nga Taulanda Jupi
Në thelb të një shoqërie të drejtë dhe të fortë qëndron një qeverisje e ndershme, e përgjegjshme dhe e palëkundur përballë tundimeve të korrupsionit. Por çfarë ndodh kur shteti e tradhëton këtë besim? Çfarë ndodh kur politika nuk është më një shërbim ndaj publikut, por një mjet për pasurim personal? Përgjigjja është e thjeshtë dhe tragjike: ndodh Nishi, ndodh Kocani, ndodh Gërdeci, ndodh vrasja e fëmijëve të shfrytëzuar për punë tek landfilli i Tiranës, ndodh shembja e ndërtesave nga tërmeti i 2019-ës, ndodh çdo skandal që trondit jetën e qytetarëve.
Shpeshherë, korrupsioni shihet si një abuzim i thjeshtë me paranë publike, një vjedhje nga arka e shtetit. Por ai është më shumë se kaq. Ai është një virus që gërryen themelet e një shoqërie të ndershme, duke e bërë të pamundur besimin tek institucionet, drejtësia dhe vetë jeta. Korrupsioni nuk është thjesht një çështje etike por është një krim që merr jetë njerëzish në mënyra që shpesh as nuk i mendojmë. Ai vret kur rrugët ndërtohen me materiale të dobëta dhe shndërrohen në varre për ata që i përdorin. Ai vret kur spitalet keqmenaxhohen dhe ilaçet e nevojshme për pacientët e sëmurë me kancer shndërrohen në një lojë fitimesh për oligarkët e shëndetësisë. Ai vret kur ndërtesat shemben mbi njerëzit për shkak të një zyrtari të korruptuar që i ka certifikuar si të sigurta.
Në Nish të Serbisë, një aksident tragjik u mori jetën të rinjve dhe ndezi një valë protestash që rrëzuan qeverinë dhe çuan në zgjedhje të parakohshme. Në Kocan të Maqedonisë së Veriut, 60 të rinj u dogjën të gjallë për shkak të mbylljes së syve nga pushtetarët e korruptuar. Në vendin tonë, 28 punëtorë humbën jetën në Gërdec, një skandal që përfaqëson fytyrën më të shëmtuar të korrupsionit: një kombinim i babëzisë dhe indiferencës ndaj jetës njerëzore.
Por ajo që është edhe më e tmerrshme është se ky model nuk ndryshon. Në vitin 2019, 51 qytetarë u zunë poshtë rrënojave të pallateve të shpallura “të sigurta” nga zyrtarë të korruptuar. Ato ndërtesa ishin dëmtuar më parë nga një tërmet i vogël, por askush nuk mori masa, sepse askush nuk e pa të arsyeshme të sfidonte sistemin e korruptuar. A nuk është kjo vrasje e nga dora e shtetit? Dhe çfarë mund të thuhet për pacientët me kancer, të cilëve iu mohua trajtimi për shkak të skandaleve në QSUNT? Kur korrupsioni përfshin edhe spitalet, atëherë jemi përpara një qeverie që ka humbur çdo ndjenjë të moralit dhe përgjegjësisë.
Ka një mësim të qartë këtu: politika nuk është një mundësi për të bërë biznes, por një barrë e shenjtë e përgjegjësisë ndaj qytetarit. Dhe kur politikanët e shohin shtetin si një bankë private, ata duhet të dëbohen nga pushteti një herë e mirë. Qytetarët nuk e kanë më luksin e indiferencës. Ata duhet të zgjedhin politikanë të pakorruptuar, të vendosur dhe të pamëshirshëm ndaj korrupsionit. Sepse në fund të fundit, demokracia nuk është thjesht e drejta për të votuar, por edhe e drejta për të jetuar në siguri, në drejtësi dhe me dinjitet.
