HomeKronikeShpërthimi tragjik me gjashtë të vdekur në Athinë, tre autorët pranojnë vjedhjet...

Shpërthimi tragjik me gjashtë të vdekur në Athinë, tre autorët pranojnë vjedhjet e tubave të gazit: Ndjemë erën, por… Letra e familjarëve të viktimave

Advertismentspot_img

Tre të akuzuarit, përkatësisht 55, 37 dhe 34 vjeç, mes të cilëve edhe një shqiptar, të cilët dolën sot para hetuesit për të dhënë shpjegimet e tyre lidhur me shpërthimin tragjik në një ndërtesë në zonën e Plakës, në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona, janë lënë në burg me vendim të autoriteteve të drejtësisë.

Sipas informacioneve, tre të dyshuarit kanë pranuar se disa orë para tragjedisë shkuan në Plakë dhe hynë me forcë në ndërtesë, me qëllim vjedhjen e tubave prej bakri të instalimit të gazit natyror. Megjithatë, ata kanë pretenduar se nuk mund ta parashikonin përfundimin fatal të veprimeve të tyre.

Gjatë dëshmive, të akuzuarit janë përpjekur të distancohen nga përgjegjësia për shkaktimin e rrjedhjes së gazit. Njëri prej tyre ia ka atribuar tjetrit prerjen e tubit. Nga ana tjetër, ata kanë pranuar se pas heqjes së tubit ishte ndjerë erë gazi, një element me rëndësi të veçantë për rindërtimin e ngjarjeve që i paraprinë shpërthimit, sipas hetimeve të Shërbimit Zjarrfikës.

“Jam i shkatërruar, nuk kam faj për shpërthimin”, është shprehur më i moshuari prej tyre. Edhe i dyti ka kërkuar falje, ndërsa i treti ka refuzuar të bëjë çfarëdo deklarate gjatë mbërritjes së tyre.

Avokatët e caktuar nga gjykata për mbrojtjen e të akuzuarve kanë shprehur fillimisht ngushëllimet për familjet e viktimave, duke theksuar besimin e tyre se drejtësia do të bëjë punën e saj.

“Mohojnë lidhjen me shpërthimin”, ishte i vetmi koment që avokatët bënë lidhur me thelbin e çështjes. Ata theksuan se bëhet fjalë për një ngjarje që ka tronditur gjithë Greqinë, por edhe vetë ata, ndaj nuk dëshirojnë të bëjnë deklarata të tjera.

Tre të akuzuarit u morën në pyetje me praninë e avokatëve mbrojtës të caktuar nga hetuesi. Ata përballen me një akuzë të rëndë, sipas së cilës përpjekja e tyre për të çmontuar një tub bakri të instalimit të gazit natyror shkaktoi një rrjedhje të madhe gazi. Disa orë më vonë, një shkëndijë nga çelësi elektrik shkaktoi shpërthimin, i cili rrafshoi ndërtesën.

Si pasojë, nën rrënoja humbën jetën dy çifte të rinjsh, shqiptaro-amerikanë, mes tyre edhe një grua shtatzënë, si dhe një çift në moshë më të madhe, një shtetase greke dhe bashkëshorti i saj britanik, të cilët jetonin në një apartament të ndërtesës neoklasike.

Nga ana tjetër, avokatët e familjeve të viktimave amerikane e kanë cilësuar vendimin për lënien në burg të tre të akuzuarve si një “zhvillim të rëndësishëm në rrugën drejt drejtësisë”. Në një deklaratë të përbashkët, ata kanë kërkuar gjithashtu zgjerimin e hetimeve, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te veprimet e tre personave të akuzuar.

“Familjet tona mbeten të tronditura dhe të shkatërruara nga humbja tragjike e fëmijëve tanë të dashur, Ian, Florida, Florin dhe Eris, si dhe e vogëlushes Bora, e cila nuk arriti të lindte.

Jetët tona ndryshuan përgjithmonë atë ditë. Humbëm njerëzit tanë të dashur, ëndrrat e tyre dhe të ardhmen që do të ndanim së bashku me ta. Është një humbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë dhe një dhimbje që do të na shoqërojë për pjesën tjetër të jetës.

Vendimi i sotëm për lënien në burg të tre të akuzuarve përbën një zhvillim të rëndësishëm në rrugën drejt drejtësisë. Megjithatë, për familjet tona, kërkimi i drejtësisë nuk përfundon këtu.

Ne presim zbardhjen e plotë të çështjes, zbulimin e të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e çdo përgjegjësie për tragjedinë që u mori jetën njerëzve tanë të dashur.

Hetimi nuk mund dhe nuk duhet të kufizohet vetëm te veprimet e tre të akuzuarve. E konsiderojmë po aq të rëndësishme që të shqyrtohen në thellësi të gjitha rrethanat që lejuan që një rrjedhje gazi natyror të shndërrohej në një shpërthim kaq shkatërrues.

Kërkojmë që të hetohen instalimet dhe infrastruktura e gazit natyror, mjaftueshmëria e masave të parashikuara të sigurisë, kontrollet, mirëmbajtja, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të rregullave përkatëse.

Duam të mësojmë jo vetëm se si u shkaktua rrjedhja e gazit, por edhe përse tragjedia nuk u parandalua. Nëse ka pasur neglizhencë, mangësi apo shkelje të rregullave të sigurisë, kërkojmë që ato të zbulohen dhe të hetohen përgjegjësitë e të gjithë atyre që mund të kenë kontribuar në këtë rezultat tragjik.

Shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Zjarrit dhe punonjësit e saj për kontributin vendimtar, për ekipet e shpëtimit që punuan pa u lodhur në kërkim të të mbijetuarve, për Shërbimin Zjarrfikës për reagimin e menjëhershëm, si dhe për autoritetet hetimore dhe gjyqësore për përpjekjet e deritanishme për zbardhjen e plotë të të gjitha aspekteve të kësaj tragjedie.

Falënderojmë gjithashtu Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë ata që na qëndruan pranë, duke na ofruar ndihmë konkrete dhe mbështetje në këto momente jashtëzakonisht të vështira.

E dimë se asnjë vendim gjykate dhe asnjë dënim nuk mund të na kthejë njerëzit që humbëm. Megjithatë, ajo që mund të bëjmë në kujtim të tyre është të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë, deri në marrjen e përgjigjeve për të gjitha pyetjet.

Nuk duam që tragjedia e fëmijëve tanë të jetë thjesht një tjetër lajm tragjik që do të harrohet me kalimin e kohës. Duam që humbja e tyre të shërbejë si një shkak për ndryshime thelbësore, në mënyrë që asnjë familje tjetër të mos përjetojë kurrë një dhimbje të tillë.

Për Ian, Floridën, Florinin, Erisin dhe vogëlushen Bora, do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe drejtësinë”.

Kujtojmë se tre të akuzuarit, dy shtetas grekë dhe një shqiptar, u lanë në paraburgim me vendim të përbashkët të hetuesit dhe prokurorit. Ata akuzohen për veprat e rënda penale të zjarrvënies, shpërthimit dhe vrasjes me dashje eventuale në bashkëpunim, si dhe për veprën penale më të lehtë të shkaktimit të dëmtimeve të rënda trupore në rrethana të përsëritura. Sipas akuzës, këto vepra janë kryer në bashkëpunim.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular