Në total, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, operatorët postarë kanë përpunuar rreth 20.66 milionë objekte postare.
Tregu i shërbimeve postare në Shqipëri ka vijuar të zgjerohet gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, i nxitur kryesisht nga rritja e dërgesave ndërkombëtare hyrëse dhe e shërbimeve ekspres. Të dhënat tregojnë një ndryshim të strukturës së tregut, me një peshë gjithnjë e më të madhe të pakove që mbërrijnë nga jashtë vendit, një tendencë që lidhet edhe me zhvillimin e tregtisë elektronike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), gjatë periudhës korrik-shtator 2026 janë përpunuar 7,168,037 objekte postare, me një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 7% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në total, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, operatorët postarë kanë përpunuar rreth 20.66 milionë objekte postare.
Dërgesat ndërkombëtare rriten me 54%
Numri i objekteve postare brenda vendit arriti në 5.85 milionë gjatë tremujorit të tretë, me një rritje vjetore prej 4%, ndërsa dërgesat ndërkombëtare arritën në 1.32 milionë, duke shënuar një rritje prej 54% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja është përqendruar te dërgesat që mbërrijnë në Shqipëri nga jashtë vendit. Numri i tyre arriti në 1.25 milionë, me një rritje vjetore prej 64% dhe 37% krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në të kundërt, dërgesat nga Shqipëria drejt vendeve të tjera ranë me 26% në bazë vjetore, duke zbritur në 70,337 objekte postare.
Pesha e dërgesave ndërkombëtare në totalin e tregut postar është rritur nga 13% në tremujorin e tretë të vitit 2025 në 18% në të njëjtën periudhë të vitit 2026.

Mbi 1.1 milionë pako nga jashtë vendit
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të tregut postar është rritja e numrit të pakove ndërkombëtare hyrëse të përpunuara nga operatorët e tjerë postarë, përjashtuar Postën Shqiptare.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, këta operatorë kanë përpunuar 1,112,030 pako të ardhura nga jashtë vendit, kundrejt 658,567 pakove në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja vjetore rezulton në 69%, ndërsa ajo tremujore në 35%.
Në total, operatorët e tjerë postarë kanë përpunuar mbi 2 milionë pako, me një rritje vjetore prej 14%. Pakot përbëjnë tashmë 93% të volumit të përgjithshëm të aktivitetit të këtyre operatorëve, ndërsa letrat vetëm 7%.
Ndërkohë, numri i pakove të dërguara brenda Shqipërisë ka rënë me 18%, në 882,528, ndërsa ai i pakove të dërguara jashtë vendit ka rënë me 47%, në 14,120.
Këto të dhëna tregojnë se zgjerimi i këtij segmenti të tregut po mbështetet kryesisht te fluksi i pakove nga jashtë vendit, ku një rol të rëndësishëm mund të ketë rritja e blerjeve online në platformat ndërkombëtare.
Shërbimet ekspres rriten me 18%
Shërbimet postare jo-universale, ku përfshihen shërbimet ekspres dhe jo-ekspres, arritën në 2.41 milionë objekte postare, me një rritje vjetore prej 11%.
Brenda këtij segmenti, shërbimet ekspres kanë regjistruar një volum prej 2.03 milionë objektesh postare, me një rritje prej 18% krahasuar me një vit më parë.
Në të kundërt, shërbimet jo-ekspres kanë shënuar një rënie prej 16%, duke zbritur në rreth 381 mijë objekte postare.
Shërbimet ekspres përbëjnë tashmë 84% të volumit të shërbimeve postare jo-universale, nga 79% që përbënin një vit më parë.
Veçanërisht e fortë ka qenë rritja e shërbimeve ekspres ndërkombëtare të operatorëve të tjerë postarë, me 101% në bazë vjetore.
Posta Shqiptare kontrollon 70% të tregut
Posta Shqiptare vijon të mbetet operatori dominues në tregun e shërbimeve postare, me mbi 5 milionë objekte postare të përpunuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, me një rritje vjetore prej 10%.
Kompania shtetërore zotëron 70% të tregut të përgjithshëm, matur sipas volumit të objekteve postare, 83% të tregut të dërgesave brenda vendit dhe 70% të dërgesave ndërkombëtare dalëse.
Megjithatë, në segmentin e dërgesave ndërkombëtare hyrëse, Posta Shqiptare zotëron vetëm 10% të tregut, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga operatorët e tjerë postarë.
Shërbimi universal postar, i ofruar nga Posta Shqiptare, arriti në 4.75 milionë objekte, me një rritje vjetore prej 10%, duke përbërë 66% të volumit të përgjithshëm të tregut.
Si renditen operatorët postarë
Sipas të dhënave të AKEP, renditja e 15 operatorëve më të mëdhenj, sipas numrit të objekteve postare të përpunuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, është:
Posta Shqiptare – 5,014,889
Albanian Delivery Express – 648,226
United Transport (Uni Trans) – 400,798
ADEX – 257,237
Ultra C.E.P. – 181,820
BIPEX – 136,284
POSTMAN – 92,658
INTEX COURIER – 68,020
EXPRESS ALB 24 – 64,315
GED – 57,878
Elite Post – 55,670
Ulysses Enterprises (FedEx) – 55,498
Mr. Courier – 45,765
DHL International Albania – 44,092
T.N.T Express Albania – 12,339
Albanian Delivery Express kryeson mes operatorëve të tjerë postarë, me rreth 9% të tregut të përgjithshëm, ndjekur nga United Transport me 5.6% dhe ADEX me 3.6%.
Vetëm Albanian Delivery Express dhe United Transport kanë përpunuar mbi 863 mijë dërgesa ndërkombëtare hyrëse, ose rreth 69% të të gjitha dërgesave që kanë mbërritur në Shqipëri nga jashtë vendit.
Për tremujorin e tretë të vitit 2026 kanë raportuar të dhëna statistikore 31 nga 35 subjektet që kishin detyrimin e raportimit pranë AKEP. /Ekofin









