Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja flet përpara sfidës me Islandën. Nga Rejkjaviku ku skuadra kuqezi është ankoruar prej dy ditësh, trajneri 76-vjeçar vuri theksin në rëndësinë e duelit të së hënës.
“Unë pres në këro ndeshje që skuadra të bëjë paraqitje të mira sepse jemi në 90 % të mundësive që kemi. Jemi edhe 2-3 % larg nivelit për të konkurruar me skuadra të rëndësishme.
Nuk është e lehtë të fitosh me Islandën, duhet të jemi shumë të vëmendshëm sepse ata janë një skuadër shumë e fortë. Të treja skuadrat e grupit e dinë që të gjithë mund të luftojmë për vendin e parë.
Jam i bindur se mungesat nuk do të ndikojnë në këtë ndeshje. Ata lojtarë që janë këtu i kam gati. Edhe në ndeshje të tjera kur kemi pasur mungesa, kemi bërë ndeshje të mira. Ata që kanë luajtur më pak duhet të jenë të stimuluar. Kemi punuar mirë dhe djemtë e kanë mendjen në vendin e duhur.
Nuk ka ndeshje të lehta. Islanda është rinovuar si skuadër tre vitet e fundit. E pamë këtë në Izrael ku luajtën një ndeshje shumë të mirë. Janë shumë të fortë në lojën në ajër”.
Në vijim ai kujton ndeshjen e përpara tre viteve kur debutoi pikërisht në sfidën kundër Islandës në muajin qershor të 2019-ës.
“Nga Islanda më kujtohet që kishim vështirësi në fillim, por që nga ajo ndeshje jemi rritur shumë dhe kemi bërë paraqitje shumë të mira. Fituam grupin në Ligën e Kombeve dhe tani pres përmirësime të vazhdueshme nga skuadra.
Ne do të gabonim shumë nëse do ta interpretonim këtë ndeshje me një paraqitje nën nivel sepse rreziku është prezent. Barazimi i Islandës me Izraelin na përshtatet por duhet fituar. Kam krijuar një grup me 24-25 lojtarë që janë pak a shumë të gjithë në të njëjtin nivel”.
Kapiteni Etrit Berisha u ndal te përgatitjet gjatë javës së fundit. Numri 1 theksoi se skuadra duhet të vazhdojë në rrugën e ndeshjeve të fundit kur ka bërë paraqitje pozitive.
“Edhe nesër na duhet një ndeshje e tillë pasi kemi përballë një skuadër shumë të mirë, sidomos në aspektin fizik. Duhet të hyjmë me mendimin fiks se mund ta fitojmë këtë sfidë dhe nëse e bëjmë një gjë të tillë, atëherë mund të mendojmë edhe për vendin e parë.
Islanda është përherë shumë e rrezikshme në shtëpi ndërsa në Izrael treguan se kanë një ekip të kompletuar që edhe mund të fitonte. Gjithsesi, ne kemi cilësi të mëdha për t’ia dalë mbanë ndaj tyre”.








