Nga një kontroll rutinë në ish-Bllok te përplasja me efektivët në komisariat: kush është 30-vjeçari nga Thumana që u kap me pistoletë në brez dhe çfarë zbulon e kaluara e tij me drejtësinë
Petrit Shima është 30-vjeçari nga Thumana, i cili përfundoi në prangat e policisë pas një operacioni në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku u zbulua se mbante një armë zjarri pa leje.
I riu u pikas nga uniformat blu teksa udhëtonte me taksi. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën një pistoletë të fshehur në brez, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Por arrestimi nuk ishte i vetmi episod që shënoi shoqërimin e tij në polici. Sipas informacioneve paraprake, Shima ka një histori të mëparshme me drejtësinë, pasi është arrestuar tri herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe dy herë për plagosje.
Në të njëjtën ngjarje u arrestua edhe 25-vjeçari Redion Hymeri, shoku i tij, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Situata është tensionuar më tej pas shoqërimit në komisariat. Të dy të rinjtë, të dyshuar se ishin nën efektin e alkoolit, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë veprimeve procedurale. Ata kanë dëmtuar gjithashtu ambientet e dhomës së shoqërimit në Komisariatin nr. 2.
Ndërkohë, arma e zjarrit që Shima mbante pa leje është sekuestruar nga policia, ndërsa ndaj dy të arrestuarve vijojnë procedurat përkatëse ligjore.







