Shqipëria ka përpara ditë të vështira. Këtë e thotë mjeku Arben Gjata, i cili shprehet se kjo periudhë do të jetë sfida më e madhe për shëndetësinë dhe për shoqërinë.
Doktor Gjata shpjegon se me uljen e temperaturave rriten virozat, të cilat shpejtojnë edhe më shumë përhapjen e virusit.
“Jemi në një situatë jo të mirë, me rritje të numrave. Ishte një gjë e pritshme. Unë e kam thënë që kemi përballë tre muajt më të vështirë të kësaj pandemie. Besoj fundi i vjeshtës së tretë dhe dimri do të jenë sfida më e madhe që ka kaluar ndonjëherë shëndetësia shqiptare dhe që do të kalojë shoqëria shqiptare. Ditët më të vështira i kemi ende përpara. Është një situatë që kërkon solidaritet të madh. Me ftohjen e kohës dihet që virozat rriten, edhe Covid duke qenë virozë do të rrisë shpejtësinë e përhapjes. Kemi edhe virozat e tjera, që mund të mbivendosen me virusin, duke sjellë një situatë shumë të rëndë”, tha mjeku në një intervistë për News24.
Sipas Gjatës, vendi është i përgatitur për një strategji deri në qershor të vitit të ardhshëm.
“Janë përgatitur disa skenarë, që në qershor. Janë përgatitur skenarë deri në qershor të vitit të ardhshëm, që parashikojnë hapjen e këtyre spitaleve të reja, siç u hap Covid-3, vënien në funksion të covid-4, dhe nëse ezaurohen kapacitetet në Tiranë hapja edhe e spitaleve rajonale. Ne kemi një avantazh, se në spitalet rajonale kemi një shtrirje horizontale, gjë që mundëson që godina të caktuara brenda territorit të spitaleve rajonale të kthehen në spitale Covid. Mesa di unë një pjesë e spitaleve rajonale ka godina ku çdo dhomë është pajisur me oksigjen, si dhe respiratorë, për të pasur mundësi që edhe këto spitale të fillojnë drejtimin”, u shpreh mjeku.
Gjata rekomandoi që të gjithë personat në këtë periudhë të vështirë ku ndodhet vendi është mirë që të përdorin vitaminat C,D pasi rritin imunitetin.