Një investigim gati njëvjeçar i televizionit britanik Sky News ka zbuluar mënyrën se si funksionojnë rrjetet kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës në Britani, nga rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut deri te organizimi i porosive dhe lidhjet me trafikimin e emigrantëve.
Gazetarët e Sky News kanë zhvilluar një hetim nën mbulim, duke dërguar një reporter të infiltruar në disa prej këtyre rrjeteve. Investigimi përfshiu qytetet Exeter, Wigan, Derbyshire dhe Royal Tunbridge Wells, ndërsa gjurmët e aktivitetit çuan edhe në Spanjë dhe Shqipëri.
Një nga episodet e dokumentuara ndodhi në Exeter, ku një person i identifikuar me emrin “Leo” i ofroi gazetarit të infiltruar një vendqëndrim, një listë çmimesh për kokainën dhe mundësinë për të nisur menjëherë punën si shpërndarës droge.
Gjatë bisedës në një kafene publike, ai foli për çmimet, uljet për klientët që blinin sasi më të mëdha dhe mënyrën e organizimit të shpërndarjes. Personi nuk e dinte se bashkëbiseduesi i tij ishte gazetar dhe se biseda po regjistrohej fshehurazi.

Sipas investigimit, një pjesë e rekrutimit bëhet përmes TikTok-ut, ku publikohen njoftime në gjuhën shqipe për vende pune me pagesa të larta. Disa prej tyre paraqiten si oferta për shoferë, me karburant dhe akomodim të përfshirë, por pa specifikuar qartë natyrën e punës.
Gazetarët identifikuan edhe simbole që dyshohet se përdoren si kode për kokainën.
Në një tjetër takim, këtë herë në qytetin Wigan, një person i ofroi reporterit të infiltruar 280 paund në ditë, në para në dorë, për të shpërndarë kokainë. Investigimi i Sky News zbulon gjithashtu rëndësinë që kanë të ashtuquajturit “deal phones”, telefonat përmes të cilëve klientët bëjnë porositë e drogës.
Sipas gazetarëve, drejtuesit e rrjeteve kontrollojnë këta telefona dhe ua kalojnë shpërndarësve adresat e klientëve, të cilët kryejnë më pas dorëzimin dhe mbledhjen e parave.
Për shkak të kontakteve të krijuara ndër vite, këta telefona konsiderohen pasuri me vlerë për grupet kriminale. Gazetarët zbuluan një njoftim në TikTok ku një telefon i tillë ofrohej për shitje për 300 mijë paund.
Për të testuar funksionimin e sistemit, një gazetar i Sky News porositi kokainë në Royal Tunbridge Wells. Përgjigjja që mori ishte se droga mund të dorëzohej brenda 30 minutash.
Një tjetër pjesë e investigimit lidhet me dyshimet për bashkëpunim mes rrjeteve të drogës dhe atyre të trafikimit të emigrantëve.
Gazetarët identifikuan në TikTok një reklamë në gjuhën shqipe ku ofrohej transportimi drejt Europës i personave që kishin probleme me autoritetet britanike. Një person që qëndronte pas njoftimit i ofroi gazetarit të infiltruar transportin e një personi jashtë Britanisë, përmes një kamioni, kundrejt pagesës prej 2,500 paundësh.
Frank Stewart, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA), deklaroi se ekzistojnë lidhje mes disa grupeve shqiptare të trafikut të drogës dhe rrjeteve të emigracionit të paligjshëm.
Investigimi përfshin edhe dëshminë e një shqiptari që kishte mbërritur në Britani me gomone në vitin 2022 dhe më pas kishte punuar në aktivitetin e drogës. Ai pretendoi se familjarët i kishin financuar udhëtimin me kushtin që të punonte për trafikantët shqiptarë.
Sipas Sky News, grupet kriminale shqiptare kanë forcuar pozitat në tregun britanik të kokainës përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut, duke shmangur ndërmjetësit europianë.
Frank Stewart i NCA-së tha se këto grupe kanë një rol të rëndësishëm në kontrollin e importimit të kokainës në Britani. Ndërkohë, Kathryn Westmore, drejtuese e sektorit të krimit financiar në UK Finance, theksoi se organizatat synojnë të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e aktivitetit për të maksimizuar fitimet.
Në investigim, ish-oficeri i policisë David McKelvey paralajmëron edhe për nivelin e dhunës që shoqëron këto organizata, duke përmendur rrëmbimet, torturat dhe vrasjet si pasoja të mundshme të konflikteve me to.
Sky News nënvizon se shumica dërrmuese e shqiptarëve që jetojnë në Britani nuk kanë asnjë lidhje me krimin e organizuar. Dokumentari investigativ titullohet “The Drug Lords Next Door” dhe është realizuar nga gazetari Chris Matthews, në bashkëpunim me Full Story Films dhe Quicksilver Media.







