nga Ethem Aga
Nuk është vetëm data më e rëndësishme e kombit. Është më shumë se aq. 28 nëntori na kujton historinë, gjakun e derdhur, masakrat e përjetuara, pushtimet e egra por edhe rrugëtimin e një kombi që po aq shumë ka vuajtur nga ata që na qeverisën. I fundit është pushteti i Edi Ramës, i cili që nga viti 2013 e deri më sot shënjoi historinë më të errët të shtetit shqiptar pas sistemit komunist. Nëse ai tregon forcën me (83 mandate të grabitura dhe tjetërsuara, ku bashkë me PSD-në shkon në 86), përballë ka qindra mijëra që janë gati dhe fort të vendosur për t’ia “djegur” në duar kartonët pas të cilëve fshihet.
Prova e madhe është 28 nëntori. Do të matet jo vetëm me pjesëmarrjen, jo vetëm me vendosmërinë, por mbi të gjitha me frymën që përçon. Diaspora po vjen këtë herë jo si numra të shtuar, as zëra patriotikë që gëzojnë në ditën e shenjtë, as vetëm dekor festiv me flamuj e simbole të tjera kombëtare. Dispora është modeli i qëndresës dhe njerëzit e dinjitetshëm që nuk bëjnë kompromis me lirinë e tyre. Me qindra e qindra mesazhe e telefonata më konfirmojnë tashmë nisjen e emigrantëve shqiptarë pë të qenë të pranishëm në porotestën masive të 28 nëntorit. Shumë prej tyre janë anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, por po aq të shumtë janë të pangazhuar politikisht por me ndërgjegjen qytetare sot më shumë se kurrë kërkojnë të jenë pjesë e një përmbysje të madhe.
Është quajtur “nëntori i tretë” dhe ndoshta është gjetja më domethënëse për t’i dhënë rëndësi këtë çasti historik të vendit. Kryeministri Edi Rama ka humbur me kohë legjitimitetin. De fakto ai nuk është më drejtuesi i qeverisë, por thjesht mbajtësi i pushtetit të një grushti njerëzish në treshën politikë-krim-oligarki. Ky lloj modeli politik duhet të bjerë edhe de jure, ndaj është shumë e rëndësishme data 28 nëntor. Të gjithë do lenë punët që kanë aty ku jetojnë, bashkë me kohën e humbur shtuhen edhe shpenzimet e udhëtimit por kauza e madhe për liri dhe dinjitet nuk ka çmim e kohë. Pjesëmarrja e madhe dhe vendosmëria mbesin forca që përbys çdo regjim, qoftë ai i mbajtur me dhunë, shantazh dhe tentativë për mbjelljen e frikës të një çete të keqpërdorur të strukturave të policisë.
Fara e protestës që u mboll që në majin e vitit të kaluar është kthyer në bimën e fiuqishme dhe shpresëdhënëse. U mbajt nga çdo protestues që gazi lotsjellës nuk e stepi. Plumbat e gomës nuk e zbrapsën apo shkopat e gomës “i thyen” me fuqinë e dinjitetit. Është vetëm çështje kohe dhe fundi kësaj qeverisje tashmë ka ardhur. Data 28 do jetë kurorëzimi i rënies së një modeli qeverisës që nuk duhet të kthehet kurrë më, për të shpresuar që e keqja që u rrit për 14 vite të shkulet nga rrënjët.









