Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zjarrvënia, përmes paketës së re ligjore të propozuar këtë të martë, më 9 shtator, do të trajtohet si vrasje.
“Dënimet për zjarrvënësit duhet të jenë shumë më të rënda sesa dënimet për ndërtuesit pa leje. Apo një ndërtim i paligjshëm në një zonë pylli të mbrojtur, 5–10 vjet. Ndërtimin e paligjshëm mund ta prishësh, kurse rigjenerimin e pyjeve duhen vite për ta bërë, dhe kam bindjen që zjarrvënësit do të trajtohen si vrasësit dhe zjarrvënia e paligjshme duhet të trajtohet si vrasje.
Dhe jetët e njerëzve vihen në rrezik, ndërkohë që bashkë me pyllin ikën edhe shtëpia. Kjo është tamam vrasje me paramendim. Kthesa e re që ne kemi marrë në rrugën e gjatë të vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, për çlirimin e hapësirave publike, nuk do të mbarojë pa mbaruar njëherë e mirë, jo thjesht ato ngrehina që janë instrumenta të zaptimit, por vetë fenomeni.
E di që ka shumë njerëz që shpresojnë që kjo do të jetë si makthi i një nate vere, por nuk do të jetë kështu, sepse nuk ka Shqipëri 2030 në BE me ndërtime pa leje që arrijnë deri në pikën sa bllokojnë komunitete banorësh në hyrje e dalje.”, tha ai.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu masa të rënda edhe për ata që shesin 1 apartament më shumë se 1 herë.
Ai shtoi se edhe mosnjoftimi i deformimeve do të konsiderohet vepër penale.
“Është e rëndësishme që të bllokohet zinxhiri. Ndërtuesit operojnë në bashkëpunim me arkitektët që pranojnë deformimet dhe nuk njoftojnë autoritetin përkatës shtetëror siç ndodh në të gjithë botën. Ky mosnjoftim do të konsiderohet vepër penale. Do të konsiderohet pjesëmarrje në një vepër penale. Natyrisht që arkitekti do humbë gjithçka. Nëse një arkitekt pranon deformimin e projektit dhe nuk ka krenarinë e as karakterin të thotë stop se të denoncoj nëse ti lëviz jo 3 mijë metra katrorë, por 1 metër katror nga projekti im, kjo është nga një anë fatkeqësia e tij. Nga ana tjetër nuk është një pikturë që ti pranon të vijë dikush dhe të fusë duart sepse në fund të ditës mbetet një pikturë, por është një pasuri që e kanë blerë të tjerët”, tha Rama.







