HomeKryesoreËndrra për titullin e botës shuhet në Gjermani, çfarë e pengoi Nelson...

Ëndrra për titullin e botës shuhet në Gjermani, çfarë e pengoi Nelson Hysën të fitonte titullin botëror

Advertismentspot_img

Një dëmtim i papritur në ring i dha fund përballjes së boksierit shqiptar, ndërsa mbi 50 mijë tifozë ndoqën sfidën që përfundoi shumë më herët nga sa pritej

Boksieri shqiptar Nelson Hysa nuk ka arritur të fitojë titullin kampion bote në peshat e rënda, pasi është mposhtur nga gjermani Agit Kabayel në përballjen e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Düsseldorf të Gjermanisë.

Sfida për titullin botëror WBC përfundoi në raundin e dytë, me ndërprerjen e ndeshjes nga arbitri, pasi Hysa pësoi një dëmtim të dyshuar në bërrylin e majtë dhe nuk mundi të vazhdonte përballjen.

Sipas raportimeve të mediave sportive ndërkombëtare, 42-vjeçari shqiptar u përpoq të vijonte ndeshjen, por dhimbjet dhe pamundësia për të vazhduar bënë që këndi i tij të ndërhynte. Arbitri Laurence Cole e ndërpreu përballjen në minutën 2:42 të raundit të dytë. 

Ndërkohë pas ndeshjes, Hysa shfaqi gjithë dëshpërimin për atë dëmtim të ndodhur, teksa i tregon stafit sesi Kabayel u lëkund pas grushtave të tij.

“Profe, nuk kishte as grusht mo më vraft Zoti. Më kapi nga bërryli me dy duar, se nuk u përplasa me grushta unë me atë, aty më tërhoqi. Nuk kishte grusht hic ai. I ikën sytë në një moment kur po e godisja, i ikën këmbë e duar”, tha Hysa.

Kabayel mbron titullin, Hysa pëson humbjen e parë
Agit Kabayel, 34 vjeç, ruajti titullin kampion bote në WBC, duke regjistruar fitoren e 28-të në po aq ndeshje profesioniste. Kjo ishte mbrojtja e tij e parë e titullit, të cilin e mori pasi ukrainasi Oleksandr Usyk hoqi dorë nga brezi në qershor.

Për Nelson Hysën, kjo përballje shënon humbjen e parë në karrierën profesioniste. Shqiptari kishte hyrë në ring me një bilanc prej 25 fitoresh në 25 ndeshje, 23 prej të cilave me nokaut. 

Mbi 50 mijë tifozë në stadium
Përballja u zhvillua në Merkur Spiel-Arena në Düsseldorf, ku ishin të pranishëm mbi 50 mijë spektatorë. Në tribuna u panë flamuj gjermanë, kurdë dhe shqiptarë, ndërsa ndeshja kishte një rëndësi të veçantë edhe për tifozët shqiptarë, pasi u zhvillua në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo ishte ndeshja e parë për titullin botëror në peshat e rënda e zhvilluar në Gjermani pas 11 vitesh. 

Pas fitores, Kabayel deklaroi se synon të zhvillojë ndeshje unifikimi dhe përmendi si kundërshtarë të mundshëm Daniel Dubois dhe Filip Hrgovic, ndërsa shprehu gatishmërinë për t’u përballur edhe me fituesin e duelit mes Tyson Fury dhe Anthony Joshua.

Për Hysën, sfida në Düsseldorf ishte mundësia e parë për të fituar një titull botëror, por aventura përfundoi me humbjen e parë në karrierë, në një përballje që u ndërpre për shkak të dëmtimit të pësuar në ring. 

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular