Spiropali deklaroi se vijon t’i besojë vizionit të Ramës për transformimin e Shqipërisë, por theksoi se vendi dhe vetë PS-ja kanë nevojë për ndryshime të thella.
Deputetja socialiste Elisa Spiropali, ka folur për herë të parë pas përjashtimit nga forumet e Partisë Socialiste, në mbledhje e Asamblesë.
Spiropali u shpreh se ajo nuk do të bëjë asnjë betejë mbi përjashtimin e saj, pasi ajo e konsideron vendimin nul. Megjithatë Spiropali nuk e fshehu vlerësimin e saj të palëkundur ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Rama baba dhe mentor politik në rrugën time, nuk e mohoj rrugën time… por betejat edhe në PS unë i kam bërë pa asnjë rezervë”, tha ajo, ndërsa nuk dha një përgjigje se si do të jenë veprimet e saj të ardhshme.
“I kam besuar dhe i besoj Ramës për vizionin për ta transformuar Shqipërinë dhe për të lënë pas një Shqipëri europiane. Duke nisur nga personalja, nuk jam kursyer asnjëherë për të bërë beteja për këtë parti, edhe kur nuk kisha asnjë lidhje me përfitimet që sjell pushteti.
Ka bërë shumë për transformimin e Shqipërisë, por a mjafton kjo? Dhe për protestat, reagimi ka qenë a duhet të kemi një Shqipëri që pushtetin e kufizon dhe institucionet i konsideron më të rëndësishme se individin?
A duhet të kemi vendimmarrje që u përket të gjithëve? Këtë nuk e kemi aspak. Nëse ka një problem madhor sot, që reflektohet edhe në protesta, është personalizimi i pushtetit. Nuk mjafton më një njeri në krye. Duhet reformim i thellë në PS”, tha ajo.
E pyetur për deklaratat e saj të mëparshme, ku e kishte cilësuar Ramën si Skënderbe, dhe nëse e sheh veten ende si kontribuuese të situatës sot në PS, që sipas saj nuk është siç duhet.
“Thashë që sot PS-ja duhet të ngrihet në nivelin e aspiratave të të rinjve. Nëse merremi me epitete politike që nuk janë vënë kurrë, nuk e kam pasur problem të marr mbi supe kusure që nuk i kam pasur.
Dhe kjo e epiteteve është një fabul mediatike dhe epitetesh, që nuk ka asnjë lidhje me fjalimin që kam mbajtur në sheshin Skënderbej, ku ngjitet kali i Skënderbeut. Ne nuk kemi nevojë për heronj, por për njerëz.
Nëse duhet të mbaj edhe unë atë që ju e quani peshën e fajit në raport me këtë, nuk pendohem, sepse nuk jam nga ata që e zerojnë kontributin që Shqipëria ka pasur. Nuk jam ajo që e mohon”, u shpreh Spiropali.
Deputetja socialiste shpërtheu në akuza ndaj ish numrit dy të qeverisë Belinda Balluku, duke denoncuar modelin e saj politik brenda partisë.
“Dua ta them me plot gojën që, sa u takon fjalëve që janë thënë për antiligjshmëritë, për lidhjet me partnerët, këto janë mënyrat, besoj unë, më primitive për të adresuar problematika që nuk kanë lidhje me të.
Nëse mund ta them me emër, për Belinda Ballukun, dhe kam bërë një akt politik, mosvotimi për heqjen e imunitetit. Jo se dua të shoh një grua në pozita të tilla, por për shkak të moslegjitimitetit të modelit. Këtu fillon dhe mbaron problemi.
Njerëz që, siç ka dalë më pas, kanë qenë duke shpërndarë favore politike me emra, a ka vlerë emrat? Jo, vlerë ka modeli. Unë besoj se Belinda Balluku, që më del emri gjithkund me përballjen me vetveten dhe pse nuk e kam përmendur, është modeli më i keq i qeverisjes në forcën tonë politike dhe viktima më e freskët e një modeli që duhet të ndryshojë.
Këtë kam menduar kur nuk kam shkuar të votoj. Kam keqardhje edhe për të, për faktin që është grua, për fëmijët, madje edhe për shpirtin e saj, lutem”, u shpreh Spiropali.
E pyetur nga gazetarët, se në rast të një negociate me kreun e qeverisë, a do afrohet sërish në kabinet, Spiropali tha se ajo synon një model të ri qeverisës.
“Nuk kam asnjë qëllim të marr funksione ekzekutive, pa u shpjeguar se jam larguar si ministre, unë nuk kam asnjë interes të jem ministre në qeveri. Duhet të ketë përgjegjësi politike mbi vendimmarrjen“, përfundoi Spiropali. /







