Pas betimit të kabinetit të ri qeverisë sot në Presidencë, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Ministrinë e Brendshme Albana Koçiu, e cila bëhet kështu e para grua në krye të këtij institucioni.
Gjatë fjalës së tij para administratës dhe drejtuesve të kësaj ministrie, Rama pati kritike për mënyrën sesi ky dikaster është drejtuar deri tani.
Ai la dhe një detyrë tjetër për ministren Koçiu dhe ministrin e shtetit për pushtetin vendor që lidhet me prefekturat, teksa tha se do të behet një reformë për të parë a duhen apo jo prefekturat, dhe nëse po si duhet të funksionojnë.
“Funksionimi i prefekturave. Jo rastësisht jam këtu edhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor. Dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme, po të lexojmë legjislacionin është i gjerë, po të shohim realitetin është shumë i mangët.
Dhe prefekturat sot janë “Refugium Peccatorum”, institucione që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat të cilën natyrisht do ta bashkë udhëheqin qysh në konceptim ministrja e Brendshme me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe na duhet sa më parë të nxjerrim konkluzionin, a na duhen prefekturat apo s’na duhen fare?
Dhe nëse na duhen prefekturat, çfarë forme duhet të kenë prefekturat. Si prefekturat duhet të bëhen një forcë e shtuar, një vlerë e shtuar në gjithë rrjetin e drejtimit dhe administrimit të punëve të brendshme. Dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot zyrtarisht znj. Albana Koçiu, si Ministre të re të Punëve të Brendshme, pas betimit të anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar në Presidencë. Emërimi i znj. Koçiu, e para grua në krye të kësaj ministrie, shënon një etapë të re për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me një eksperiencë të gjerë, ajo do të drejtojë procesin e transformimit të Ministrisë në përputhje me standardet europiane dhe përgatitjen për integrimin e plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.


***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve! Në një farë mënyrë ky është një moment historik për Ministrinë e Punëve të Brendshme pasi për herë të parë drejtimin e kësaj ministrie e merr një grua. Ministrja e re, Albana Koçiu vjen sot në krye të Punëve të Brendshme në një profil krejt tjetër nga tërë paraardhësit e saj dhe me një mision shumë të qartë; ta kthejë këtë ministri nga një ministri tradicionalisht e Policisë sipas standardit shqiptar, në një ministri të Punëve të Brendshme sipas standardit evropian. Punët e Brendshme nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit, pavarësisht se Policia e Shtetit zë sferën më të madhe të punëve të shtetit dhe askush, natyrisht nuk e vë në diskutim këtë fakt.
Ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër, që ligji ynë dhe praktika e kudondodhur e vendeve demokratike, e thonë në të gjithë gjatësinë dhe të gjithë gjerësinë e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Jo vetëm pse ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një sërë nevojash të mëdha, serioze, të pa adresuara prej dekadash ashtu siç duhet në punët tona të brendshme, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme, është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor dhe cilësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në vizionin, qasjen dhe impaktin e kësaj Ministrie në mbarëvajtjen e punëve të brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Si rezultat, i pikërisht fokusimit të kësaj ministrie për dekada, ekskluzivisht tek policia, sot e gjithë ditën, 35 vjet transformime demografike dhe transformim fizik i vendbanimeve të Shqipërisë, i qyteteve tona që nga Tirana, që janë sot shumë më të mëdha se ç ‘ishin 35 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional, integral adresash. Akoma sot, na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë një pallat me shigjeta ose për shembull, sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësish me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur, por në këtë mandat të 4-t, nuk më interesojnë dhe shpresoj të mos na interesojnë ndryshimet që kanë ndodhur, por duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhin, zjarrfikësit janë lënë gjithmonë në planin e dytë.
Ndërkohë që problemi më i madh sot i shfaqur qartësisht në verën që po kalon dhe që mesa duket do të jetë një problem qendror për vite në vijim, janë zjarret. Kanë dalë në planin e parë forcërisht, si një punë e brendshme për t’u adresuar me një qasje të përshtatshme, me një organizim dhe me forca çdo vit edhe më të reja. Sigurisht që duke pasur parasysh se çfarë ka kaluar Shqipëria, është e natyrshme që policia të ishte për shumë vite si çeta e ministrit të Brendshëm, një vend që kishte mbi 100 e kusur vrasje mesatarisht në vit, apo një vend ku ringritja e Policisë së Shtetit pas asaj katrahure ku ne nisëm punën në 2013-n, e bënin Policinë e Shtetit prioritetin e prioriteteve dhe e vinin detyrimisht ministrin e Brendshëm në kushtet e kryepolicit civil mbi kokën e policisë, por tanimë janë pjekur kushtet që të bëjmë një kapërcim të rëndësishëm sepse parametrat e rendit publik janë konsoliduar brenda normave, të paktën të gjysmën se poshtme të tabelës së klasifikimit të vendeve të BE-së. Dhe ndërkohë janë të tjera punë të brendshme që kërkojnë një vëmendje të shtuar, që kërkojnë aftësi të reja dhe që kërkojnë një mendësi të re duke filluar nga kjo godina këtu.
Prandaj ministria e Brendshme duhet të ngrihet në këtë lartësi të re nga ku ta shikojë 360 gradë fushën e punëve të brendshme dhe nga ku të orientojë drejtimin e punëve të brendshme, si në çdo vend të BE-së. Se ndarja është shumë e qartë, përsa i përket punëve të brendshme qoftë në ligjin shqiptar, qoftë në praktikën evropiane, që ngjajnë si dy pika uji po të lexosh ligjin shqiptar, është praktikisht ligjit i praktikës evropiane, por ligji nuk mund të mbetet në letër në këtë aspekt që po flas dhe forca e zakonit shqiptar të na imponojë të njëjtin avaz. Po t’i referohesh inventarit të politikave dhe të strategjive të punëve të brendshme, inventari është i plotë, madje edhe paratë e harxhuara nga burimet të jashtme apo të brendshme nga donatorë apo nga buxheti i shtetit për të angazhuar burime njerëzore në shkruarjen e këtyre strategjive janë goxha, por ama po të shikosh veprimtarinë e përditshme të Ministrisë së Punëve Brendshme apo strukturave që nuk janë drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit, atëherë kupton që këto strategji dhe këto politika janë letra dhe administrata e Ministrisë së Brendshme së bashku me administratën e Ministrisë së Jashtme duhet ta themi siç është e vërteta, janë dy administrata që jetojnë në një kohë orare tjetër.
Dhe këtu natyrisht nuk është çështje e punonjësve, është çështja e vizionit, është çështje e orientimit, është çështje e asaj që kërkohet nga administrata dhe faktikisht ndryshimi rrënjësor i administratës i cili nuk fillon nga ndryshimi njerëzve, por fillon nga ndryshimi i qasjes nën një drejtim që kërkon të shihe ndryshe punët e brendshme, është një domosdoshmëri.
Arsimimi dhe edukimi në vazhdim i trupës policore nuk është një çështje e trupës policore, është një çështje e Ministrisë së Brendshme.
Funksionimi i prefekturave. Jo rastësisht jam këtu edhe me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor. Dimensioni i pushtetit vendor në punët e brendshme, po të lexojmë legjislacionin është i gjerë, po të shohim realitetin është shumë i mangët. Dhe prefekturat sot janë “Refugium Peccatorum”, institucione që e kanë humbur peshën, kanë humbur kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat të cilën natyrisht do ta bashkë udhëheqin qysh në konceptim ministrja e Brendshme me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe na duhet sa më parë të nxjerrim konkluzionin, a na duhen prefekturat apo s’na duhen fare? Dhe nëse na duhen prefekturat, çfarë forme duhet të kenë prefekturat. Si prefekturat duhet të bëhen një forcë e shtuar, një vlerë e shtuar në gjithë rrjetin e drejtimit dhe administrimit të punëve të brendshme. Dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme është afër zeros.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është një strukturë e re e ngritur për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, pra tërësisht e pavarur nga Policia e Shtetit, vazhdimësi, por me një sërë atributesh të reja e shërbimit të brendshëm, shërbimit të çështje të brendshme deri para ca vitesh dhe që kërkon të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet që të adresojë si duhet objektin e punës së vet.
Se nuk mund të kemi, është e pamundur të kemi drejtues të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në territor që janë njëkohësisht ndërtues pa leje dhe që mbrohen nën hijen e babait, “e ka bërë ndërtimin babai”, a thua se meqë është babai i drejtorit është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje.
Drejtues falsifikator që mbulojnë babain ose më saktë e përdorin babain për mbulesë dhe bëjnë rolin e çarçafit duke deklaruar që ndërtimi është bërë në 2018, a thua përsëri se ndërtimi i bërë në 2018 pa leje justifikon, por meqë 2020 është limiti i legalizimeve. Drejtues injorant që nuk e kanë mësuar akoma se kjo lloj gënjeshtre i ka këmbët shumë të shkurtra se mjafton një ortofoto për të bërë që ndërtimi jonë nuk është bërë në 2018. Si mundet të pritet nga një drejtues me këtë lloj niveli të ulet të raportit me ligjin të mbikëqyrë Policinë? Kur ky duhet mbikëqyrur nga drejtësia!
Vizat dhe lejet e qëndrimit të punës. Në këtë pikë jam edhe unë dëshmitar. Kemi bërë një proces të tërë për të lehtësuar lejet e qëndrimit dhe të punës edhe nën presionin pozitiv të sipërmarrjes dhe po ju them që mbasi ne kemi miratuara gjithë procesin dhe kemi shkruar e zeza mbi të bardhë që duhen dhe mjaftojnë 7 ditë për të dhënë një leje qëndrimi dhe pune që të vinte lajmi në këtë Ministri ishte njësoj sikur ai legjislacion të ishte nisur me një pëllumb, me ligjin dhe VKM përkatëse të lidhura me spango te këmba e pëllumbit që ishte nisur nga Kruja për të shkuar në “Portën e Lartë”. Dhe ndërkohë ca personazhe të çuditshme shefash e ku di unë në këtë strukturë, vazhdonin vazhdimin me histori zvarritjesh që janë për librat e Franz Kafkës. Një nga shumë shembujt që i kam shumë konkret për të ilustruar që kur them që Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare, nuk është një metaforë.
Nëse për Shqipërinë sot ora është 1:30 pas dreke, për Ministrinë e Brendshme ora është 1:30 e natës. Duhet të presësh që të vijë darka këtu që të zgjohen në Ministrinë e Brendshme. Ky është realiteti. Dhe nëse për Shqipërinë është ora 1:30 pasdreke e një dite të shtatorit 2025, për Ministrinë e Brendshme ora është 1:30 e natës e nëntorit 2001.
Gjendja civile akoma sot ka problematika me sistemin.
Standardet e shërbimit të kompanive të sigurisë private, se ato çetat e bajraktarëve të dikurshëm që i kemi lexuar nëpër libra sot vazhdojnë të jenë në realitetin shqiptar, por quhen kompani private sigurie.
Për të mos harruar nivelin e performacës së kompanisë së Ministrisë së Brendshme “Illyrian Guard”, e cila u krijuar për t’iu dhënë punonjësve të Policisë, kuadrove të Policisë një tranzicion të butë drejt pensionit, me një pagë të denjë dhe u kthye në një jetimore qokash nga të katërta anët, duke humbur tërësisht misionin për të cilin u krijua.
Policia Shkencore edhe ajo është një tjetër strukturë që falë disa specialistëve të mirë aty i ka mbijetuar kohës njësoj siç i kanë mbijetuar kohës apo i kishin mbijetuar kohës deri sa filluan investimet serioze shërbimet nëpër spitale, por një Polici Shkencore e pa investuar gjëkundi ashtu siç duhet për këtë kohë që jetojmë apo shërbimi elitë i Republikës së Shqipërisë, Garda e Republikës.
Administrimi i pasurive të sekuestruara më në fund mbas nuk e di se sa vitesh, më në fund ka filluar të bëjë sens. Ka filluar të bëjë sens dhe këtu është merita e ministrit dhe merita e drejtores, pastaj merita e ministrit në sensin që i dha vëmendjen e duhur më në fund mbas kaq vitesh një njësi administrimi i aseteve të sekuestruara që funksiononte si njësi riciklimi për të sekuestruarit. Ua merrnin nga njëra anë me 1001 përpjekje dhe me 1001 halle ata që janë në luftë në front atje me krimin dhe pastaj kjo njësi ua jepte me çmim të arsyeshëm mbrapsht, i blinin nga Ministria e Brendshme për 5 lek dhe Policia e Shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur, ndërkohë që kriminelët ri merrnin pallatet, ato pallate i them, “palace” i thonë francezët, vilave të ekzagjeruar, që fare mirë mund të ishin komisariate policie. edhe për shembull, edhe për thënë që këtu është shteti, por më në fund, u vu në vij dhe më në fund, mbas 35 vitesh po pastrohet Shqipëria, trupi i Shqipërisë, nga disa tumore të tmerrshme të makinave, motorrave, karrocave të mbledhura nëpër fusha, fusha të administruara nga Policia e Shtetit, si prova. Fusha të tëra në qytet, në anë të qytetit, me një kapacitet ndotës të llahtarshëm, që nuk kishte zot që i lëvizte se thuhej, këto i kemi prova, 35 vjet prova. Numri i shapkave, shapka të mbledhura për prova nëpër Shqipëri dhe të mbyllura nëpër furgonë, nëpër ca maune, po ashtu të ndryshkura si prova është i lemeritshëm, mund të vishnim me shapka të tëra pastrueset e Ballkanit. Ça u desh? U desh vetëm vëmendje dhe u desh vetëm një strukturim i punës së njësisë që tani po çlirohen qytetet nga këto burime kancerogjene.
Kontrolli i territorit në kuptimin e ndërtimeve flas, ka filluar dhe këtu Policia e Shtetit ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ka filluar të vihet në një farë një farë rruge, falë edhe angazhimit të drejtpërdrejt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në këtë rast sepse deri dje, Policia e Shtetit ishte pjesë e problemit, jo e zgjidhjes.
Sikur të mblidheshin në sheshin “Skënderbej”, të gjithë fshatarët, të cilëve policët e shtetit iu kanë vënë gjoba personale, apo iu kanë vënë gjoba shtetërore për një avlli, do bëhej mitingu më i madh, pas atij për pritjen e Zhou Enlai.
Ndërkohë që vetëm në këtë periudhë është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe t’i nuk e gëzon dot, sepse deri dje i shikonin vetëm avllitë niseshin nëpër mal. Një burrë i vjetër 90 e kusur vjeç përfundoi në prokurori dhe në gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit, se si e gjeti Policia atë, se ku e pikasën këtë kriminel 90 e ca vjeç, në një vrimë matanë Dajtit do ishte për medalje ari, po qe se kishte mbetur vetëm ai 90 vjeçari atje.
Ndërkohë që mes Tiranës këtu, “Syri i Tiranës” këtu, katër a pesë kate pa leja, të cilat do t’i gëzojë shteti, nuk do t’i gëzojë ai që i ka ndërtuar.
Në fund transformimi teknologjik i gjithë sistemit të punëve të brendshme përmes inovacionit, një tjetër problem shumë i madh.
Na janë dashur muaj të tërë, që mund të mbushin edhe vitin, për të konkluduar këtë sistem këtu marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë, marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara, që tani më në fund u konkludua dhe që do të na japë mundësinë të kemi qytetet inteligjente, mbulim me kamera inteligjente tërësor nga rrugët tek shkollat, brenda shkollës, brenda klasës, për të na dhënë një nivel sigurie të standardit më të lartë europian, një nivel sigurie që nuk e kanë edhe vende të mëdha europiane. Se është bekimi i teknologjisë, që mund të jesh një vend i vogël dhe që mund të jesh shumë mbrapa në raport me një vend të madh dhe shumë të zhvilluar, po teknologjia të jep mundësinë që ta kapërcesh edhe atë. Mirëpo, hajde gjeje me juristët e punëve të brendshme dhe me juristët e policisë një histori pa mbarim sepse kjo administratë këtu dhe administrata atje te Lana, e Ministrisë së Jashtme kanë një, kanë një tarbjat të vjetër, “lëre siç është, se është më mirë”. “Lëre siç është, se është më mirë”, mos i hy fare që të shohësh, se si mund të bëhet më mirë, se më mirë s’ka, se pastaj bëhet më keq.
Prandaj për t’i adresuar domosdoshmërinë e kësaj sfide dhe ngritjes në një nivel tjetër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministrja sjell me vete një eksperiencë të gjatë në administratë. E ka filluar që nga niveli i parë, siç mund të jenë disa vajza të reja këtu, punonjëse të nivelit të parë; ka drejtuar për 10 vjet Departamentin e Administratës Publike të Republikës së Shqipërisë dhe edhe në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka demonstruar aftësi drejtuese dhe mbi të gjitha, këmbëngulje dhe motivim të njerëzve me të cilët ka punuar në të gjitha punët. Dhe ministrja do të duhet të udhëheqë si të gjithë ministrat e tjerë në fakt, përshkallëzimin e revolucionit digjital dhe futjen e inteligjencës artificiale edhe këtu në administratën e Punëve të Brendshme. Nuk e kam fjalën për të krijuar një “Diell” polic këtu, por e kam fjalën për të futur inteligjencë artificiale në mënyrë që të rrisim parametrat e sigurisë në tërësi. Dhe këto parametra siç do ta them në një copëz që kam shkëputur nga programi, që nuk e prezantova dot dje, lidhen në pjesën më të madhe të tyre me punët e brendshme.
Siguri më e lartë në rrugë, ku do të mbulojmë me kamera inteligjente akset kryesore kombëtare dhe qytetet e mëdha si fillim;
Siguri më e lartë në shkolla ku do u vendosim në dispozicion drejtorive dhe këshillave të prindërve një sistem video-regjistrimi të të gjitha veprimtarisë brenda shkollës, i cili do të jetë i aksesueshëm në çdo rast dhe për çdo nevojë nga Policia e Shtetit dhe nuk do ketë më historira, sa thika ishin, largqoftë dhe kush i ra mes shpullë i pari të dytit, se pastaj kjo përshkallëzohet në shkuljen e flokëve të prindit me prindin dhe pastaj të prindit me mësuesin dhe pastaj të drejtorit apo drejtoreshës me mësuesen;
Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit, të plazheve, të lumenjve, përmes survejimit ajror me dronët inteligjentë dhe satelitorë që tanimë e kemi në një fazë të avancuar, por që na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale, të dallueshëm çdo cenim të territorit, në kohë reale, jo siç e kemi sot që mund ta bëjmë në mënyrë periodike, por në kohë reale.
Dhe pastaj, siguria në qarkullimin e mallrave që kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me këtë ministri, por po lexoj si pjesë të tërësisë të adresimeve me inteligjencë artificiale të çështjeve të sigurisë, që nga barnat mjekësore dhe ushqimet e importit deri tek nafta, niveli i gjurmimit të të cilave përmes teknologjisë, do të ngjitet në standardin më të lartë bashkëkohor, falë edhe kompanisë së re shtetërore që kemi krijuar, “AlbTrace” e cila është një kompani ekselence e lindur nga marrëveshja me kompaninë simotër në Emiratet e Bashkuara, që konsiderohet një 5 kompanitë më të zhvilluara në botë për gjurmueshmërinë e çdo lloj malli;
Siguria më e lartë kibernetike për fortifikimin e mëtejshëm të Shqipërisë ndaj sulmeve të aktorëve malinjë mbi infrastrukturën tonë kritike apo digjitale;
E pa dyshim, siguria më e lartë nga zjarret që i lashë në fund, jo nga rëndësia por për shtuar, lidhur me sa më lart, që teknologjia digjitale apo edhe inteligjenca artificiale mund të na ndihmojnë shumë, por nuk e zëvendësojnë dot as respektin për rregullat e qarkullimit dhe kjo nuk është një çështje e Policisë, sa ç‘është një çështje e Ministrisë së Brendshme, përsa i përket edukimit, ki natyrisht Policia mund të luajë çdo rol por duhet lidershipi i ministrisë së Brendshme, as punën e mësuesit dhe të prindit nuk e zëvendëson dot AI, as përgjegjshmërinë qytetare në raport me pronën, në raport me mjedisin, në raport me pyjet, në raport me të gjitha ato që prekin punët e brendshme dhe as institucionet përkatëse nuk i zëvendëson dot.
Kështu që në mbylljet të kësaj fjale, dëshiroj shumë që të gjithë drejtuesit e kësaj ministrie, të gjithë drejtuesit e institucioneve që nuk janë të lidhura me policinë e Shtetit por janë të lidhura me Ministrinë e Brendshme ta kuptojnë këtë mesazh dhe t’i bashkohen kësaj nevoje shumë të madhe, për të pasur një cilësi të re sepse anëtarësimi në BE dhe ngritja e flamurit tonë kombëtar në oborrin e familjes evropiane në 2030, kalon dhe përmes kësaj sfide kaq komplekse të punëve të brendshme dhe na duhet në të gjitha këto aspekte që fola dhe në aspekte të tjera që mund të mos jenë kaq të dukshme, por që janë të rëndësishme, të veprojmë me shumë ritëm, me shumë vendosmëri, me shumë vizion, duke u hapur ndaj teknologjisë maksimalisht.
Se ç’më panë sytë dhe ç’më dëgjuan veshët në historinë e marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara, ishte e pagëlltitshme. Të shkosh të lutesh për të marrë një mbështetje mbi 100 milionë euro dhe për të marrë teknologjinë dhe pastaj ata të cilët i japin këto, të të pyesin ku ka mbetur puna, është kulmi. Domethënë, është e pabesueshme dhe kjo nuk mund të ndodhë më. Kurrë! Prandaj kush ka një tavolinë dhe është ulur në një karrige në një zyrë, duhet ta dijë mirë që puna e tij apo e saj, është t’i çojë punët përpara. Nuk është të thotë lëre se është mirë. Shumë faleminderit!

Fjala e Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në ceremoni:
Shumë faleminderit Kryeministër! Së pari, për besimin dhe për përgjegjësinë kaq të jashtëzakonshme për drejtimin e një ministrie kaq të rëndësishme siç është Ministria e Punëve të Brendshme.
Ju me të drejtë listuat një sërë funksionesh e detyrash të MPB të cilat, është shumë e vërtetë, janë në ligje, janë në letër, por do të duhet të kenë vëmendje akoma më shumë. Janë emergjenca të kohës e pikërisht këtë do të bëjmë bashkërisht.
Unë gjej rastin t’ju them sot publikisht që MPB, me mua në drejtim por edhe ekipin e saj, do të ngrihet në lartësinë e kësaj detyre për ta përfaqësuar më së miri të gjithë figurën e punonjësit publik, së pari, duke filluar nga secili prej jush këtu, me integritetin dhe profesionalizmin, që do të duhet të karakterizojë të gjithë punonjësit e MPB për të kryer një sërë funksionesh shumë rëndësishme që janë vetë shteti, që krijojnë themelet e një shtetit të fortë demokratik, duke pasur parasysh edhe rëndësinë e jashtëzakonshme, edhe momentin historik ku është vendi ynë.
Tashmë Europa nuk është më një vizion, por një realitet i prekshëm, prandaj unë besoj fort që bashkërisht, si ekip, si skuadër, ne do të çojmë përpara të gjithë këto punë dhe përgjegjësi që Kryeministri na ka ngarkuar, që legjislacioni na ka ngarkuar dhe të cilat duan me patjetër që secili nga ju, të marrë angazhimet e nevojshme për t’i çuar përpara.
Unë besoj fort që kjo është një Ministri, që duhet të flasë pak por të punojë shumë, të flasë pak, por të japë shumë më shumë punë, e të lërë punët të flasin vetë për ne. Shumë faleminderit e do të doja të falënderoja edhe kolegun, Ervinin, për gjithë punën e jashtëzakonshme dhe për listën e arritjeve që më ka trashëguar mua dhe të gjithëve ne. I uroj suksese në vijim dhe na priftë e mbara të gjithëve! Do të vijojmë të kemi takime individuale, por do të doja që gjithë si ekip t’i tregojmë Kryeministrit që po, jemi në lartësinë e duhur dhe do t’ia dalim të kryejmë të gjithë detyrat dhe angazhimet që na ka ngarkuar.

Fjala e ish-Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha:
Së pari, dua të falënderoj Kryeministrin Edi Rama për besimin dhe përgjegjësinë e lartë që më ngarkoi një vit më parë. Për mua, kjo detyrë nuk ishte vetëm një sfidë, por edhe një nder i madh.
Kam hyrë në dyert e kësaj Ministrie 22 vite më parë si specialist më Marrëdhëniet me Jashtë dhe sot largohem, pasi pata privilegjin ta drejtoj atë në cilësinë e Ministrit të Brendshëm. Ky është një rrugëtim që do ta mbaj gjithmonë në kujtesë me vlerësim dhe respekt.
Ky vit ishte i mbushur me sfida e punë të përditshme, por edhe me arritje që na bëjnë krenarë. Dua të veçoj kontributin e jashtëzakonshëm të stafit të Ministrisë dhe institucioneve të varësisë, për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve tanë. Partnerët ndërkombëtarë kanë qenë një mbështetje e fortë dhe të pakursyer.
Menaxhimi i procesit zgjedhor të 11 majit, me përgjegjësi dhe profesionalizëm, ishte një provë e rëndësishme që bashkë e kaluam me sukses. Po ashtu, garantimi i një sezoni veror të sigurt për qytetarët dhe vizitorët e shumtë, janë rezultat i përkushtimit dhe bashkëpunimit të çdo strukture. Për këtë, ndiej detyrim të shpreh mirënjohjen për secilin prej jush.
Sot, duke lënë këtë detyrë, dua të shpreh urimet më të mira për pasardhësen time, ministren Albana Koçiu, e cila hyn në histori si gruaja e parë që merr drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kam bindjen e plotë se ajo do të vazhdojë me sukses dhe do t’i thellojë më tej arritjet e përbashkëta. Ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin, besimin dhe përkushtimin!
