovre të paligjshme në rrugë.

Sipas medias lokale “Todo Alicante”, 41-vjeçarja është vënë nën hetim për dyshimin e shkaktimit të vdekjes nga pakujdesia. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi.

Sira Martinez, 26 vjeçe, është vajza e trajnerit të njohur spanjoll Luis Enrique, i cili drejton Paris Saint-Germain dhe më herët ka qenë në krye të Barcelonës dhe kombëtares së Spanjës.

Ajo është modele spanjolle dhe merret profesionalisht me sportin e kërcimit me kuaj. Martinez ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes së mediave rozë për lidhjen e saj të mëparshme me futbollistin spanjoll Ferran Torres, ish-lojtar i Barcelonës dhe aktualisht pjesë e Paris Saint-Germain, sipas raportimit të medias britanike.

Familja e Luis Enriques është përballur edhe më parë me një tragjedi të rëndë. Vajza e tij e vogël, Xana, ndërroi jetë në gusht të vitit 2019, në moshën nëntëvjeçare, pas një beteje me një formë të rrallë të kancerit të kockave.

Hetimet për aksidentin e fundit në Spanjë vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë dhe shkaqet që çuan në vdekjen e motoçiklistit të ri.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular