INSTAT ka reguar sërish në lidhje me sulmin ndaj sistemit të tyre nga hakerat e “Homeland Jusitce”, të cilët pretendojnë se kanë arritur të marrin 100 terabajt të dhëna, ku përfshihen edhe të dhënat e censit, që sipas tyre janë kopjuar dhe hequr nga serverët.
Në reagimin e tyre, INSTAT sqaron se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi.
Po ashtu, INSTAT do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë.
Njoftimi:
Instituti i Statistikave (INSTAT) njofton publikun se për shkak të një sulmi kibernetik që preku disa nga sistemet e tij më 31 janar 2024 do të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare deri në një njoftim të dytë. Sulmi kibernetik i cili synoi të dëmtojë të dhënat e INSTAT ka bërë që shërbimet e internetit të faqes zyrtare dhe emailit të jenë ndërprerë. INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit 2023 nuk janë objekt i këtij sulmi. Ekipi teknik i INSTAT menjëherë aktivizoi protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.
INSTAT do të vazhdojë aktivitetin e tij statistikor dhe do të përdorë mjete alternative komunikimi si adresa e email-it [email protected] dhe kanalet zyrtare të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook.
INSTAT i kërkon ndjesë publikut për këtë pamundësi ofrimi shërbimesh momental që shkaktoi ky incident dhe siguron publikun se po punon intensivisht për të rikthyer shërbimet e tij sa më shpejt të jetë e mundur. INSTAT do të njoftojë datat e reja të publikimit dhe falënderon përdoruesit, partnerët dhe veçanërisht ekspertët e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për ndihmën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe deri në funksionimin e plotë të gjithë sistemeve të Teknologjisë së Informacionit të INSTAT.
INSTAT mbetet i angazhuar për të siguruar statistika zyrtare me cilësi të lartë dhe të besueshme për përdoruesit.
Çfarë ndodhi sot?
Grupi Homeland Justice tha se ka arritur të marrë 100 terabajt të dhëna, ku përfshihen edhe të dhënat e censit, që sipas tyre janë kopjuar dhe hequr nga serverët.
“Instat është fshehtësi më i madh i së vërtetës. Tani kemi akses të plotë në mbi 100 Terabajt të të dhënave tuaja GIS dhe censit. Të dhënat gjithashtu janë kopjuar dhe hequr nga serverët. Do ta kthejmë Drejtësinë në Atdheun tonë. Të gjitha statistikat janë kundër jush”, shkruajnë ata.







