nga Nikoleta Kovaçi
Pak ditë më parë, u ndala te libri i ri i Ahmet Prençit, “Ministri”! Një roman me të cilin autori vijon të hulumtojë në zhanrin e munguar policesk në letërsinë tonë! Në fakt lexoj sa mundem të gjithë autorët shqiptarë, por Ahmetin e lexoj munda apo s’munda, sepse asht në “hullinë” që unë njoh mirë…
Ai rimerr Marjan Bojën nga “Brenga” tue sjell në nji realitet tjetër, në një terren tjetër e në një atmosferë tjetër! Marjani asht kriminel te ‘Brenga’, por deri te krijimi i kushteve me u ba zgjedhje në Shqipni, Marjani ka kohë me u ba edhe ministër, pasi autori e pajis Marjanin me të gjitha mundësitë që pajis leku i krimit trimthat tanë që kanë mundësi me hy edhe në mes të Amerikës së madhe e prej andej me peshkue terrenin mjeran që kurdis politika hajdute e Tiranës!
Në rrugën e gjatë të transformimit të Marjanit, nga nji kriminel, që në fakt ai as në fillim dhe as në fund nuk del kriminel se asht kriminel, po që e kanë ba rrethanat e mizerjes që asht kultivue në këtë vend, autori gjen elementët e duhun që i mjaftojnë Marjanit me u ba pjesë e sipërmarrësve amerikanë! E prej aty langojtë e politikës së Tiranës që lypin lëmoshë andej e i vjedhin ktej, medoemos do ta pikasnin lobuesin e zot e madje i hapin edhe rrugën me ardhë në Tiranën e mjerë si aset me fitue zgjedhjet! Shpëtimtari amerikano-shqiptar jo vetëm që i ka rrugët e shtrueme me i hy politikës po si i ardhun prej Amerikës së madhe ai ka edhe postin gati, madje atë të Ministrisë së Brendshme! Autori rri në habitatin e vet me zgjidhjen jo vetëm për shkak të zhanrit dhe njohjeve përfekte se si funksionon si dikaster, por edhe për shkak të rëndësisë që duhet të ketë ajo ministri në këtë vendin tonë të rrënuem nga bashkëpunimi rrënjësor pushtet-krim!
Marjani, që tashma nuk asht ma Marjani vizivisht dhe si identitet, merr me vedi pikërisht thelbin e jetës së vet që e ka ba kriminel, e fsheh te skuta e hakmarrjes dhe e mbart me kujdes deri sa të vijë momenti t’a hedhi si “ushqim” për të gjitha paudhësitë që i janë ba që pa ardh në këtë botë!
Marjani-ministër do me ba punët e veta, bashkon batakqinj në krye sektorësh jetik, nji qyqe vartëseje që i pëlqen e mashtron, kryeministrin e popullin i ka mashtrue që në krye të herës, por ka problem me drejtorin e Policisë së Shtetit! Ahmeti e pajis drejtorin me cilësi profesionale e njerëzore që duhet t’i ketë nji kryepolic dhe beteja e përplasjeve mes ministrit dhe drejtorit shkon te kryeministri për të marrë udhë, por në mes të përplasjes futen elementët e shantazhit, vjedhjes dhe sajimit të informacionit ku si gjithnjë del në pah media dukshëm e bleshme dhe e shitshme lehtë dhe me dëshirë! Romani mbyllet me zbulimin e identitetit të ministrit, me autoritetet që e arrestojnë në komision të mandateve dhe me nji mesazh therës që del nga goja e Marjan Bojës me pranga në duar dhe nën kostumin e ministrit!
Autori në fillim të librit lajmëron lexuesin që të ketë kujdes me identifikimin e personazheve me ndonjë rast që e njohim si të ngjashëm! Në fakt kur e mbarova librin mu qesh pikërisht me këtë drojë të Ahmetit se mos Marjani ministër ngjante me ndonjë ministër qeverive tona e sidomos të ksokohshëm që s’ka burg që i mban mrena, se sado i madh të jetë prapë nuk i zë prapësitë e tyne!
Dhe pikërisht në këtë pikë ngjashmërie del se romani “Ministri” asht i gjithi fiction! Dhe e dini pse?! Sepse fatkeqësisht na nuk kena asnji prej personazheve kryesorë që ka servir autori në këtë roman! Kryeministri i romanit nuk ka asnji lidhje me kryeministrin tonë, ministri nuk ka asnji ngjashmëri me ministrat tonë në përgjithësi, e ata të brendshmit në veçanti: janë vite dritë larg, por fatkeqësisht as krimineli personazh i “Ministrit” nuk ka asnji lidhje me kriminelët hajvanë të vendit tonë! E vetmja ngjashmëri që mund të hiqet si paralele mes narrativës së romanit dhe kohës aktuale asht jargavitja e politikanve tanë para faktorit ndërkombëtar, të tjerat nuk kanë asnjë pikë lidhjeje me çfarë ka ndodh e po ndodh në Shqipninl tonë.
Sepse Ahmeti kryeministrit, ministrit, kryepolicit e kriminelit iu vesh cilësi që duhet t’i kenë, edhe pse asnji prej tyne nuk i kanë! Dhe afërmendsh nuk mund t’i kenë, e për këtë vjen në fund mesazhi tronditës i “kriminelit” Marjan Boja, që live demaskon poshtërsinë që mbart pushteti-shtet, aq sa të jepet të mendosh: na as kriminelat s’i kena me burrni, po na duhet me e shpik nja me ua hedh si model batakqinjëve që bashkëpunojnë me hajnat politikë, a thue mes gjithë ktij llumi del ndonjë që mendon e beson si Marjan Boja…







