Aeroporti Ndërkombëtar Chopin, qendra kryesore ajrore e Polonisë, ka njoftuar se të gjitha fluturimet janë pezulluar përkohësisht, megjithëse terminali mbetet i hapur për udhëtarët.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X (ish-Twitter), autoritetet e aeroportit theksojnë se aktualisht nuk po zhvillohen operacione fluturimi, duke u bërë thirrje pasagjerëve të ndjekin njoftimet e qeverisë dhe informacionet nga linjat ajrore për përditësime të mëtejshme.
Ky zhvillim vjen mes një situate të tensionuar të sigurisë, pas shkeljeve të hapësirës ajrore polake nga dronë të dyshuar rusë. Qeveria ka aktivizuar masa emergjente dhe ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit.