Është zhvilluar mesditën e së hënës seanca e radhës në Gjykatën e Fierit për kërkesën e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji për lirim të parakohshëm me kusht.
Sipas avokatit Ledio Braho, gjatë seancës është paraqitur një raport vlerësimi pozitiv nga drejtuesit e burgut të Fierit, ku Salianji po vuan dënimin prej 1 viti për kallëzim të rremë në çështjen e njohur si “Babale”.
Gjykata ka njoftuar se, sipas procedurës ligjore, Shërbimi i Provës duhet të dorëzojë raportin përkatës deri më 8 korrik 2025.
Pas kësaj date, gjykata do të vendosë nëse do të pranojë apo do të rrëzojë kërkesën për lirim me kusht.
Ervin Salianji ndodhet në burg që prej 27 shtatorit 2024, pasi dënimi i tij u la në fuqi me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë.