Nga Fatmir Terziu
Shkrimtari i mirënjohur tashmë, Shefqet Meko, ka nxjerr në dritë kohët e fundit romanin e tij më të ri „Rënia“ të botuar nga Shtëpia Botuese „Mediaprint“.
Ne jetuam! Ne provuam! Ne u bëmë dëshmitarë! Le të bëhet protagonist Maks Prifti jo thjesht personazhi kryesor, por mesazhieri, në tekstin romanor të shkrimtarit të mirënjohur tashmë, Shefqet Meko! Vetëm ky fakt letrar mjafton për t’i shtyrë gjërat, faktet, ndodhitë, diskurset në ekstazë çnjerëzore. Sigurisht, një sukses i tillë është i shpjegueshëm. Është i tillë se pena e Mekos ka qenë në brendësi të shumë labirintheve kohore në shumë raste gazetareske, dhe kjo penë me sqimën e saj e bën që personazhi të jetë i pranishëm edhe si personazh dytësor. Në përgjithësi, romani i ri i Mekos është një udhëtim diskursiv tani, sot në Shqipëri – një vend mrekullisht i bukur, por i goditur për dekadat e ardhshme nga komunizmi, i zhytur në harresë, hije dhe imazhe të së shkuarës, fantazma dhe krijime djallëzore…, mbetet dhe një „… verbëri” mërmëriti Maks Prifti, ndërsa qëndronte në sallën e madhe të mbledhjeve, ku diskutonte byroja e komitetit të partisë së rajonit F. Ishte vjeshtë e ftohtë e vitit 1987“.
E kështu që në fillim autori jep faktin, momentin, kohën, hapësirën, vendin dhe udhëton me personazhet e tij, takon zuzar dhe njerëz të mrekullueshëm dhe për të qetësuar shpirtin e lexuesit, ajo i bën thirrje vetë diskursit melodik në të shkruarën e tij tërheqëse për ndihmë me muzikën e tij të butë dhe të shkrirë.

Shefqet Meko fitoi emrin e tij në letrat shqipe me librin e saj të parë “Viza amerikane” (2022, Botimet „M&B), trualli i të cilit ishte gjithashtu një tjetër motiv në vendin e ëndërrave nga ky vend misterioz që struket nën preambulën e Ballkanit. Për një kohë të shkurtër, Meko hyri ndjeshëm me tërë angazhimin. Etij prej vitesh në krijimtari në modën letrare. Shkrimet e tij janë mbi të gjitha prozë e fortë, muskulare që mbështetet në komplotin origjinal dhe rrëfimin e ndodhive, duke trajtuar me mjeshtëri transferimin në kohë – të kaluarën dhe të tashmen. Dhe e kam të sigurtë se ai tashmë është një penë që të tërheq. Mendoj se në personin e talentin e tij atë e kemi. Edhe vetëm shembulli i tematikës së fundit na jep shpresë se më në fund do ta marrim në dorë libra të tjerë të përsosur. Por në fund nuk ka rëndësi. Në personin e Mekos kemi romanin tonë modern, me stil, të tërheqshëm. Thjesht duhet lexuar, sepse në letërsinë tonë tema nuk hesht, dhe nuk bën përjashtim trajtesa edhe jashtë vendit sikurse ka ardhur në duart tona „Rënia“. Në përgjithësi, bëhet fjalë për traumat e komunizmit në mendimin e shqiptarëve, për trashëgiminë e rëndë të tij, të cilën ende nuk mund ta kapërcejmë. Një roman i tillë nuk mund të shfaqet në Shqipëri, një roman të tillë e shkruan një person që është i çliruar në vetvete dhe nuk merr parasysh konjukturën. Shefqet Meko është pikërisht ai në letërsi – një autor i liruar që sheh diçka të bukur në shtëpitë tona, por sheh edhe trashëgiminë e komunizmit, dështimin „Të zhgënjyr nga komunizmi imagjinar shqiptar, askush nuk kërkoi të gjente shpresë dhe liri në lindjen e largët, në Pekinin e shokut Mao. Lëvizjet e shpejta diplomatike i kërkonin qeverisë komuniste për t’i paisur me pasaporta për të ikur jashtë.“ (Faqe 175); shikon ende kampe „Një ide tjetër kërkonte të krijonte një kamp me çadra refugjatesh në majë të Dajtit, ku njerëzit të prisnin vendimin e vonshëm të qeverisë.“ (po aty); vrasje „Për ta ishte vrasje në detyrë, vrasje për një banjë më vete, siç ka nevojë njeriu.“ (faqe 77); vetëvrasje „Komunikata e shtypit për vetëvrasjen befasuese ishte bërë publike.“ (faqe 71) mizori dhe në fund të fundit, të njëjtit njerëz janë ende në pushtet.

Vetë autori nuk i fsheh fare prototipet e romanit të tij dhe sidomos personazhi kryesor Maks Prifti, i cili është një sy e një gojë tek Sekretari që i thotë hapur: „….e shkuara e babait tuaj ka pika të errëta që ne na bind të mos të pranojmë kërkesën tënde, megjithse organizata bazë në fakultet të pranoi…Por ti je përsëri i joni, njeriu ynë dhe partia të do të vijosh punën si deri më sot. Ju…“ (Faqe 4) “…”, në të cilin ai është personazhi kryesor, po ashtu dhe një dëshmitar me një sekretar si Sybi Fiku. Në të tashmen, këta dy ndërtojnë një sfond të qartë e të kuptueshëm dhe kështu romani rrësket lehtë në këtë sfond që trajtohet bukur nga fillimi në fund. Si sfond është edhe shakaxhiu, grafomani, thjeshtësi dhe një aludim transparent për heroin aktual dhe një emanacion të paturpësisë së asaj kohe. Çfarë mendoni – a do ta shkruante këtë një krijues i lindur jashtë asaj kohe?! Në të njëjtën kohë, romani është i mbushur me mesazhe dhe përshkrime të mrekullueshme të kohës, gjatë gjithë kohës që ndjen se tashmë ke qenë atje në tërësinë ekzistente, i larë në ngjyrë tipologjike frike, por edhe një vend i një absurditetit të frikshëm „Adnan Lufta qeshi lehtë. Solli nëpër duar një stilograf dhe duke e parë drejt në sy Maks Priftin i tha:
-Për ç’farë fati e ke fjalën? Të ka zënë frika!?
-Jo. Jeta nuk është frikë për mua, por mënyra se si më gjykuan është e frikshme. Unë vihem në dyshim nga karta të zverdhura e të pluhurosua për dekada dhe kjo është e dhimbëshme, por do t’i nënshtrohem çdo vendimi.“
Në të njëjtën kohë, nga faqja e parë deri në të fundit, nuk mund të heqësh qafe ndjenjën se kjo është një dënim i rëndë kundër komunizmit, i cili e ka kthyer një vend të lulëzuar në një vend mizor, që ka shkatërruar njerëz të mrekullueshëm, krijuesit e ndershëm dhe të vërtetë, për t’u hapur rrugë llojeve elementare dhe shpërfllëse të realitetit madje dhe vetë dashurisë „Për Maksin ajo sikur ishte një klasë tjetër. Jo thjesht “klasë e përmbysur”, por një diçka e mëtejme ku ka një kod tjetër, një mendim ndryshe. Një zë nga brenda sikur e turbulloi “Pse nuk re në dashuri me Landën? Ajo do të ta kishte bërë më të lehtë këtë dramë. Vajza e komunistit të braktisi. Landa nuk do ta bënte kurrë këtë…”“ (Faqe 24).
Dhe gjithçka fillon me një shfaqjen e hijes. „Unë jam Miço Delvina, operativ i sigurimit të zonës që mbulon edhe Shkollën e Lartë B. Kam vetëm dy javë që jam transferuar këtu – i tha duke u ulur në karrigen në krah. Ishte hera e parë që një operativ sigurimi trokiste aq serbes në zyrën e tij. Kjo nuk i pëlqeu. Punën që kishte kryer deri më tash nuk kishte asnjë piktakim me punonjësit e sigurimit. Oficerin e mëparshëm e kishte parë disa herë vërdallë, por nuk ishin takuar kurrë.“
Ky takim është vetë një udhëtim që të çon ata nëpër ftë gjitha skutat, përtej vargjeve të poezisë, i zotëruar mirë nga vetë mekanizmat e pushtetit, ai ishte thjesht një i bindur i atij sistemi, për të mos thënë hapur vetë një komunist i bindur i strukur me mantelin zyrtar të hijes. Me ta udhëton edhe një mori kafshuese qensh, si për të theksuar dhe kujtuar se në këtë vend edhe kafshët kërkojnë shpëtim me instiktin e tyre të kafshimit „Ishte kohë e vështirë që përditë majiste si një plagë nga kafshimi i qenve.“ (Faqe 2). Aksioni transferohet në tërësinë diskursive të narrativit dhe aty shihet ngadalë shkërrmoqja e hijeve të narrativës. Përgjatë narrativës së komunizmit, Shefqet Meko thekson vazhdimisht pabarazinë e tmerrshme në vend.
Kur tregon historinë e personazhit kryesor Maks Prifti, apo dhe të tjerëve, në një farë mënyre përmend fare bukur realitetet, të cilat nëse nuk shkruhen sot, brezat do ti harrojnë e nuk do ti kuptojnë dot. Kështu ky roman është në kohën e duhur e në vendin e duhur nga një talent i tillë sikurse është tashmë Shefqet Meko. Gjithçka harrohet dhe kujtesa humbet si në një mjegull të dendur… Por gjithçka mund të ndodhë përsëri, të mos e harrojmë… Këtu është një pjesë e tekstit të Shefqet Mekos: “- Mbulim me harresë dhe heshtje frike. Po varroste dashurinë e tij apo dashurinë për Atdheun? Vari kokën për të parë trajektoren e unazave.Kishte një etje të tmerrshme për të pare se sa thellë po shkonin, cili do ishte peshku i parë që do kafshonte atë karem të florinjtë. Peshk shqiptar apo italian?.” (faqe 264).
Epo, u përpoqa t’ju rrëfej, lexues të dashur, krejt skematikisht romanin e Shefqet Mekos, sepse jam i sigurt se një libër i tillë nuk do të shkruhet kurrë nga një shkrimtar, sepse të gjithë presin një bekim nga personazhi të cilit në fund i ndodh: „Maks Prifti ishte çmendur paqësisht në tokë të huaj. Ishte një nga të çmendurit e rallë me plot ide në kokë, aspak agresiv por me një inventar mendor të torollepsur në trurin e vet. Nuk kontrollonte dot asgjë logjike. Italianët të habitur pyesnin: “Ky është njeriu i ri shqiptar…?“. Të paktën për të reklamuar këtë tekst madhështor “Rënia”. Lexojeni, do të mendoni shumë herë për jetën tonë të përbashkët në një gënjeshtër, një gënjeshtër komuniste dhe po aq edhe postkomuniste.
Muajin e kaluar romanin e prezantoi Shefqet Meko edhe në Shqipëri. Unë e ndoqa me kënaqësi dhe u emocionova shumë kur pashë prezencë të madhe, dhe kritikën e avancuar, po aq dhe prezencën e medias, si dhe firmat e dy shkrimtarëve recenzentë të librit Arben Çejku dhe Ahmet Premçi. Dhe më pas ndoqa edhe prezencën e tij në media. Pastaj kuptova se kjo penë nga SHBA-ja kishte lexuar gjithçka që publikohej për represionin në vend, për komunizmin, për postkomunizmin dhe fatin tonë aktual. A është çudi që Shefqet Meko shkroi këtë roman të rëndësishëm për fatin tonë shqiptar!?! Sidoqoftë një gjë është e qartë dhe e saktë „Rënia“, romani i Shefqet Mekos, është ajo që narrativin e tij e ngre lart. Shumë lart! Fjalaelire.com
