Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët në Shqipëri do të përballen me detyrime të reja financiare për ambalazhet që vendosin në treg, ndërsa konsumatorët do të paguajnë një depozitë të rimbursueshme për shishet plastike dhe kanaçet e pijeve. Ndryshimet parashikohen në një projektvendim të qeverisë, i cili vendos gjithashtu ndalimin e qeseve plastike nën 70 mikronë dhe shitjen e detyrueshme me pagesë të qeseve më të trasha.
Projektvendimi i Ministrisë së Mjedisit “Për ambalazhet, mbetjet e ambalazheve, qeset plastike të lehta dhe qeset plastike oxo-degraduese, etiketimin dhe gjurmueshmërinë” parashikon një sistem të ri financimi për grumbullimin, transportin dhe riciklimin e mbetjeve të ambalazheve. Nëpërmjet skemës së përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, bizneset do të detyrohen të financojnë menaxhimin e mbetjeve që krijohen nga produktet e ambalazhuara që vendosin në treg.
Në relacionin që shoqëron projektvendimin, Ministria e Mjedisit thekson se “Projektvendimi krijon detyrime financiare të drejtpërdrejta për prodhuesit, importuesit, paketuesit dhe distributorët e ambalazheve, si dhe për subjektet e shitjes me pakicë”.
Sipas dokumentit, këto subjekte do të financojnë ose do të marrin pjesë në organizatat e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit dhe në sistemin e depozitë-rimbursimit, pa mbështetje financiare nga buxheti publik.
Detyrimet përfshijnë pagesën e tarifave të ambalazhit për funksionimin e organizatave të licencuara mjedisore, blerjen e koshave të grumbullimit të diferencuar, transportin e mbetjeve dhe investimet në sistemet e deklarimit dhe gjurmueshmërisë. Bizneset do të mbulojnë edhe kostot e makinerive automatike për kthimin e ambalazheve, tarifat e menaxhimit për dyqanet që marrin pjesë në sistem dhe rimbursimin e bashkive për shpenzimet përkatëse të menaxhimit të mbetjeve.
Kontributet financiare do të diferencohen sipas karakteristikave të ambalazheve, përfshirë shkallën e riciklueshmërisë dhe përmbajtjen e materialit të ricikluar. Projektvendimi nuk përcakton ende një vlerë konkrete të tarifës për kilogram ose për njësi ambalazhi.
Një tjetër ndryshim prek drejtpërdrejt konsumatorët. Për shishet plastike njëpërdorimëshe dhe ambalazhet metalike të pijeve deri në tre litra parashikohet vendosja e një depozite monetare gjatë blerjes, e cila do të kthehet plotësisht pasi konsumatori të dorëzojë ambalazhin bosh në një pikë të autorizuar.
“Për ambalazhet e pijeve njëpërdorimshe ngrihet Sistemi i Depozitë-Rimbursimit, ku konsumatori paguan një tarifë depozite në blerje e cila i rimbursohet atij plotësisht pas kthimit të ambalazhit bosh në pikat e autorizuara të shitjes”, përcakton neni 7 i projektvendimit.
Vlera e depozitës nuk është përcaktuar ende. Sistemi synon që deri më 1 janar 2031 të grumbullohet veçmas të paktën 90% e ambalazheve të përfshira në këtë skemë. Konsumatorët do të kenë të drejtë ta marrin depozitën pa qenë të detyruar të kryejnë një blerje tjetër.
Ndryshime parashikohen edhe për qeset plastike. Projektvendimi ndalon prodhimin, importimin, shpërndarjen dhe përdorimin në pikat e shitjes të qeseve mbajtëse plastike me trashësi nën 70 mikronë, duke ruajtur përjashtimet për qeset shumë të lehta që përdoren për qëllime higjienike ose për ushqime të shitura pa ambalazh.
Qeset me trashësi 70 mikronë ose më shumë do të lejohen vetëm nëse përmbushin kërkesat teknike dhe të ripërdorimit, por nuk do të mund të jepen falas.
“Qeset mbajtëse plastike të përcaktuara në pikën 3 nuk u ofrohen konsumatorëve pa pagesë. Çmimi i tyre paraqitet veçmas dhe në mënyrë të dukshme në pikën e shitjes dhe, kur është teknikisht e mundur, evidentohet veçmas në dokumentin fiskal”, përcakton neni 4.
Projektvendimi nuk cakton një çmim minimal apo maksimal për këto qese, por detyron tregtarët t’i shesin kundrejt pagesës. Bizneset duhet të ndërpresin tregtimin dhe të tërheqin stokun e qeseve të ndaluara deri më 30 qershor 2028.
Sipas relacionit, zbatimi i kërkesave të reja mund të kërkojë investime fillestare nga operatorët ekonomikë për përshtatjen e prodhimit, logjistikës dhe sistemeve të raportimit. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit deklaron se reforma nuk parashikon efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Projektvendimi parashikon zbatimin e përgjithshëm të rregullave të reja nga 1 korriku 2028, me afate të mëvonshme për disa detyrime specifike. Dokumenti është ende në fazën e projektit dhe vlerat përfundimtare të tarifave të ambalazheve dhe depozitave për konsumatorët mbeten për t’u përcaktuar.







