Nga Bujar Leskaj
Dëshira që Uran Kostreci u tha me zë të lartë xhelatëve të tij në sy: “Do vijë koha ime dhe unë do jem duke parë vdekjen tuaj me turp”!
Sot mbushet një vit nga dita kur Uran Kostreci, simboli i rezistencës pa kompromis ndaj komunizmit, i dënuari politik, shkrimtari disident, autori i poemës satirike “Epopeja e karkalecave”, njeriu i jashtëzakonshëm, njeriu me shpirt të butë dhe të fortë njëkohësisht, poeti i soneteve të mrekullueshme romantik i pandreqshëm, njeriu që sfidoi diktaturën, kaloi në përjetësi.
Uran Kostreci (emri i tij në greqisht nënkupton qiellin), asnjëherë nuk deshi të ishte hero.
Anjëherë nuk u thye!
Uran Kostreci nuk kërkoi ndonjëherë privilegje për vuajtjet e tij në diktaturë.
Ishte modest, modestisht madhështor, modestisht njerëzor.
Një vit më parë Uran Kostreci iku në qiell, në atë qiell emrin e të cilit mori!
Uran Kostreci jo vetëm ishte një qëndrestar i vërtetë në diktaturë, duke vuajtur në burgjet politike, por ishte edhe një kontributo i vërtetë i Partisë Demokratike edhe në demokraci.
Një vit më parë Uran Kostreci iku me pengun e mosndëshkueshmërisë së diktaturës, por iku i LIRË!
Iku POET!
Iku NJERI!
Në nderim të tij po përcjell një sonet të tij të mrekullueshëm.
Kur putha hënën
Uran Kostreci
Un’ qysh i vogël hënën adhuroja;
E ruaja kur dilte e kur fshihej;
Sa her’ qafonte… yje fërgëlloja,
Psher’tija kur mbas resh ajo përhihej.
Çmos bëja ta puth hënën, por nuk zihej!
Vrap sy përpjetë e ndiqja e kur ndaloja,
Dhe hëna atje lart… e lodhur shtihej:
Qëndronte se… e dinte që e doja.
Një natë, hënën shoh zhveshur… si vashë
Tek… lahej në liqen e llamburiste!
I dashuruar sipër saj rashë
E putha, e putha fort… ajo nuk fliste!
Mbas pak u shtri në ujë, u zhduk… s’e pashë
Veç lart në qiell u ngjit e më sodiste.