Pensionistëve do t’u hapet drita jeshile për të pasur akses në kreditim. Në dokumentin e planit të moshimit 2025-2030, të miratuar nga qeveria thuhet se nga një analizë e situatës aktuale është identifikuar se të moshuarit në Shqipëri kanë kufizime në aksesin në shërbime bankare dhe financiare.
Këto kufizime në sistemin bankar janë të shoqëruara me komisione më të larta se grup mosha të tjera në marrjen e kredive për hapjen e një biznesi të vogël, me qëllim rritjen e të ardhurave.
Sipas dokumentit, të moshuarit e moshës 60+, e kanë të pamundur të vënë në shfrytëzim asetet në pronësi të tyre, si p.sh. shtëpi, toka (fermerët), për shkak se nuk kanë akses për marrjen e një kredie të vogël, apo overdrafti, ku si shkak konsiderohen të ardhurat e pamjaftueshme, dhe kjo pengon vetëpunësimin e tyre dhe sigurimin e të ardhurave.
Për këtë arsye, planifikohet firmosja e një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Bankës Qendrore për lehtësirat për të moshuarit në sistemin bankar.
Referuar dokumentit, të paktën 2 banka të nivelit të dytë kanë ofruar kritere lehtësuese për individët e moshës së tretë që aplikojnë për kredi.
Në dokument nënvizohet se sistemi financiar duhet të përfshihet në hartimin e politikave më atraktive për këtë grup moshë. Kjo do të jepte mundësi që të moshuarit të jenë aktivë në tregun e punës dhe të integruar.
Rezultatet e pritshme nga kjo iniciativë, është krijimi i mundësive për vetëpunësim dhe për një jetë aktive, si dhe mbrojtje nga diskriminimi për individët e aftë fizikisht dhe mendërisht të moshës 60+. SCAN