Qindra personalitete të letrave e politikës në promovimin e librit të gjashtë të Ahmet Prençi
“Në emër të Gjakut” është më shumë se një libër – është një testament moral, që mund të shkruhet vetëm nga një njeri që ka gjetur balancën me kohën, veten, shtetin dhe shoqërinë”, tha Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Me pretendimin për të qenë një shkrimtar që do lë gjurmë në letërsinë shqiptare, sipas shkrimtarit, diplomatit dhe politologut Arben Çejku, poeti dhe prozatori tashmë i mirënjohur Ahmet Prençi sjell rrëfime në libra që i mungojnë letërsisë shqipe. Kjo sipas tij për faktin se, me kontributin, me penën e mprehte A.Prençi shkruan letërsi moderne të kohëve tona

Vetëm pak ditë pasi fitoi çmimin “Për prozë” në panairin e librit në Prishtinë (dhe katër vjet pas vlerësimit me Çmimin e Karrierës “Gjergj Fishta”, për romanin “Anja” në eventin kushtuar 150- vjetorit të lindjes së poetit të madh dhe korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare, Atë Gjergj Fishta, organizuar nga Bashkia dhe Biblioteka e Lezhës), poeti dhe prozatori Ahmet Prençi tejmbushi sallën “Eqerem Çabej” të Akademisë së Shkencave në Tiranë, në promovimin e librit të tij me tregime dhe novela “Në emër të gjakut”.
Gjithkush që u ndodh në këtë sallë të tejmbushur, jo vetëm me shkrimtarë e artistë të Tiranës, por edhe me politikanë të rangut të lartë (merrnin pjesë numri dy i shtetit, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Skënder Gjinushi, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ish-ministri i Jashtëm, shkrimtari i mirënjohur Besnik Mustafaj, avokati i Popullit Erinda Ballanca, etj), provoi emocionet e njohjes me një vepër ku letrarizohet mjeshtërisht “dosja e zezë” e Marsit të mbrapshtë ’’97.
NDËRTIMI I LETËRSISË MBI REALITETE DHE PËRJETIME, SI METAFORË E THELLË
Moderatorja e këtij eventi, gazetarja e mirënjohur Monika Stafa, që vetëm para tre ditësh botoi impresionet e para të leximit të librit “Në emër të gjakut” (me titullin itrigues “Komisari”që rrëfen në emër të dritës”), që në fillim e prezantoi Ahmet Prençin para një auditori kaq gjithpërfshirës, si autorin me ndjesi të kultivuar artistike, i cili përfshin në librin e tij tregime të jetës, fate njerëzish që përgjithësisht e kanë shkruar vetë emrin e tyre. Në këtë vëllim me tregime e novela është Shqipëria jonë në një kohë jo fort të largët… Është viti 1997, që kush e jetoi patjetër që e kujton si një apokalips të çmendur që i ra Shqipërisë ta mbajë…
Dhe po në këtë linjë, vetë autori Prençi i këtij libri me 7 tregime dhe dy novela, pohon ndërtimin e letërsisë së tij mbi realitete dhe përjetime, si metaforë e thellë…Kjo edhe për faktin se sipas tij “Në emër të gjakut’, nuk është thjesht një përmbledhje tregimesh dhe novela. Është një përpjekje për të ndërtuar letërsi mbi realitete që i kam parë, dëgjuar, ndjerë apo që më kanë lënë një shenjë të pashlyeshme. Janë fabula që lindin nga ngjarje të vërteta, por që pastaj udhëtojnë përtej faktit, në tokën e dendur të imagjinatës, ku fjala nuk ka vetëm detyrën të tregojë, por edhe të kuptojë, të ndriçojë, të falë dhe ndonjëherë… të qajë në heshtje.
E ndjej të domosdoshme të them se ky libër nuk është një libër kujtimesh, as një kronikë ngjarjesh, e aq më pak një pasqyrë personash konkretë. Letërsia nuk është pasqyrë e thjeshtë, ajo është shpesh pasqyrë e përmbysur, metaforë e thellë, shpirt i shndërruar në rrëfim.
E di që ndonjë lexues mund të ndjejë ngjashmëri me njerëz, me emra, me vende apo situata. Kjo është e kuptueshme. Por ju ftoj ta lexoni këtë libër me zemër të hapur dhe me vetëdijen se çdo ngjarje këtu ka kaluar përmes sitës së ndjeshmërisë dhe penës krijuese. Ajo që dikur ka qenë një plagë, këtu është kthyer në fjalë. Ajo që dikur ka qenë e vërtetë, këtu është bërë e jetueshme për të gjithë nëpërmjet fantazisë letrare. Sepse ky është misioni i letërsisë, të rrëfejë pa rënë në gjykim, të kujtojë pa hedhur gurë, të ndjejë pa paragjykuar…”
Autori Prençi falenderoi përzemërsisht miqtë e shumtë pjesëmarrës në promovimin e librit të tij, dhe në veçanti botuesen e MediaPrint Elda Velaj për angazhimin dhe përkujdesjen për të patur një botim cilësor. Nga zemra ai falenderoj poetin dhe shkrimtarin Rudolf Marku që i pari lexoi në dorshkrim librin dhe e ka përcjellë atë me një parathënie brilante..
DILEMAT MES HAKMARRJES DHE DREJTËSISË
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, duke pohuar se e konsideron si mik dhe vëlla shkrimtarin Ahmet Prençi, me të cilin kanë ndarë përjetime në çaste gëzimesh por edhe rrugëtimesh të vështira, ndër të tjera tha se tregimet e librit “Në emër të gjakut” janë tregime që flasin në emër të drejtësisë dhe ndërgjegjes. Pasi foli për portretin e një njeriu, të një bashkluftëtari në rrugët më të vështira, Manja tha se Ahmet Prençi shkruan për një kohë të marrëzisë sonë kolektive, shkruan për të dëshmuar të vërtetat që shpesh harrohen. Ahmet Prençi nuk shkruan për të zbukuruar realitetin, por për t’i dhënë zë punës së drejtuesve të ndershëm. Në optikën e ministrit Manja: “Në emër të Gjakut” është më shumë se një libër – është një testament moral, që mund të shkruhet vetëm nga një njeri që ka gjetur balancën me kohën, veten, shtetin dhe shoqërinë”..
Në të njetën linjë edhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ndër të tjera tha se Ahmet Prençi vjen në këtë start të shkrimtarisë, i ngarkuar emocionalisht siç shkruante në rininë e titij të herëshme kur e frymëzonte mësuesi i tij i letërsisë, i paharruari Islam Çenga. Për kreun e dikasterit blu, libri “Në emër të gjakut” nuk është vetëm letërsi. Është një testament i jetuar, kujtesë për ata që ranë në krye të detyrës dhe për ata që mbijetuan me plagë në shpirt e në trup”, tha ai. Sipas Hoxhës, Ahmet Prençi nuk shkruan si spektator, por si dëshmitar dhe pjesëmarrës në atë kohë të vështirë.
“Ai i jep zë një brezi që mbajti mbi supe barrën e kaosit, të dhimbjes dhe të sakrificës. Në çdo faqe, ndjeshmëria njerëzore ndërthuret me mësimin institucional, pa Polici profesionale, pa institucione të forta, pa kujtesë kolektive, historia mund të përsëritet. Dhe askush prej nesh nuk do të dëshironte më një vit si ai”, pohoi Hoxha.
JO THJESHTË RRËFIM ARTISTIK, POR LIBËR KUJTESE
Jo thjeshtë rrëfim artistik, por libër kujtese, e konsideron vëllimin me tregime dhe novela “Në emër të gjakut”, Behar Gjoka, një nga analistët dhe zërat më të spikatur të kritikës së sotme letrare. Sipas tij Ahmet Prençi bën art, rrëfehet emocionalisht dhe artistikisht me një fjalor të jashtëzakonshëm…. Behar Gjoka tha ndër të tjera në këtë ceremoni promovuese se libri i ri i A.Prençit “Në emër të gjakut” është një ditar artistik, një pasqyrë ku shihemi çdo ditë, me të cilin ja hoqi petët lakrorit të padrejtësisë. Ky libër është portreti i autorit Ahmet Prençi, dy romanet e mëparshëm të cilit “Anja” dhe “Brenga e Prokurorit” janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të botës.
Me pretendimin për të qenë një shkrimtar që do lë gjurmë në letërsinë shqiptare, sipas shkrimtarit, diplomatit dhe politologut Arben Çejku, poeti dhe prozatori tashmë i mirënjohur Ahmet Prençi sjell rrëfime në libra që i mungojnë letërsisë shqipe. Kjo sipas tij për faktin se, me kontributin, me penën e mprehte A.Prençi shkruan letërsi moderne të kohëve tona.
Po ashtu edhe poeti e prozatori Bislim Ahmetaj tha se Ahmet Prençi e ka fituar tashmë titullin shkrimtar profesionist. Tek libri “Në emër të gjakut” është e vërteta që vjen përmes letërsisë. Në tregimet e këtij vëllimi janë personazhe atipikë, ndaj dhe na duket sikur i njohim personazhet e tregimeve të këtij vëllimi. Ahmetaj, foli veçanërisht për tregimet “Masakra e romëve” dhe “Liria për të mos vrarë”. Dhe nëse sipas tij “pak shkrimtarë i kanë përfshirë romët në letërsinë e tyre, romët që në këtë rrëfim të A.Prençit, ja dolën jo vetëm të vetëmbrohen por edhe të asgjësojnë një bandë të rrezikshme, romët mbijetojnë në çdo rrethanë të historisë, “Liria për të mos vrarë” është, tregim atipik. Është rrëfim i mësuesit që ka lindur të mos vrasë, që merr rrugët e botës për të mos qenë në gjak. Ai nuk don ta marrë gjakun…Është personazhi që nuk don të vrasë, mdaj vendos të arratiset, të zhduket….”.
Dhe siç shkruan Rudol Marku (laureat i parë, studiues, përkthyes e shkrimtar): Ahmet Prençi është, natyrisht, i njëjti autor i ‘Brenga e Prokurorit’ dhe ‘Anja’-s, këtë radhë veshur me rrobat e një tregimtari… “Libri me tregime që kemi në duar është konstruktuar si një bashkësi tregimesh (në pjesën më të madhe) me ngjarje nga e njëjta periudhë dhe nga e njëjta atmosferë e asaj pjese të Historisë tonë, sa tragjike, aq dhe e dhembshme dhe herë- herë dhe groteske, e vitit 1997. Një çast historik që mund të na kishte shërbyer si një letër lakmus plot dhembje për të zbuluar ca të vërteta thelbësore për shoqërinë tonë dhe për vetë ne, shqiptarët. Por mbetur një çast historik çuditërisht i shmangur me kujdes nga shumica e krijuesve tanë, për të mos shërbyer si material i dorës së parë për ta pasqyruar në letërsi”-shkruan Rudolf Marku.
Po. Siç shkruan në reçensën e saj Ajne Ibërhysa, Libri “Në emër të gjakut” i autorit Ahmet Prençi, nuk është vetëm një përmbledhje tregimesh dhe novelash; është një thirrje, një gjëmë, një përulje përpara së vërtetës së hidhur që përshkroi Shqipërinë në vitin 1997, vitin e krizës më të madhe të pasluftës, vitin e zhveshjes së shtetit, të thyerjes së njeriut dhe të përplasjes mes jetës dhe instinktit për të mbijetuar.
Këto ndjesi kam provuar edhe unë si një nga lexuesit e parë të këtij libri që në dorëshkrim, tre tregime të të cilit, me rekomandimin tim i botoi edhe një nga të përditshmet shqiptare .
Letërsia e Ahmet Prençit është prozë që intepretohet me ndjenjë, siç u interpretuan me mjështëri të rrallë artistike nga aktorët Vin Bejleri e Ola Harizaj, fragmenet ngë tregimet “Në emër të gjakut” dhe “Pallati presidencil që nuk ra”. Aurori i shkrimit eshte Mjeshtër i Madh