HomeKulture"Në emën të gjakut…"Nikoleta Kovaçi: Asht nji shteg i veçantë, asht nji...

“Në emën të gjakut…”Nikoleta Kovaçi: Asht nji shteg i veçantë, asht nji gur i randë…sa e si i Sizifit! Asht libër për çdo emën, për çdo mendje e për çdo zemër

Nga Nikoleta Kovaçi
Në emën të gjakut…

…asht nji libër i ri, asht nji ftesë e re, asht nji shteg i veçantë, asht nji gur i randë…sa e si i Sizifit! Por ka nji ndryshim; varet kush mundet me e marrë e me e mbajt mbi krahë, mbi qafë e krye, e varet kush thotë; mue s`më përket e nuk kam pse ta bajë… Ahmet Prençi duket se nuk e ka lshue prej 28 vjetësh, e tash ka vendos me e nda ktë peshë me ata që e ndjejnë, ata që s`duen me harrue, se plagët që krijojnë ndodhitë e mbrapshta s`janë për këdo; fundja ne na ndodhën, e na ua lamë derën hapun! Tash le të vuajnë ata që kanë kujtesë, të tjerët, ata që hodhën benzinë në zarmin e madh që dogji Shqipninë në vitin 1997, thjesht bajnë sikur janë pjesë e kalvarit të atyne që iu dhembi Shqipnia, që iu dhemb e ka me iu dhimb edhe nesër…

Të hysh në dëshmitë-rrëfim të këtij libri, asht si të kalosh nga nji portë ferri në tjetrën; kudo me protagonistë në dukje rastësor, të atypëratyshëm, si të dalun nga nji tokë monstër, e jo kjo e Jona, që ne na kanë mësue me e dashtë pa kushte. Por autori me mjeshtri kësaj kategorie të çmendurish me armë e ligj në duar, iu kundërvë një armatë me njerëz, nga ata të vërtetët, ata që ruajtën shpirtin, frymën e idealin që mos të bjerrnin në qorrsokakun ku ishte përgatit gjella e prishun prej nga shumë anë…

“Në emën të gjakut” asht sfida që Ahmet Prençi ban me të vërtetën që e ka rujt thellë, që e ka kurue ndër vite të vetat e rrugëtimit të tij, e po aq e ka mbështjellë me mirësinë që ai di të kurojë çdo fjalë që flet, jo ma ato që shkruen. Asht fat kur njerëzit e mirë bajnë edhe letërsi; na kena nevojë, për ne asht domosdoshmëri… Çdo ngjarje në këtë libër asht copëz e kujtdo që u gjend në atë lukuni e që guxoi të ruante një grimë Shqipni të paprekun, të padjegun, të papërçudnueme. Libri asht jo vetëm dëshmi e asaj që ndodhi, që u duk, që u pa, por një himn për të gjithë ata që banë betejën e tyne në heshtje, larg famës e lavdisë, që në kulmin e dëshpërimit pyetën njani-tjetrin: Nëse vritena sonte, a do shkruajë kush për ne? e dikush nga kulmi tjetër i nevojës me qëndrue do t`i përgjigjej: Po, kur Shqipnia të jetë gati…

Shqipnia në fakt gjithmonë asht kanë gati, por tashma duhet pyet; shqiptarët a janë gati…?!

“Në emën të gjakut” asht libër për çdo emën, për çdo mendje e për çdo zemër, çfarëdo lloj roli të ketë pas atëherë, ma herët e ma vonë, ky libër ka me i shërbye për diçka, e madje për shumëçka…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular