Home Blog

Zemërim në Francë pas zhdukjes së një 11-vjeçareje, i dyshuari ishte denoncuar disa herë për abuzim ndaj të miturve

0

Franca është përfshirë nga zemërimi dhe debatet publike pasi doli në pah se i dyshuari kryesor në rastin e zhdukjes së një vajze 11-vjeçare ishte akuzuar disa herë më parë për abuzime seksuale ndaj të miturve, pa u ndërmarrë masa të efektshme nga autoritetet.

Një trup u gjet të enjten në zonën ku po zhvilloheshin kërkimet intensive, ndërsa identifikimi zyrtar ishte ende në proces, sipas një burimi të informuar.

Vajza, e identifikuar vetëm me emrin Lyhanna, rezulton e zhdukur që nga e premtja e kaluar pranë fshatit Fleurance në jugperëndim të Francës. Ajo u pa për herë të fundit duke hipur në automjetin e një burri 41-vjeçar, baba i dy fëmijëve, i cili është ndaluar nga autoritetet si i dyshuari kryesor.

Për ditë me radhë, dhjetëra policë dhe vullnetarë zhvilluan operacione kërkimi në zonë. Të enjten, rreth 170 efektivë policie, të mbështetur edhe nga vullnetarë mbi kuaj dhe ekipe zhytësish profesionistë, vijuan kërkimet në fshatrat përreth Fleurance dhe në zonën e Urdens.

Rasti ka shkaktuar reagime të forta pasi prokuroria bëri të ditur se ndaj të dyshuarit kanë ekzistuar disa kallëzime të mëparshme për krime seksuale ndaj të miturve. Prokurorja Clémence Meyer deklaroi se një sërë ankesash ishin depozituar ndër vite kundër tij.

Në dhjetor të vitit 2017, një nënë raportoi se vajza e saj 17-vjeçare kishte qenë në një lidhje me këtë burrë. Çështja u mbyll në vitin 2018 pasi vajza deklaroi se kishte dhënë pëlqimin.

Më pas, në janar të vitit 2022, ndaj tij u paraqit një padi për përdhunimin e një vajze nën moshën 15 vjeç, ngjarje që dyshohej se kishte ndodhur në vitin 2020 në banesën e tij në Francën jugperëndimore. Dosja iu transferua prokurorisë lokale, por u pushua në vitin 2024 për mungesë provash.

Një tjetër kallëzim u paraqit më 22 gusht 2025, kur nëna e një vajze të lindur në vitin 2014 e akuzoi atë për përdhunimin e fëmijës së saj gjatë periudhës shtator 2024 – maj 2025. Fillimisht çështja u trajtua nga autoritetet në Tuluzë dhe më pas iu transferua prokurorisë lokale, e cila në janar urdhëroi nisjen e hetimeve.

Megjithatë, sipas prokurorisë, i dyshuari ende nuk ishte marrë në pyetje nga policia kur Lyhanna u zhduk.

“Hetimi ishte ende në vazhdim kur Lyhanna u zhduk”, deklaroi prokurorja Meyer, duke shtuar se të mërkurën ishte depozituar edhe një kallëzim i ri për përdhunimin e dyshuar të një të miture.

Pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, 41-vjeçari pranoi se e kishte marrë vajzën me makinë, por këmbënguli se më pas e kishte lënë pranë një pishine.

Zbulimet kanë nxitur reagime të forta politike. Zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, e cilësoi situatën si “absolutisht të padurueshme”.

“Ajo që po zbulojmë ditë pas dite është absolutisht e padurueshme. Kjo ngre një pyetje të thellë: çfarë rëndësie u japim dëshmive të viktimave? Si kryhen hetimet?”, deklaroi ajo për mediat franceze.

Edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, bëri të ditur se kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një hetim mbi mënyrën se si janë trajtuar rastet e mëparshme kundër të dyshuarit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve kanë kërkuar ndryshime urgjente ligjore. Anne-Cécile Mailfert, nga Fondacioni i Grave, u shpreh e tronditur nga fakti se i dyshuari ishte akuzuar edhe më parë për përdhunim.

“Një vajzë tjetër 10-vjeçare gjeti guximin t’u tregonte prindërve të saj. Ata e mbështetën, e besuan, shkuan në polici dhe ngritën një padi, por më pas nuk ndodhi asgjë. Ne po kërkojmë një ligj gjithëpërfshirës kundër dhunës seksuale, sepse sistemi nuk funksionon”, deklaroi ajo.

Ndërsa hetimet vazhdojnë dhe autoritetet presin rezultatet e identifikimit të trupit të gjetur, rasti ka hapur një debat të gjerë në Francë mbi mbrojtjen e të miturve dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në trajtimin e denoncimeve për dhunë seksuale.

FED invest mban Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII dhe prezanton rezultatet e vitit jubilar 2025

0

Tiranë, Qershor 2026 – Shoqëria e Kursim-Kreditit FED invest zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII, forumin më të lartë vendimmarrës të institucionit, ku delegatë dhe përfaqësues të anëtarësisë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të shqyrtuar rezultatet e vitit 2025, për të miratuar dokumentet statutore dhe për të përcaktuar prioritetet strategjike për vitin 2026.

Asambleja u zhvillua në një moment historik për institucionin, pasi viti 2025 shënoi 10-vjetorin e FED invest-it si institucion i konsoliduar dhe me 33 vite traditë në tregun e financës sociale shqiptare. Përgjatë këtij rrugëtimi, FED invest ka evoluar nga një rrjet shoqërish kursim-krediti në kooperativën financiare më të madhe në vend, duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të familjeve, fermerëve dhe sipërmarrjeve të vogla.

Gjatë vitit 2025, FED invest përforcoi pozicionin e tij si lider në tregun e shoqërive të kursim-kreditit, duke shënuar një sërë arritjesh pozitive në dimensionin financiar dhe social. Numri i anëtarëve tejkaloi objektivin prej 100 mijë (+ 4.6% kundrejt vitit paraardhës), ndërsa aktivet totale arritën vlerën e 9.9 miliardë lekëve, portofoli i kredisë në rreth 7 miliardë lekë, ndërsa depozitat e anëtarëve u rritën në 5.6 miliardë lekë. Institucioni ruajti një pozicion të fortë financiar me mjaftueshmëri kapitali prej 21%. Përmes këtyre treguesve, FED invest rikonfirmon misionin e tij për përfshirjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve mikro dhe SME, në zonat rurale/sem-iurbane dhe ato urbane, duke u shërbyer edhe segmenteve më pak të shërbyer në tregun financiar, si dhe duke fuqizuar sipërmarrjet e grave dhe të rinjve.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Këshillit Drejtues, Znj. Zana Konini, theksoi rëndësinë e vitit jubilar dhe të rolit që anëtarët kanë luajtur në suksesin e institucionit:

“10-vjetori i FED invest është dëshmi e forcës së modelit tonë kooperativ dhe e besimit që mbi 100 mijë anëtarë kanë treguar ndër vite. Ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit të stafit dhe i mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë përfshirjen financiare dhe të mbështesim zhvillimin e komuniteteve ku operojmë.”

Administratori i FED invest, Z. Perlat Sulaj, prezantoi rezultatet kryesore të aktivitetit dhe prioritetet e institucionit per vitin 2026:

“Viti 2025 ishte një nga vitet më të suksesshme në historinë e FED invest. Rritja e aktivitetit kreditues dhe e depozitave, forcimi i eficiencës operacionale, investimet në teknologji dhe zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare na kanë mundësuar të ofrojmë më shumë mundësi për anëtarët tanë. Prioritetet tona për vitin 2026 mbeten rritja e qëndrueshme, zhvillimi digjital, forcimi i sigurisë teknologjike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve.”

FED invest disbursoi mbi 3,800 kredi të reja me vlerë rreth 3.35 miliardë lekë përgjatë vitit 2025, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe nxitjen e punësimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes së fermerëve, grave sipërmarrëse dhe bizneseve të vogla, të cilat përveç financimit patën qasje edhe në paketën e shërbimeve jo-financiare të këshillimit, trajnimit, informimit dhe edukimit financiar të ofruara përmes Qendrës ABA. Këto arritje u mundësuan edhe falë mbështetjes dhe partneriteteve strategjike me institucione të

rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare si Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB), EFSE, JICA, Helenos, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit etj.

Përmes një dialogu të hapur me menaxhimin dhe Këshillin në takimet rajonale, delegatët sollën vizionin dhe zërin e tyre nga terreni, duke dhënë një kontribut me vlerë në formësimin e strategjisë dhe adresimin e sfidave të së ardhmes.

FED invest rikonfirmoi angazhimin e tij për të mbetur pranë anëtarëve dhe komuniteteve lokale, duke kombinuar financimin e përgjegjshëm me edukimin financiar, këshillimin profesional dhe zhvillimin rural të qëndrueshëm.

Rreth FED invest

FED invest është kooperativa financiare më e madhe në Shqipëri, me mbi 100,000 anëtarë dhe një rrjet prej 54 degësh në të gjithë vendin. Institucioni promovon financën sociale dhe përfshirjen financiare, duke mbështetur fermerët, familjet, gratë sipërmarrëse, mikro-bizneset dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme.

E rëndë në SHBA/28-vjeçarja vritet nga ish-bashkëshorti, ai më pas kryen vetëvrasje

0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, pasi një grua 28-vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti i saj, i cili më pas kreu vetëvrasje.

Krimi ndodhi në Luiziana dhe dyshohet se lidhet me një konflikt të gjatë ligjor për kujdestarinë e dy fëmijëve të mitur të çiftit.

Sipas autoriteteve, Meridian Thomas Woodson u gjet e pajetë brenda apartamentit të saj në Elmwood, pasi policia u njoftua për një incident dhe mbërriti menjëherë në vendngjarje.

Pak më vonë, ish-bashkëshorti i saj, 30-vjeçari Cody Woodson, u gjet në një parking pranë zonës brenda automjetit të tij me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai u transportua në spital, ku më pas ndërroi jetë.

Sipas dokumenteve gjyqësore dhe mediave lokale, ish-çifti ishte përfshirë prej kohësh në një betejë ligjore për kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre, të moshës 4 dhe 7 vjeç, ndërsa një seancë e re ishte planifikuar për datën 18 qershor.

Gruaja kishte raportuar më herët raste dhune dhe kërcënimesh gjatë marrëdhënies së tyre, përfshirë incidente të dhunshme fizike dhe kërcënime serioze, sipas dokumenteve të divorcit.

Në një nga deklarimet e saj, ajo kishte përshkruar gjithashtu një episod shqetësues ku dyshohej se ish-bashkëshorti kishte nxjerrë armë brenda banesës, duke rritur frikën për sigurinë e saj.

Gjykata ka regjistruar edhe deklarata kërcënuese të pretenduara nga burri gjatë konflikteve të mëparshme, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.

Familjarët dhe miqtë e 28-vjeçares e kanë përshkruar atë si një person të dashur dhe të angazhuar në komunitet, ndërsa në një fushatë online ajo cilësohet si “një dritë në jetën e të gjithëve”.

Autoritetet amerikane po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, e cila është një tjetër rast tragjik i dhunës në familje në SHBA.

Këmbimi valutor 5 qershor/Me sa blihen e shiten dollari dhe euro, çfarë ndodh me monedhat e tjera

0

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane euro do blihet me 95 lekë dhe do shitet me 95.7 lekë.

Franga zvicerane sot në tregun shqiptar do blihet me 103.4 lekë dhe do shitet me 104.4 lekë.

Ndërsa paundi britanik do blihet me 109.4 lekë dhe do shitet me 110.4 lekë.

12

E TRISHTË/ SHUHET drejtoresha e “Harry Fultz” Brikena Baxhaku, shërbeu me profesionalizëm dhe devotshmëri

0

Instituti “Harry Fultz”, ka njoffuar lajmin e trishtë duke bërë me dije se është ndarë nga jeta drejtoresha e shkollës, Brikena Baxhaku.

Baxhaku prej vitesh me radhë i shërbeu istitutit me profesionalizëm dhe përgjegjësi, teksa dha një kontribut të çmuar në edukimin e brezave.

“Ajo do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje për punën e palodhur, integritetin dhe vlerat njerëzore që përcolli gjatë gjithë veprimtarisë së saj profesionale”, shkruan ndër të tjera shkolla, teksa i shpreh ngushëllime familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që punuan pranë saj.

Theksojmë se emri i saj u bë edhe më i njohur pasi në shkurt të vitit të kaluar u thirr për të dëshmuar dhe për të ofruar dokumente institucionale në lidhje me diplomën e shkollës së mesme të Belind Këlliçit. Në cilësinë e saj zyrtare si drejtoreshë, Baxhaku i dha sqarime prokurorisë dhe medias, duke konfirmuar se individi në fjalë kishte ndjekur, por nuk kishte përfunduar të gjithë kurrikulën e kërkuar për t’u diplomuar nga Instituti.

Reagimi i plotë:

Gjithmonë me ne, Brikena!

Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Drejtores së Shkollës sonë, Brikena Baxhaku.

Prej shumë vitesh, znj. Baxhaku i shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionit tonë, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë dhe në zhvillimin e shkollës sonë.

Ajo do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje për punën e palodhur, integritetin dhe vlerat njerëzore që përcolli gjatë gjithë veprimtarisë së saj profesionale.

Stafi, nxënësit dhe komuniteti i Institutit “Harry Fultz” shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë atyre që punuan pranë saj.

Kujtimi dhe kontributi i saj do të mbeten përherë pjesë e historisë së institucionit tonë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj.