HomeOP EDNuk ka sukses pa ndjekur “rregullat e suksesit”

Nuk ka sukses pa ndjekur “rregullat e suksesit”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

GËZIM TUSHI

Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq shumë orientim social dhe individual kaq i determinuar dhe kërkesë fondamentale, lufta e përditshme e njeriut për të qenë me çdo kusht i suksesshëm në jetë. Me sa duket, jetojmë në një epokë në të cilën suksesi i vazhduar individual dhe shmangia e dështimit personal është një nga paradigmat sociale e lidhur organikisht me natyrën e shoqërisë moderne.

Kjo paradigmë detyruese dhe shoqërisht e pashmangshme është bërë krejt familjare edhe për shoqërinë e kohës sonë. Madje, beteja për të qenë i suksesshëm apo i familjarizuar me suksesin permanent nuk është më thjesht e konvertuar vetëm në aspektin material apo financiar, por suksesi ka fituar një pavarësi ekzistenciale, është kthyer në një lloj daseni universal për qenien njerëzore, duke firuar pjesën kryesore në terrenin e hapësirës jetike të individit. Suksesi është bërë nevojë obsesive dhe njerëzit janë shpesh të shqetësuar për raportin e me të dhe të rrethuar vazhdimisht nga ndjenja e frikës nga dështimi personal. Ideja e frikës obsesive për të qenë i suksesshëm dhe frika nga dështimi i mundshëm, është “limfë sociale” që sintetizon natyrën e shoqërisë moderne.

Por ky nuk është thjesht problem personal, i lidhur me tipologjinë apo strukturën psikologjike të njeriut si individ i përveçëm. Ndryshimet që kanë ndodhur në raportet e njeriut dhe shoqërisë lidhur me vlerën e suksesit janë thelbësore dhe me ndikim social ontologjik. Koha ka sjellë koncepte të reja për “suksesin” dhe “njeriun e suksesshëm”. Sepse nga e kaluara jonë na është krijuar tabuja kolektiviste për suksesin, duke i dhënë atij një dimension social mediokër, sipas të cilës njeriu për të qenë i suksesshëm duhet të orientohet dhe të përshtatet me “suksesin e përgjithshëm” dhe sipas normave morale e kërkesave sociale të tij.

A është e vërtetë se këto paradigmë e orientimit të suksesit janë me vlerë të qëndrueshme sot, kur realiteti që jetojmë sjell fakte, se në jo pak raste individi i talentuar, shpesh për të arritur suksesin, në jo pak raste është i detyruar të përballet dhe shpesh të konformohet me mediokritetin e determinuar mekanik të “suksesit kolektiv”? Konceptimet naive, deterministe, sociologjizantë që mbivlerësojnë në çdo rast automatikisht “kolektivin apo masën” mbi fuqinë e individit të talentuar është një mjet frenues, që deformon ecjen dhe pengon progresin. Në kohën moderne shumë veprime dhe funksione sociale, përfshirë edhe suksesin apo dështimin kanë prirje të individualizohen.

Koha po tregon se suksesi dhe dështimi është individual, ndërsa veprimet kolektive kanë prirje që të reduktohen si sjellje jo shumë të natyrshme për kohën moderne. Por nga ana tjetër, shoqëria shqiptare tani si kurrë më parë, është në dilemën që shkaktohet nga lufta personale e njeriut për të qenë i pavarur, për të qenë i përqendruar në sigurinë që i duhet, si condite sine quan non, për të qenë i garantuar në tërë segmentin e jetës personale. Njeriu nën presionin e “ideologjisë” së suksesit me çdo kusht, është vazhdimisht në gjendje alarmi e pasigurie, i mbyllur në rrethin e ngushtë të interesave vetjake, rrethi i të cilëve lëviz në trajektoren e përbashkët sociale, që vërtitet në kufirin e ngushtë të sintagmës që është midis “unë” “mua” dhe “imja”.

Ndërkaq, tërë gamën e nevojave dhe të ndërvartësisë sociale për të pasur sa më shumë sukses, njeriu ka filluar t’i shikojë me optikën e ngushtë personale, duke u nisur nga parimi, që pavarësisht tipologjisë së kohës, natyrës individualiste të njeriut, suksesi nuk është gjithnjë dhe në çdo rast i izoluar dhe vetëm i arritur personalisht. Me sa duket, ka ardhur koha që duhet t’i shikojmë me shumë përgjegjësi sociale disa dukuri, që në thelbin e tyre nuk janë aq shumë të personalizuara sa duken. Sepse disa probleme për shkak të zgjerimit të ideologjisë së individualizmit dhe dëshirës frenetike të njeriut, në luftën totale për “sukses personal”, kanë filluar të deformohen në shoqërinë tonë. Padyshim, koha moderne nuk ka sisteme të sigurta për vlerën dhe referencën e suksesit.

Kjo është arsyeja që njeriu mendon, e ndjen dhe e përjeton faktin e vërtetë, se në kohën dhe shoqërinë e sotme, nuk është lehtë të arrish suksesin. Kjo është e pamundur ta presësh si “dhuratë” në kushtet kur të gjithë jemi vazhdimisht e në mënyrë permanente në garë, në kompeticion, apo ca më tepër nuk mund ta kapësh lehtë në kushtet kur të paktën e kemi kuptuar dhe jemi ndërgjegjësuar, se jetojmë në një shoqëri pragmatiste në të cilën gjërat, problemet duke përfshirë edhe suksesin, janë ndryshe, nga që janë të shfaqura në një shoqëri në të cilën suksesi jo gjithnjë është “drejtvizor” në kushtet e një shoqërie që gjithnjë e më shumë ka marrë trajtë sociale të “të lakuar”.

Padyshim ka një shqetësim social të zgjeruar në shoqërinë tonë, sepse duket sikur jetojmë në kohën kur kanë marrë shumë përhapje disa prirje individualiste dhe kanë fituar terren social shumë njerëz, që duket sikur çuditërisht suksesin e arrijnë me rrugë të tjera, që jo domosdoshmërish dhe në të gjitha rastet është e lidhur me angazhimin, punën, kontributet konkrete materiale apo jo materiale. Kjo është arsyeja pse shumë të rinj janë të deprimuar nga që kanë perceptim të deformuar për suksesin, nga që shikojnë se kjo kohë po bën të favorizuar një grup njerëzish, që po mësohen me pasurinë, lavdinë dhe suksesin, që e kanë arritur atë, sikurse thotë intelektuali Zhak Atali (Jasques Atali) në “sinore të rreme”.

Duke analizuar situatën dhe vlerësuar thelbin, esencën dhe formën e rreme të shfaqjes së lavdisë, suksesit të krijohet ideja se shoqëria jonë po adoptohet me këtë kundër kulturë të suksesit të pamerituar, apo të pasurimit pa djersë. Dhe për fat të keq në shoqërinë tonë, shpesh quhen të suksesshëm njerëz të tillë. Ajo që mendoj se është shqetësuese dhe sinjal i keq e shoqërisht toksik, ka të bëjë me faktin e kultivimit të një mentaliteti retrograd për suksesin, që po e pranon dhe gradualisht po adoptohet me “njeriun e suksesshëm”, që shfaqet në shoqëri me imazh social të rremë, me performancë publike të krijuar pikërisht në sajë të “suksesit të pameritur”.

Kjo nuk është çështje e thjeshtë, as duhet parë si patologji e izoluar, që lidhet me një apo disa individë, që janë të “aftë” për të kapur në “forma të rreme”, me mënyra të alambikuara famën, paranë, suksesin e tyre personal. Në të vërtetë, ne kemi nevojë të shqetësohemi për atë që është thelbësore, për zgjerimin e terrenit të “suksesit të rremë” dhe të njeriut me “sukses të pamerituar”, sepse dëmi që po pëson shoqëria nuk është individual, por social e integral. Me ndikime të gjëra ekzistenciale për natyrën e shoqërisë. Sepse këto mekanizma po sjellin përditë e më shumë deformimin e sistemit të vlerave, prishjen e mekanizmit egalitar që i duhet meritës. Këto kanë sjellë koncepte, besime të gabuara e bindje të verbra që kanë goditur parimin e drejtë social që tregon se në çdo rast për të arritur suksesin e për të qenë i suksesshëm, njeriut që i duhet punë, mund, arritje të vërteta.

Pa këto është e dështuar beteja për të qenë i suksesshëm, i famshëm, i pasur apo i lavdishëm. Sepse për të qenë i sinqertë deri në fund me veten si qytetar, por dhe si sociolog, kam përshtypjen se e vërteta e famës, suksesit, arritjeve personale në shoqërinë tonë, nganjëherë është përtej asaj që “shkëlqen” në mënyrë të rreme, asaj që gabimisht reflekton si mirazh social dhe tregues i deformuar i njeriut të suksesshëm. Ne duhet të jemi të shqetësuar për faktin, që shumë njerëz po ecin në rrugën e gabuar dhe kjo po jep efekte destruktive, duke krijuar një situatë kaotike sociale të një shoqërie, që nuk është në gjendje të rregullojë parimet bazë, vlerat e qëndrueshme, ato mekanizma që mund të jenë standarde, për këdo që dëshiron dhe do të ndjekë “rregullat e suksesit”.

Nuk është e lehtë të kërkosh rregulla suksesi dhe sistem të qartë të vlerësimit të drejtë të arritjeve individuale të njeriut, kur tërë mekanizmat dhe sistemet e vlerave dhe qëndrimeve që veprojnë në shoqërinë shqiptare, kanë marrë një drejtim të vetëm, duke ecur në rrugën e luftës tërësisht të individualizuar, duke u bazuar jo në vlera dhe parime, por duke penetruar me stratagjema dhe instrumente të alambikuar për t’u maskuar pas “pelerinës sociale”, përmes formave të shëmtuara të abuzimit, forma të tërthorta që fshihen pas ndikimit dhe adoptimit të shoqërisë me parime të lëkundura e ambiguide të relativizmin moral, që kanë sjellë përhapjen toksike të një lloj mentaliteti minimalist e amoral sipas të cilit, nuk kanë rëndësi mjetet me të cilat e arrin suksesin, rëndësi ka të shmangësh dështimin.

Kjo logjikë është krejt psikovampire, sepse nuk ka lidhje fare me njeriun që lufton dhe është vetafirmues i suksesit personal, por as me rregullin e pranuar të kohës së sotme, që kërkon të luftosh për suksesin ose t’ia mbathësh drejt dështimit. Një gjë është fare e sigurt: nuk ka sukses pa ndjekur “rregullat e suksesit”. Suksesi ka rregullat e veta. Ndryshe suksesi është i dështuar!

Autori, sociolog
Mjeshtër i Madh
Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular