Nga Ilir Nikolla
Edhe pse pakkush e ka vëmendjen, prej 500 vjetësh në Piazza Signoria zhvillohet një përplasje latente, shkaktuar nga zilia e arpunuesit Benvenuto Cellini, për gjeniun Mikelanxhelo Buonarroti. I rëndësishëm si zanatçi i punimit të arit, Benvenuto Cellini u mor edhe me skulpturë dhe zhvilloi brenda vetes sindromin e Salierit ndaj gjeniut që ato dekada shndërronte në magji çdo gur që gdhendte.
Për arsye politike, por edhe për shkak të teknikave revolucionare që ndoqi në derdhjen e skulpturës “Perseu me kokën e Meduzës” (e para skulpturë e derdhur njëherësh në bronz, megjithë andrallat që sillte, veçanërisht koka e Meduzës), Cellini ia doli të kënaqte ambiciet e porositësit Cosimo Medici, për t’i dhënë popullsisë mesazhin se ç’i priste nëse revoltoheshin sërish kundër tij. Nga ky sukses, Cellini u shkëput nga prangat fiorentine që e quanin thjesht një zanatçi të punimit të arit, për të marrë statusin e shumëdëshiruar të skulptorit.
Nga statusi i ri, ai pati rastin të kënaqte zilinë e vet ndaj Mikelanxhelos dhe e vendosi skulpturën, në mënyrë ashiqare provokative përballë Davidit, duke dhënë mesazhin se Meduza e tij e kishte shndërruar në një copë guri pa shpirt e pa shkëlqim mermerin e gdhendur prej gjeniut Mikelanxhelo. Nuk mund të themi se fiorentinët morën anën e tij në këtë betejë, por fakti mbetet fakt, Perseu i Cellinit është e vetmja skulpturë prej bronzi në Piazza Signoria dhe busti i Cellinit është i vetmi bust në Ponte Vecchio.
500 vjet më vonë, ky provokacion mbetet i gjallë në Piazza della Signoria, si shenjë se betejat duhen mbajtur, sado të pashpresa e të padenja qofshin ato.







