Në Gjykatën e Dibrës është zhvilluar ditën e sotme seanca ndaj Fatjon Bushgjokës dhe Petrit Çakrrit, dy të akuzuarve për vrasjen makabre të 23-vjeçarit Renis Dobra.
Sipas gazetarit Enver Doçi, gjatë gjyqit që zgjati rreth 1 orë ka pasur debata të forta mes të dyshuarit Fatjon Bushgjokaj dhe kryeprokurorit të Dibrës.
34-vjeçari mësohet se ka kundërshtuar provat e paraqitura nga organi i akuzës.
Por, prokurorët kanë pretenduar se provat janë të plota, duke pasur parasysh që janë mbledhur edhe të dhëna nga GPS e makinave apo pamje nga kamerat e sigurisë të vendosura gjatë rrugës, ku automjeti i Renis Dobrës është ndjekur nga dy makina të tjera.
Në përgfundim të seancës, Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Fatjon Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur dy vëllezërit e 34-vjeçarit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, që dyshohet se janë larguar nga Shqipëria.







